Kryeministri Berluskoni paraqitet në gjykatë

Është paraqitur në gjykatën e Milanos, kryeministri italian Silvio Berlusconi për të qenë prezent në seancën për procesin Mills. Presidenti i këshillit të ministrave, siç bëjnë të ditur përfaqësuesit e tij ligjorë, zgjodhi të mos merrte pjesë në një mbledhje të OKB-së në New York për të qenë i pranishëm në seancën e së hënës. Berlusconi akuzohet për korrupsion në akte juridike. Kryeministri italian mbërriti në pallatin e drejtësisë por gjatë hyrjes në të, nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Kryeministri italian Silvio Berlusconi doli të hënën në gjyq pikërisht në përballje me akuzat se ka paguar një dëshmitar për të gënjyer në një tjetër çështje ligjore kundër tij. Bëhet fjalë për ish avokatin e tij britanik, David Mills, për të cilin akuza thotë se e ka paguar 600 mijë euro për të dhënë dëshmi të rreme. Silvio Berlusconi është shfaqur shumë i qetë në sallën e gjyqit, shkruajne mediat italiane. Kryeministri ka filluar menjëherë të shkëmbejë batuta me gazetarët që ndodheshin në sallë. Atyre që e pyesnin se si ishte, ai i përgjigjet duke buzëqeshur e u thotë; " Unë mirë, ndërsa ju në fakt, keni një pamje jo të mirë'. Mediat italiane shkruajnë se gjatë kësaj kohe Berlusconi nuk ka dhënë të tjera deklarata duke shtuar, se në fund të seancës, ndoshta mund të thoshte “diçka".
Ndërsa atyre që i vunë në dukje, se kjo ishte një përgjigje e ngjashme me atë që jepte zakonisht D`alema, ai replikoi: "Nuk desha të kopjoja".