Kryeministri Fatos Nano është nisur sot pasdite në Bullgari, me ftesë të Kryeministrit Simeon Sakskoburggotski, për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit tre palësh
Kryeministri Fatos Nano është nisur sot pasdite në Bullgari, me ftesë të Kryeministrit Simeon Sakskoburggotski, për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit tre palësh të Mirëkuptimit për ndërtimin e naftësjellësit AMBO, midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, ceremoni e cila do të zhvillohet nesër paradite në Sofje. Me këtë rast, do të marrë pjesë edhe Kryeministri i Maqedonisë, Vlado Buckovski.
Kryeministri Fatos Nano do të zhvillojë një takim të veçantë me zotin Simeon Sakskoburggotski. Gjithashtu do të zhvillohet një takim i përbashkët i tre Kryeministrave.
Pas nënshkrimit të Memorandumit nga Ministrat e Energjisë të tre vendeve dhe Presidentit të kompanisë "AMBO", Eduart Ferguson, tre Kryeministrat do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët, ku tre vendet do të angazhohen të bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin në funksion të integrimit, nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit dhe zgjerimit të inisiativave rajonale. Tre autoritetet do të konfirmojnë me këtë rast rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës, në procesin e përcaktimit të rolit të ri të Ballkanit si një rajon strategjik, e rëndësishme për korridoret e transportit dhe të energjisë, si ura komunikimi midis dy kontinentëve. Në këtë deklaratë pritet të theksohet se këto inisiativa të rëndësishme dhe implemtimi i tyre modernizojne kufijtë, nxisin lëvizjen e lirë, ndihmojne popujt për zhvillimin e tyre, si dhe nxitjen e investimeve dhe bashkëpunimit ndërrajonal.
Në përfundim të tre Kryeministrat do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.