Kryeministri Fatos Nano, gjatë vizitës së tij në qytetin e Korçës, zhvilloi një takim me trupin pedagogjik dhe nxënës të Shkollës së mesme të Përgjithshme "Themistokli Gërmenji". Zo
Kryeministri Fatos Nano, gjatë vizitës së tij në qytetin e Korçës, zhvilloi një takim me trupin pedagogjik dhe nxënës të Shkollës së mesme të Përgjithshme "Themistokli Gërmenji". Zoti Nano vizitoi ambjentet e shkollës, bashkëbisedoi me nxënësit, si dhe u dhuroi atyre 3 libra mbi kulturën e Voskopojës.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kryeministri u shpreh:
"Eshtë një kënaqësi e vecantë për mua si Kryeministër vizita në këtë shkollë të shquar të arsimit korcar dhe kombëtar që vazhdimisht ka prodhuar vlera njërëzore të spikatur në jetën profesionale, politike, sipërmarrëse, shkencore etj.
Kam ardhur këtu të vijojë edhe me ju atë kuvendim të gjerë që po zhvilloj në të gjithë Atdheun për të vlerësuar sëbashku arritjet e deritanishme, por edhe për të njohur e prekur nga afër mangësitë e punës sonë në fokusin e sfidave të reja që na presin për shkak të procesit të integrimit euroatlantik.
Dhe në një farë mënyre integrimi ynë europian zë fill nga dija, pra nga arsimi e shkolla, kjo levë e Arkimedit që e bën edhe më të begatë jetën tonë, më të sigurt të ardhmen tonë përkrah kombeve të qytetëruara. Në botën e sotme, që shumëkush parapëlqen ta quajë "fshati ynë i përbashkët global", lypset sa më shumë dije, teknologji e lartë dhe informacion bashkëkohor, pra të jesh i përgatitur me të gjithë instrumentet e kohës për të qenë i aftë për të konkurruar, për të qenë vazhdimisht në ekspansion dhe këtu termat "komb i madh apo i vogël" bëhen relative, sepse pesha kalon te zotësia dhe kapacitetet e individit dhe vullnetit të tij për të çarë përpara që nuk bie pre e fatalitetit dhe mentalitetit provincial.
Jetojmë në kohë integrimesh, procese këto që kërkojnë të jemi në lartësinë e duhur. Ballkani, rajoni ynë, po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një hapësirë e treg të madh të përbashkët ku shkëmbejmë jo vetëm mallrat, por edhe know how, idetë, vlerat e njerëzit. Ndaj nuk duhet të tutemi përpara kësaj hapjeje, ballafiqimi kulturash e shkëmbimesh të vrullshme, përkundrazi qetësisht e me dinjitet t'u përgjigjemi ashtu siç e lyp koha dhe e ardhmja jonë e sigurtë europiane.
Procesi i Bolonjës dhe Karta e dalë prej tij, ku vendi ynë ka aderuar, janë pasaporta europiane e dijes dhe nesër e punësimit tuaj në të katër anët e kontinentit tonë si qytetarë të denjë të tij. Siç do të shpreheshin me këtë rast Rilindësit tanë të mëdhenj, "Lum kush të rrojë që t'ju shohë zotër të vetes suaj dhe të vendit tuaj!"
Unë nuk kam ardhur sot këtu për të prerë ndonjë shirit, por për të ndjekur nga afër ecurinë e punëve të rikonstruksionit, si dhe për t'ju bërë një dhuratë simbolike, për t'ju dhuruar disa kompjutera, çka e bëra edhe para pak ditësh me nxënësit e shkollave të Beratit. Them simbolike se gjesti i sotëm nuk është gjë tjetër veçse kartë-vizita e një programi të madh mbarëkombëtar, që qeveria ka për të ndërmarrë së afërmi dhe që ka të bëjë me pajisjen në shkallë të gjerë të shkollave të vendit me kompjutera dhe rrjet interneti, faturën e të cilit do ta shlyejë buxheti i shtetit. Unë nuk e di se ç'mund të thonë të tjerët me këtë rast, por për një gjë jam i sigurtë, ky do të jetë ndër investimet më me leverdi që janë bërë ndonjëherë në vendin tonë, investim i projektuar për të ardhmen.
Kam dëgjuar zëra që thonë "Korça është një qoshk i harruar e i braktisur nga qeveria", zëra që vijnë si rrjedhojë e një mendësie vetëviktimizimi, por edhe asaj propagande përçarte prej sarhoshësh që ende s'u ka dalë narkoza e humbjes. Por ja që shifrat janë më kokëforte se të gjitha retorikat e demagogëve, të cilët, për fat të keq, i kemi me shumicë dhe që e kanë shndërruar në një profesion fitimprurës të pështyrët dhe të përjargurit.
Nuk jam këtu për të bërë replikë me ta, por vetëm për t'u kumtuar se, vetëm në qarkun e Korçës për vitin 2003-2004 është ndërhyrë në 133 objekte arsimore; vetëm në qarkun e Korçës janë investuar në sektorin e arsimit 744 milion lekë prej të cilave:
1) Për ndërtimin e shkollave të reja janë shpenzuar 131.5 milion lekë
2) Për rikonstruksionin shkollave janë shpenzuar 304 milion lekë
3) Për pajisjen e shkollave dhe kabineteve me mjete mësimore 308.6 milion lekë.
Elokuencës së shifrave nuk kam ndërmend t'u shtoj gjë tjetër, ndaj nuk më mbetet veçse t'ju përgëzoj për punën e kryer dhe t'ju uroj mbarësi në jetë e familjet tuaja".