E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ishte i pranishëm sot në ceremoninë e nënshkrimit të akt-marrëveshjes midis Bashkisë së Tiranës dhe Studio Franceze e arkitekturës "Architecture-Studio" për hart

Kryeministri Fatos Nano ishte i pranishëm sot në ceremoninë e nënshkrimit të akt-marrëveshjes midis Bashkisë së Tiranës dhe Studio Franceze e arkitekturës "Architecture-Studio" për hartimin e Studimit Urbanistik për qendrën e Tiranës dhe hapësirës urbane të përkufizuar për këtë qëllim, një projekt ky i mbështetur nga Qeveria Shqiptare dhe Qeveria Gjermane.

Ky dokument u nënshkrua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe përfaqësuesja e studios franceze, Roueida Ayache.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Arta Dade, ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit Besnik Dervishi, si dhe Zëvendësambasadorja gjermane Sabine Bloch, ambasadori francez Michel Menachemoff, si dhe përfaqësues të GTZ-së.

Studimi Urbanistik do të realizohet në përputhje me Planin Konceptual (projekt-idenë), i cili u shpallur fitues nga Juria Ndërkombëtare tre muaj më parë.

Në këtë ceremoni Kryeministri Nano u shpreh:

"Të nderuar zotërinj ambasadorë!
Të nderuar pjesëmarrës!
Përfaqësues të Studios "Architecture"!

Ky është një moment gëzimi dhe starti i një etape të rëndësishme të zhvillimit të partneritetit midis Qeverisë, Bashkisë së Kryeqytetit dhe donatorëve dhe partnerëve të rëndësishëm nga bota e arkitekturës ndërkombëtare. Natyrisht është një hap që shënon një maturi të të gjithë faktorëve që po e çojnë përpara zhvillimin dhe modernizimin e Tiranës dhe të Shqipërisë, në rrugën e përafrimit për integrim në Bashkimin Europian. Është vazhdim i një pune të nisur kohë më parë si rezultat i së cilës vijojmë në këtë moment sinjifikativ. Kur them punë e nisur kohë më parë kam parasysh, jo vetëm momentin e shpalljes së konkursit ndërkombëtar për qendrën e kryeqytetit tonë, jurinë e të cilit pata nderin ta kryesoj, por dua të risjell në vëmendje sidomos kapacitetet menaxhuese, projektuese dhe zbatuese që janë kristalizuar vitet e fundit në kryeqytet për të projektuar dhe ndërtuar realitete urbane bashkëkohore.

Duket se ky akt nënshkrimi i kësaj kontrate të rëndësishme përbën unazën e fortë lidhëse midis të sotmes dhe të ardhmes, midis projektimit dhe realizimit të asaj çfarë mendojmë, programojmë dhe ëndërrojmë, gjithashtu. Kjo është, nga ana tjetër, një provë e pakundërshtueshme se projektet tona për integrim, janë konkrete, janë materiale, janë edhe në koncept të standartit të së ardhmes, të standartit që orienton edhe zhvillimin urban dhe njerëzor në vendet e Bashkimit Europian apo në Botën moderne dhe të gjitha këto po bëhen realisht pjesë e patrimonit tonë kombëtar, të aftësive tona për zhvillim, të vlerave europianizuese që kanë zhvillimet shqiptare sidomos të qyteteve dhe të qendrave të mëdha urbane si Tirana.

Natyrshëm kjo është vetëm njëra nga sfidat që po përballojmë me sukses. Kemi marrë përsipër mjaft të tjera edhe në vet Tiranën. Edhe kati i nëndheshëm i këtij maketi, përveç ajrit të pastër mbi të, janë gjithashtu sfida për t'u përballuar dhe jam i bindur se edhe ju e konstatoni që të gjitha akset dhe arteriet që hyjnë në këtë moket të qendrës së Tiranës janë terminale që vijnë dhe nisen, pra një infrastrukturë moderne që përshkon gjithë territorin dhe që lidh Shqipërinë, qytetet tona, bregdetin tonë, zonat tona me urbanizim dinamik, me rajonin dhe me Europën.

Pra, le ta përshëndesim së bashku këtë start domethënës për të ardhmen. 30 vjet në jetën e një qyteti kalojnë me një frymë dhe, natyrisht, ne e përqafojmë filozofinë e plakut që mbillte ullirin e radhës, duke e quajtur këtë maket qendrën ku jemi mbledhur për ta vënë në lëvizje këtë proçes gjigand, si udhëkryqin europian të të gjithë Shqipërisë. Urime!"

Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, vlerësoi se ky është një projekt që ka lindur si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë midis Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë Shqiptare, si rezultat i një vullneti të shprehur bashkarisht për t'i vënë të gjitha qendrat e qyteteve kryesore dhe veçanërisht Tiranës, nën disiplinën e një konkursi prej nga ku do të dilte edhe një plan i mirëfilltë urbanistik që rregullon përfundimisht marrëdhëniet mes hapësirave publike dhe hapësirave për ndërtim, marrëdhëniet mes pronarëve dhe investitorëve, marrëdhëniet mes sipërmarrjes së lirë kryeqytetase dhe strukturave të qeverisjes vendore dhe qendrore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›