E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar pjesëmarrës! Në këtë mbledhje të zankonshme të Këshillit Kombëtar të Rrugëve do të diskutojmë dy dokumenta të rëndësishëm: •Strategjinë dhe objektivat për invest

Të nderuar pjesëmarrës!

Në këtë mbledhje të zankonshme të Këshillit Kombëtar të Rrugëve do të diskutojmë dy dokumenta të rëndësishëm:

•Strategjinë dhe objektivat për investime në rrjetin rrugor kombëtar për periudhën 2003-2005

.Shqyrtimin dhe miratimin e variantit optimal të një projekti shumë të rëndësishëm të vendit për infrastrukturën tonë rrugore, që shpresoj të ndryshojë apo të ndikojë edhe në hartën rrugore të Ballkanit, me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.

Rëndësia e këtij aksi rrugor që lidh korridoret Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug është e mirënjohur dhe përbën një nga shqetësimet, preokupimet e gjera shoqërore apo aspiratat për zhvillimin integrues ekonomik në mbarë vendin. Për këtë arësye edhe vendimi që do të marrim sot, jam i bindur se do të gjejë po këtë hapësirë në jetën shoqërore të vendit tonë.

Ritmet e përfundimit të studimit të fizibilitetit që u realizua, falë Zotit, me financimet e Bankës Botërore dhe të projektit përkatës na bëjnë të besojmë se brenda këtij viti mund të fillojë puna për ndërtimin e segmentit të parë të saj, Milot-Rëshen, me forcat e Qeverisë Shqiptare, të Xhenjos, duke nisur një proçes që meriton të mbështetet nga të gjithë ne. Pra, Qeveria është duke shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së disa strukturave, për të nisur dhe përshpejtuar punimet në këtë aks të rëndësishëm rrugor të vendit. Unë do të uroja që në këtë mbledhje të konvergonim në mbështetjen dhe shqyrtimin racional të projekteve të kompletuara që sjellin impakte të rëndësishme në integrimin e vendit në rajon, si ky, si një provë e konsolidimit të vetë Këshillit për detyrat që i ngarkohen këtij institucioni, gjithashtu.

Projekti i sotëm, vjen për diskutim pas oponencash dhe sugjerimesh nga specialistë vendas dhe të huaj. Ai sjell në tryezat tona vendimmarrëse një nga prioritetet e Qeverisë, gjithashtu. Rruga Durrës-Kukës-Morinë dhe ndërtimi i Aeroportit të Kukësit janë angazhime prioritare dhe të mëdha të Qeverisë që synojnë nëpërmjet kësaj infrastrukture të krijojnë mundësi më të mira për të integruar tregun kombëtar, për të forcuar lidhjet e bashkëpunimit me vendet fqinje dhe natyrisht me aktorë të tjerë shqiptarë dhe jo shqiptarë, në një treg ballkanik që po hapet dhe po integrohet, për të rritur flukset e shkembimit të mallrave, të kapitaleve, të njerëzve natyrisht, tranzitin dhe transaksionet që i shoqërojnë ato. Pra, gjithashtu, ne synojmë të japim kontributin kombëtar në integrimin ballkanik.

Realizimi i këtij projekti, jemi të bindur se, do të sjellë një ngritje të nivelit ekonomik dhe social të banorëve të zonës verilindore të vendit dhe do të bëhet, duke stimuluar gjithashtu, pjesë e infrastrukutrës, që zhvillon turizmin dhe në përgjithësi qarkullimin ekonomik dhe të resurseve në këtë zonë. Si aksi më i shkurtër që lidh gjithashtu Detin Adriatik me Europën Qëndrore, kjo rrugë do të sillte ndryshime edhe natyrën dhe volumin e transportit të mallrave, duke na mbështetur në arësyetimin për zgjerimin dhe modernizimin e Portit të Durrësit, si portë kryesore hyrëse e Korridorit 8-të.

Variantet që do të paraqiten këtu kanë në vetvete analizën teknike, ekonomike dhe financiare dhe mbështeten në tregues që vlerësojnë përparësitë e secilit variant dhe besoj na krijojnë të gjithëve mundësinë e arësyetimit për alternativën më të mirë.

Ndërkaq, do të kërkoja vëmendjen tuaj dhe për të paraqitur strategjinë dhe objektivat për investime nacionale në rrjetin rrugor të vendit për periudhën 2003-2005.

Ky dokument është integruar në Strategjinë e Zhvillimit Kombëtar të Qeverisë Shqiptare, e cila në mbështetje dhe në zbatim të saj, ka iniciuar dhe zhvilluar politika dhe prioritete afatshkurtra dhe afatgjata me objektiv themelor përmirësimin dhe zhvillimin e infrastrukturës të rrjetit rrugor kombëtar. Parashikimi i investimeve në këtë infrastrukturë mëbshtetur në politikën dhe strategjinë zhvillimore të Qeversë është koordinuar me ekspertë dhe specialistët e vendit si dhe me specialistë të organizmave të ndryshëm ndërkombëtar që veprojnë në Shqipëri, veçanërisht Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve, Banka Europiane për Investim dhe Zhvillim, natyrisht agjencitë dhe bankat e komunitetit europian, etj.

Infrastruktura rrugore në Shqipëri paraqet mundësi të mëdha në kontekstin e hapjes dhe të integrimit të vendit dhe të rajonit në kontekstin europian dhe prezanton lehtësi për të akomoduar trafiqet tranzite. Në kuadrin e bashkëpunimit ndërajonal dhe në saj të vendodhjes së favorshme gjeografike të Shqipërisë, Korridori 8 Lindje-Perëndim, akset Veri-Jug, veçanërisht aksi Durrës-Morinë, paraqesin për ne interes shumë të madh edhe për transportin tranzit, në mënyrë të veçantë për vendet fqinje, si dhe për arterjen e transportit midis Europës dhe vendeve të Lindjes, Europës Qendrore dhe Perëndimore.

Strategjia e Zhvillimit të rrjetit rrugor shqiptar merr pra në konsideratë ndërhyrje afatmesme dhe afatgjata që do të bëjnë të mundur të modernizohet kjo infrastrukturë në territorin tonë, të sigurohen lëvizje normale dhe shërbime bashkëkohore në të. Shoqëria shqiptare natyrshëm po kalon një periudhë transformimesh të rëndësishme drejt konsolidimit të ekonomisë së hapur të tregut. Ky zhvillim shoqëror me ndryshime ekonomike dhe shoqërore ushtron presione pozitive dhe në tregun dhe kërkesën për vëllime dhe llojshmëri tyransportesh, dhe kjo rritje e natyrshme mesa duket kërkon që ekonomia t'i përgjigjet me infrastrukturë rrugore adekuate, pra me më shumë investime në rrugë, me rrugë të reja dhe gjithahstu me rrugë më cilësore.

Në këtë vlerësim, objektiv kryesor në planin e investimeve të Qeverisë është vazhdimi i rehabilitimit të rrjetit rrugor kombëtar, ndërtimi i rrugëve të reja dhe rritja e standarteve në akseset më të rëndësishme të komunikacionit. Strategjia e financimit dhe zbatimi i saj përfshin përfundimin në periudhën 2003-2005 të dy akseve rrugore kryesore Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug.

Në aksin Lindje-Perëndim, pjesa kombëtare e Korridorit 8, më lejoni të përmend ndërtimin e:

• Segmentit Elbasan-Librazhd me gjatësi totale 30.5 km, vlera e investimit 22.5 milionë USD. Punimet e segmentit kanë nisur në prill 2003 për të përfunduar në prill 2005. Finacimet sigurohen nga BERZH, Kooperacioni Italian dhe Qeveria Shqiptare.

• Segmenti rrugor Qafë Thanë – Pogradec – Korçë, me gjatësi totale 65 km, me vlerë investimi 76 milionë Euro, punimet e të cilit fillojnë, ky është angazhimi ynë, në tremujorin e dytë 2005 për të përfunduar në vitin 2007. Për të finacuar ndërtimin e këtij segmenti ne do të bisedojmë me donatorë të ndryshëm. Veçanërisht shpresëdhënëse janë negociatat me BEI dhe BERZH. Po vazhdon aktualisht puna për të përfunduar projektin e zbatimit me konsulentin Cheatorouc në gusht 2004.

Pra përfundimi i këtyre dy segmenteve rrugorë do të kompletojë aksin Lindje-Perëndim se bashku me degëzimin për në daljen e Kapshticës.

Në aksin Veri-Jug janë disa segmente që atakohen, duke filluar që nga:

• Segmenti Lezhë-Shkodër, me gjatësi totale 33.9 km, me një vlerë investimi 4 miliardë lekë. Kanë përfunduar deri tani punimet në segmentet Lezhë-Balldre, Vau i Dejës-Shkodër, me gjatësi të përbashkët 14.5 km dhe me vlerë 1.35 miliardë lekë. Në korrik 2004 ne jemi të angazhuar që të përfundojmë edhe punimet për ndërtimin e pjesës së mbetur të segmentit Balldre-Piraj-Vau i Dejës me gjatësi 19.4 km dhe me vlerë 2.56 miliardë lekë, financime këto të tëra nga buxheti i shtetit.

• Segmenti rrugor Lushnjë-Fier, me gjatësi totale 21 km, me vlerë investimi 20.5 milionë Euro, punimet e të cilit duam t'i fillojmë brenda gjatështëmujorit të parë të 2004-s, për t'i përfunduar në vitin 2006. Financohet nga Koperacioni Italian dhe buxheti i shtetit.

• Segmenti rrugor Fier-Vlorë, me gjatësi totale 34 km, me vlerë investimi 38 milionë Euro. Projekti i zbatimit ka nisur në shtator 2003 dhe do të përfundojë në shtator 2004. Punimet për ndërtimin e këtij segmenti synojmë të fillojnë në vitin 2005 dhe të përfundojnë në vitin 2007. Financimet janë nga BEI.

• Ndërtimi i segmentit Fier-Tepelenë, me gjatësi totale 82 km, me vlerë 65 milionë Euro. Projekti i zbatimit nis në nëntor 2003 dhe përfundon në nëntor 2004. Punimet e këtij segmenti synojnë të fillojnë në vitin 2005 për të përfunduar në vitin 2007. Financimet sigurohen nga BEI, BERZH dhe nga buxheti i shtetit.

• Segmenti Tepelenë-Gjirokastër, me gjatësi totale 23 km, me vlerë 20.5 milionë Euro. Projekti i zbatimit ka nisur në shkurt 2003 për të përfunduar në dhjetor 2003. Punimet e këtij segmenti synojnë të fillojnë në qershor 2004 për të përfunduar në dhjetor 2005. Finacimet mbështeten nga BEI, Komuniteti Europian dhe nga Qeveria e Shqipërisë.

• Segmenti Jergucat-Sarandë-Konispol, me gjatësi totale 63.5 km, me vlerë investimi 16.2 milionë Euro. Projekti i zbatimit do të nisë në nëntor 2003 dhe do të përfundojë në shtator 2004. Punimet për këtë segment synojnë të fillojnë në vitin 2005 për të përfunduar në vitin 2007. Për financimin për ndërtimin e tij jemi në bisedime me donatorë të ndryshëm.

• Segmenti Shkodër-Hani i Hotit. Është nënshkruar marrëveshja me Kooperacionin Italian për të financuar studimin e fizibilitetit dhe projektin e këtij seksioni rrugor me gjatësi 35 km. Në këtë seksion do të përfshihet edhe ndërtimi i Unazës së Shkodrës.

Pra siç vlerësohet, punimet për kompeltimin e aksit Veri-Jug, duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2007.

Në aksin Durrës-Kukës-Morinë, variantin më optimal të të cilit duam të miratojmë sot, si pjesë e strategjisë sonë kombëtare, vlen të theksohet fakti që vjen nga lidhja jo vetëm me zonën verilindore të vendit, por edhe me Korridoret Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, duke bërë njëkohësisht lidhjen dhe akomodimin e trafikut të të gjithë Shqipërisë, Kosovës dhe më tej në rajon.

Në strategjinë 2003-2005, në vlerësimin e Qeverisë, të një rëndësie të veçantë janë edhe përfundimi i akseve rrugore turistike dhe kufitare, ku më lejoni të cilësoj:

• Aksin rrugor Vlorë-Sarandë të ndarë në tre segmente:

1) Segmenti Vlorë-Orikum me gjatësi 18 km, dhe vlerë të përllogaritur 500 milionë lekë. Është realizuar këtë vit projekti i zbatimit.
2) Segmenti Orikum-Ura e Palasës, me gjatësi 32 km, me vlerë 787 milionë lekë. Në vitin 2001 nisi ndërtimi i këtij segmenti. Janë përfunduar 16 km nga Ura e Palasës deri në Pikën Turistike të Llogarasë. Për pjesën e mbetur punimet po vazhdojnë me financime të buxhetit të shtetit, sivjet dhe në vitin 2004.
3) Segmenti Ura e Palasës-Sarandë, me gjatësi 74 km, me vlerë 6 miliardë lekë. Kalon në zonën e fshatrave turistikë bregdetarë nga Palsa deri në hyrjen e qytetit të Sarandës. Studimi u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Rrugëve.

Me investime të buxhetit të shtetit më lejoni të theksoj edhe investimet në segmentet rrugorë që vijojnë:

• Shkodër-Muriqan, 300 milionë lekë
• Rruga e Divjakës, 130 milionë lekë
• Rruga e Velipojës, 600 milionë lekë
• Rruga e Semanit, 320 milionë lekë

Punimet e ndërtimit në këto segmente do të përfundojnë brenda vitit 2004.

Qeveria e Shqipërisë sapo ka miratuar segmentin e parë rrugor me konçesion Rrogozhinë-Tiranë-Thumanë, me gjatësi rreth 55 km, dhe me vlerë të përafërt 150 milionë Euro investim. Ne besojmë se ky projekt i rëndësishëm rrugor do të na japë, shpejt, të parën autostradë të përmasave europiane në territorin e Shqipërisë.

Në Strategjinë e Zhvillimit të Infrastrukturës Rrugore, Qeveria do të nxisë gjithashtu, përzgjedhë dhe paraqesë për konçesion segmente të tjerë që do të vlerësohen si fizibël dhe atraktivë për kapitalin e huaj dhe vendas, i cili ka filluar të ushtrojë trysni pozitive dhe ligjore për të kontribuar edhe në fushën e ndërtimit të infrastrukturës.

Duke përfunduar më lejoni të vlerësoj se infrastruktura moderne që na nevojitet, që po ndërtojmë dhe që po negociojmë për të përshpejtuar plotësimin e saj në tregun dhe territorin që lidh vendin me rajonin e më gjerë, nuk mund të kuptohej ndryshe veçse me këto ritme dhe me këto koncepte dhe instrumenta bashkëkohore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›