Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot, në mesditë, si i ftuar nderi, në një takim të zhvilluar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Hotel Sheraton. Në këtë takim merrnin pjesë edhe Zv/A
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot, në mesditë, si i ftuar nderi, në një takim të zhvilluar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Hotel Sheraton. Në këtë takim merrnin pjesë edhe Zv/Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri z. Steve Zade, Përfaqësuesi i FMN në Tiranë z. Jan Peter Olters, si dhe anëtarët presidencialë (biznesmenë anëtarë) të Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Kryeministri Fatos Nano në fillim të këtij aktiviteti u shpreh:
"Jam këtu për të bashkëbiseduar me anëtarët rezidencialë të Dhomës Amerikane të Tregtisë, si pjesë e partneritetit të qeverisë me sipërmarrjen dhe të kësaj tradite që po zhvillojmë sëbashku, për të verifikuar politikat ekonomike, sociale dhe kapacitetet administrative për këtë kuadër ligjor që po ndërtojmë, të cilat po e vënë ligjin dhe administratën publike më mirë në shërbimin e sipërmarrjes dhe po aktivizojmë një kontribut më të gjerë shoqëror se ai i politikës apo i qeverisë në procesin e hapjes së tregut dhe të kufijve pë t'u integruar në rajon dhe për të kapur standartet e botës euroatlantike në dobi të konsolidimit dhe të rritjes të aftësive tuaja konkuruese në një treg global.
Ne do të dëshironim të mos konkuronim me ju. Qeveria nuk është sipërmarrëse dhe nuk duhet të përfshihet në konflikte interesash që dobësojnë apo deformojnë konkurencën e tregut. Ne kemi tregun tonë ku duhet të konkurojmë, me partnerë, përfaqësues të organizatave dhe të vendeve lider të botës ku integrohemi, me standartet e funksionimit të institucioneve dhe të administrimit publik që ka bota moderne apo institucionet financiare të tregjeve globale. Natyrisht, konkurojmë edhe me qeveri apo administrata të tjera në rajon, duke shfaqur shpejtësi të ndryshme të integrimit, përafrimit dhe të suksesit të vendeve të ndryshme të Europës Juglindore në raport me NATO-n dhe BE.
Ne duam të jemi partner me ju në mënyrë që ju të përballoni dhe të fitoni në konkurencën me operatorët ekonomikë në rajon e më gjerë. Edhe ky takim është pjesë e këtij partneriteti. Duam të krijojmë sa më shumë garanci që lehtësojnë dhe mbështesin me mbrojtje ligjore, me politika stimuluese dhe natyrisht me më shumë mundësi për mbështetje financiare vendase dhe ndërkombëtare, sipërmarrjet tuaja, programet tuaja të biznesit dhe natyrisht transaksionet tuaja.
Gjithashtu, ne duam të konsolidojmë një profil ekonomik të vendit në integrim duke bashkëpunuar me ju, duam të kurojmë dobësitë e trashëguara apo defektet e politikave dhe të administrimit publik, të cilat shfaqen jo vetëm në raportet midis jush apo tuajat me sektorë të ndryshëm të administratës shtetërore që ofrojnë shërbime apo me administratën fiskale e doganore, por edhe me probleme e dobësi, mungesë kapacitetesh apo të një strukture ekonomike në zhvillim që shfaqet në kufirin e tregut, tashmë në ballafaqimin e tregjeve tona me tregjet fqinje, veçanërisht në kuadrin e nisjes së funksionimit të një numri marrëveshjesh të Tregtisë së Lirë dhe të shtimit të interesit dhe të inisiativave, kapitalit të huaj për të investuar drejtpërsëdrejti në Shqipëri.
Ne synojmë të ndajmë me ju çdo sekret, duke kërkuar të njëjtën gjë nga ju me bashkëveprimin për të kapërcyer të gjitha pengesat që përmenda më sipër. Ne nuk mund të ulim trysninë fiskale mbi ju, nëse nuk krijojmë një partneritet luajal me ju për të luftuar evazionin; nuk mund ta pakësojmë barrën fiskale nëse nuk e zgjerojmë atë. Ne duam të garantojmë pjesëmarrjen tuaj në inisiativa sipërmarrjeje që hyjnë në hapësirat e zhvillimeve prioritare, të Strategjisë Kombëtare që zbaton qeveria për integrim apo programet ndërkombëtare dhe marrëveshjet që nënshkruan qeveria me institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN, si dhe me organizata të tjera, banka të rëndësishme, publike apo private që bëjnë vlerësime për riskun.
Për ilustrim do të merrja dy indikatorët më stimulues të shfaqur kohët e fundit, siç është vlerësimi i tregut të bërë nga Raiffeisen Bank për të marrë vendimin e rëndësishëm për blerje jashtëzakonisht konkuruese për të gjitha rastet analoge në vendet e Europës Lindore, me një çmim tre herë më të lartë sesa vlera e inventarit të Bankës sonë të Kursimeve. Indikatori tjetër vjen nga një numër agjencish të garantimit të riskut të investimeve private të disa vendeve të industrializuara me të cilat ne punojmë, siç janë riklasifikimet e Shqipërisë apo tregut shqiptar, për më pak rrezik në investimet private nga agjencia e qeverisë së Belgjikës tek Exim Bank i SHBA apo SACE e Italisë.
Ka edhe një lajm tjetër të gëzueshëm. Disa ditë më parë Bordi i Drejtorëve të Koorporatës për Investime Private përtej detit të SHBA, OPIC, na ofroi me një vendim të veçantë një fond prej 350 milion USD për garantim të investimeve në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, sipas alfabetit, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, RepublikaÇeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Maqedonia, Polonia, Rumania, Sllovenia dhe Sllovakia, fatmirësisht edhe Kosova, ku shumë prej jush punojnë atje. Pra, standartet tona po avancojnë. Po kështu edhe standartet tuaja të sipërmarrjes dhe konkurimit.
Natyrisht, ka ende gjëra për të kuruar, për të ngritur në standartet e tregjeve globale, të NATO-s dhe BE. Do të doja që të vazhdonim këtë komunikim dhe partneritet, sepse jam shumë i ndjeshëm dhe i përgjegjshëm ndaj pengesave që ju sjell politika dhe konflikti politik. Politika shpesh është, në Shqipëri, po jo vetëm këtu, jo shumë e interferuar dhe për pasojë jo shumë e informuar për problemet reale që ndeshni ju në transaksionet tregtare apo financiare në treg. Politika ende nuk ka strukturuar rregulla standarte konkurimi ashtu siç detyroheni ju të përballoni në kufijtë e tregut. Nuk e kam fjalën vetëm për nevojën e perfeksionimit të legjislacionit dhe të administrimit të zgjedhjeve, por e kam fjalën për atë bezdi që, besoj, edhe ju ndjeni nga një fushatë elektorale e pandërprerë edhe midis zgjedhjeve.
Dua të vazhdoj të ndaj informacion dhe të marr informacion nga ju që të vazhdoj të jem më kërkues, më agresiv dhe më rezultativ në funksionin e drejtuesit të qeverisë, për të shkurtuar kohën dhe rrugën, që të kapim standarte dhe stabilizojmë institucionet, administratën dhe ligjin duke ju krijuar ju lehtësira për të mos paguar rryshfete që të përfitoni shërbime legale.
Unë e ndjek me shumë vëmendje ndeshjen e korrupsionit në Shqipëri dhe konsultimin e biznesit për treguesit e korrupsionit, që bëhet nga organizatat e specializuara të qeverisë dhe ato ndërkombëtare. Prandaj jam sinqerisht i angazhuar për të ndërhyrë me masa ekzekutive dhe ligjore, si dhe të denoncoj e të kërkoj bashkëpunimin e organeve të gjyqësorit për çdo rast që juve ju rrit koston e investimeve dhe ju ul marzhin e fitimit për shkak të marrëdhënieve klienteliste të imponuara apo të ndërtuara në mënyrë të privilegjuar në sektorë të tregut, ku nuk ka akses ende për të gjithë, për të cilat të jeni të sigurtë se edhe mua, qeverisë dhe vendit i kushtojnë jo më pak se ju. Kjo sepse rezultati është mungesa e besimit të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe agjencive të sigurimit të investimeve, të bankave, si dhe kompanive globale të investimve direkte që ka nevojë vendi për vazhdimin e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë dhe të kapitaleve, për kredibilitetin e tregut, të institucioneve dhe të sipërmarrjes në një proces hapjeje dhe integrimi.
Ju e dini se kapitalet janë frikacakët më të mëdhenj. Në 13 vjet tranzicion në Shqipëri, ka patur një kurajo të jashtëzakonshme sipërmarrëse, ka patur dështime dhe suksese unikale. Më në fund jemi në një situatë maturie, dimë me kë të flasim dhe ju keni përballë qeveri dhe institucione të qëndrueshme. Keni përkrah investitorë të huaj shumë seriozë dhe keni mundësi të konsultoheni me të njëjtët partnerë financiarë apo bankarë me të cilët punon qeveria.
Ne kemi ndërtuar tashmë një partneritet me organizatat përfaqësuese të sipërmarrësve vendas e të huaj. Dhomat e Tregtisë, përfshi dhe atë amerikane, si dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë e Shqipërisë, gjithnjë e më shumë po bëhen pjesëmarrëse aktive në politikat e zhvillimit të sektorit privat që ne zbatojmë, sepse kanë arritur të konsolidojnë statusin e tyre. Meqenëse vetë Dhomat po afrojmë më shumë shërbime dhe mundësi mbrojtje të inisiativave sipërmarrëse për vetë anëtarët e tyre dhe zëri i interpretit të interesave tuaja me qeverinë do të jenë duke u dëgjuar gjithnjë e më shumë.
Ne e konsiderojmë kontaktin me ju si zhvillimin e një procesi që pasohet me politika dhe me inisiativa të tjera ligjore. Pa marrë aspak një rol të bezdisshëm kujdestarie qeveria do të vazhdojë t'ju asistojë fuqizimin e mëtejshëm të institucioneve tuaja përfaqësuese të pavarura. Ne duam të konsolidojmë klimën pozitive për sipërmarrjen në Shqipëri, të nxisim investimet e huaja direkte në dobi të reformave strukturore, të transformimit të strukturës së ekonomisë, që do t'ju bëjë dhe juve më konkurues.
Ne synojmë të rrisim dhe të stimulojmë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht duke krijuar kuadrin dhe inisiativat për një sistem kreditimi më fleksibël që aplikon skema të reja dhe duke mbështetur një zhvillim ekonomik të balancuar midis rajoneve të vendit që e zgjeron tregun e brendshëm edhe për sipërmarrjet tuaja.
Ne synojmë të nxisim inisiativat tuaja për eksportet apo për zëvendësim importesh duke stimuluar dhe kredituar me politika dhe me financime, me programe bashkëpunimi me institucione financiare, zgjerimin apo orientimin më të saktë të ciklit të investimeve tuaja drejt produkteve dhe shërbimeve që pakësojnë importet apo zëvendësojnë larminë e importeve që sot derdhen në sektorë prioitarë dhe dinamikë të zhvillimit ekonomik, që nga agrosipërmarrja deri tek ndërtimi apo zhvillimi i turizmit të brendshëm dhe ndërkombëtar.
Ne kemi ndërtuar edhe institucione të posaçme për të punuar me ju, që mbështesin zhvillimin e biznesin, që janë Agjencia për Nxitjen e Investimeve të Huaja, ajo për Nxitjen e Eksporteve dhe Agjencia e Zhvillimit të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme.
Dua të ndaj me ju faktin se vlerësimi i FMN, BB, i organizatës së vendeve të industrializuara, i BERZH apo i BEI është inkurajues për progresin që po krijojmë. Është punuar shumë në vitet e fundit, veçanërisht për përshtatjen e standarteve dhe të politikave të sipërmarrjeve të vogla e të mesme me ato të BE. Në 2003 ne adoptuam Kartën Europiane të SME, zbatimi i së cilës është një nga detyrimet që kemi marrë përsipër edhe në kuadrin e marrëveshjeve që do të negociojmë me Komisionin Europian, në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Stimulimi dhe rritja e ndërmarrjeve të vogla e të mesme është një nga objektivat strategjikë të qeverisë për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike. Ministria e Ekonomisë ka nisur të monitorojë zbatimin e kësaj karte për 2004, me synim për të përmirësuar politikën, vizionin strategjik dhe të identifikojmë më saktë mundësitë që ka tregu ynë për të notifikuar dhe certifikuar parametrat që kemi negociuar me OBT dhe që për shkak të disiplinës së tregjeve globale mbarsen edhe në marrëveshjen dhe negociatat për asociim me BE.
Financimi i SME vjen kryesisht nga tre burime: mikrokreditë për biznese familjare, kryesisht nëpërmjet fondacioneve; kreditë për SME nëpërmjet sistemit formal bankar dhe bankës së investimeve. Këtu duhet të veçojmë kontributin e spikatur që jepet nga qeveria amerikane në financimin e sipërmarrjeve të vogla e të mesme me programet e USAID, i cili prej vitesh me projekte të veçanta financimi kontribuon sidomos për zhvillimin e bizneseve prodhuese, veçanërisht në agropërpunime. Ndërkaq është në rritje dhe kontributi i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve.
Ne do ta vazhdojmë punën për të zgjeruar dhe nxitur zgjerimin e rrjetit bankar në të gjithë vendin. Zgjerimi i rrjetit bankar në të gjithë vendin do të thotë dhe hapje e filialit të Bankës Amerikane-Shqiptare në Athinë. Ne po punojmë për zgjerimin e tregjeve dhe të flukseve financiare të biznesit shqiptar, sepse vetëm me këtë lloj sinergjie midis jush dhe nesh, midis nesh dhe institucioneve financiare e bankare vendase dhe të huaja mund të shoqërohet më mirë hapja e tregjeve dhe shndërrimi i ekonomisë shqiptare në pjesë aktive të ekonomisë globale.
Ne po punojmë në mënyrë të veçantë për të përmirësuar dhe konsoliduar imazhin e Shqipërisë si vend dhe si treg, me potenciale për investitorët globalë, duke respektuar dhe realizuar aksionet prioritare të reformave strukturore në ekonomi, të luftës kundër informalitetit, kontrabandës, evazionit, korrupsionit, për rritjen e nivelit të sigurisë për investimet nëpërmjet luftës kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar nga njëra anë dhe, në anën tjetër, nëpërmjet reformave, bashkëveprimit që forcon autoritetin e ligjit dhe efikasitetin e gjyqësorit po vazhdojmë të përmirësojmë dhe plotësojmë kuadrin ligjor dhe rregullator, që nxit investimet e huaja dhe ato private.
Synojmë dhe besoj se çdo vit ka progres në reduktimin gradual të ngarkesës fiskale për investimet e huaja sidomos. Ne po investojmë një pjesë të madhe të resurseve buxhetore dhe publike në përmirësimin e infrastrukturës publike dhe sociale, këtu kam parasysh investimet publike në energji, në transport, telekomunikacion dhe veçanërisht në arsimim, trajnim, në menaxhim, si dhe në shëndetin e popullsisë që lidhet ngushtë me investimin perspektiv afatmesëm dhe afatgjatë.
Për një periudhë afatmesme asetet më të rëndësishme që duhet vazhduar të aktivizohen për të rritur fluksin e investimeve të huaja në Shqipëri do të afrohen nga privatizimet strategjike në Telekom, në sektorin bankar, në sektorin e sigurimeve, në ndërmarrjen e naftës etj. Në sektorin e nxitjes së investimeve private, vendase dhe të huaja, përfshirja dhe stimulimi i sektorit privat në projekte të sektorit financiar, të infrastrukturës, të energjisë, shërbimeve publike, besoj se janë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme edhe për ju, projekte të mëdha të infrastrukturave apo të energjisë rajonale që nga Korridori 8, në të gjitha dimensionet e tij, jo vetëm rrugore por edhe hekurudhore e telekomunikative, apo projekti AMBO, i bashkëshoqëruar me investime për krijimin e parkut industrialo-energjitik të Vlorës, investimet në infrastrukturën e transportit ajror apo hekurudhor me pjesëmarrjen e kompanive të mëdha si Lockheed Martin apo General Electric.
Çdo kontakt që po konsolidohet, duke u bërë pjesë e axhendave të mia, të dialogut politik dhe të marrëdhënieve ndërshtetërore, me organizatat përfaqësuese të biznesit të madh të vendeve fqinje apo të vendeve të industrializuara me të cilët punojmë apo me komunitetin bankar, të aktorëve globalë,- jam i lumtur që për herë të parë do të kemi në Shqipëri gjatë këtij muaji zotin Merril, Presidentin e Exim Bank të SHBA, do të kemi zotin Hudson në qershor, si dhe përsëri në qershor zotin Granoff, me shkëmbim medaljesh reciproke në çeljen e Filialit të Bankës, me dekorime nga Presidenti të kreut të Fondit Amerikano-Shqiptar të Ndërmarrjeve.
Ne kemi edhe një program të posaçëm për të rritur kredibilitetin e bashkëpunimit me ju dhe të asistencës shtetërore për ju, duke e ngritur dhe vlerësuar me studime serioze, se kostot tuaja që shkaktohen nga burokracia dhe procedurat administrative janë shumë të larta shpesh edhe sesa detyrimet fiskale ndaj shtetit. Qeveria ka kërkuar asistencën e Shërbimit Konsullor Këshillimor për Investimet e Huaja, për t'i analizuar këto pengesa dhe për t'i mënjanuar. Ky studim ka analizuar sektorët më problematikë që edhe ju i konstatoni të tillë, d.m.th. doganat, tatimet, liçensimet, auditimin, si dhe problemet e tregut të tokës, apo të ndërtimit mbi të. Prandaj kemi hartuar planin e veprimeve me masat konkrete dhe me veprime, që po minimizojnë dhe do të vazhdojnë t'i marzhinalizojnë hapësirat që lejojnë abuzime, shkelje të ligjit apo të rregullave. Kam një nga ministrat më me përvojë që drejton këtë proces, Z.Angjeli, Ministrin e Ekonomisë, në bashkëpunim edhe me ministra të tjerë të Qeverisë që unë drejtoj.
Në mënyrë të veçantë po zbatojmë edhe një studim të realizuar në Këshillin Europës për sistemin e licensimeve në Shqipëri, për të standartizuar dhe lehtësuar procedurat e licensimit. Ne vendosëm të krijojmë më shumë transparencë të shërbimeve publike, administrative, që ofrojnë sipas ligjit institucionet qendrore dhe ato vendore dhe njëkohësisht të japim më shumë informacion dhe transparencë për programet dhe iniciativat e qeverisë që krijojnë oportunitete për ju.
Ne po përfundojmë përgatitjet për të çelur Zyrat e Informimit të Biznesit dhe me këtë hallkë do të zgjidhim të gjithë këtë problematikë që sapo përmendëm, transparencë për shërbimet dhe biznesin, lehtësimin e procedurave që ju të merrni informacion dhe strukturim real i bashkëveprimit me institucionet qendrore dhe vendore. Në lidhje me këto zyra sistemi i një dritareje po redukton abuzivizmin për shërbimet që ofrohen, po ulin koston dhe kohën e shërbimit për ju, dhe këto matësa janë të pazëvendësueshëm për të reduktuar korrupsionin.
Në mënyrë të veçantë, unë po studioj drejtpërdrejt nga zyra ime nevojën për të reduktuar një nga treguesit negativ, siç është numri i ditëve për të çelur një biznes të ri, 47, që na bën ende jo shumë kompetitivë edhe në programin amerikan të Llogarisë së Mijëvjeçarit. Unë besoj se edhe ju e vlerësoni si shfaqjen më tipike të partneritetit Qeveri-Biznes, Këshillin Konsultativ të Biznesit, sepse anëtarësia e tij dominohet prej jush, prej përfaqësuesve më në zë të komunitetit të sipërmarrjes vendase. Mua më duhet të vlerësoj gjithashtu faktin që Dhoma Amerikane e Tregtisë është gjithashtu anëtare aktive e kësaj tryeze dhe kontribuon realisht për të përmirësuar këtë bashkëpunim. Në lidhje me këtë strukturë këshillimore dua të vë në dukje faktin se çdo vit e më shumë po vilet nga trajtimi vetëm i akteve ligjore që krijojnë efekte për biznesin, pra për të kaluar në hartim dhe verifikim politikash sektoriale dhe atyre të zhvillimit që çelin perspektivën dhe jetojnë me plane biznesi më të qëndrueshme në kohë.
Do të përmendja edhe struktura të tjera ku kontributi është i pazëvendësueshëm, si Komisioni i Apelimit të Taksapaguesve, Grupi i Punës për Kontaktin e Investimeve, etj.
Të gjitha këto më ndihmojnë të jem më i qartë dhe më i vendosur edhe në një partneritet tjetër të rëndësishëm për të gjithë ne, partneritetin me NATO-n dhe me Bashkimin Europian. Ne kemi mbyllur me sukses pesë cikle të zbatimit të planeve të veprimit për anëtarësimin në NATO dhe në Uashington ndjeva një ndjenjë kënaqësie që flamuri ynë u ngrit bashkë me ato të vendeve që u pranuan në NATO, krahas me Maqedoninë dhe Kroacinë si kandidate të ardhshme për anëtarësim në Grupin e Adriatikut.
Ne kemi dinamizuar procesin e negociatave dhe monitorimin e kapaciteteve për realizimin e detyrimeve që negociohen dhe marrjen përsipër të Marrëveshjes për asociimin në BE. Të dyja axhendat, të dy proceset janë enë komunikuese me njëra-tjetrën, sepse progresi në axhendën e integrimit në NATO krijon më shumë kapacitete dhe siguri për progres në pjesën administrative, civile, ekonomike të funksionimit të demokracisë dhe të efikasistetit të sistemit në luftë kundër korrupsionit apo kriminalitetit, të domosdoshme për integrimin europian.
Ne duam të ndajmë informacionin me ju, për të kuptuar se një vend, një treg, një rajon që i afrohet NATO-s dhe BE-së, megjithëse me shpejtësi të ndryshme, jo vetëm ndaj njërës organizatë shumëpalëshe, por edhe midis vendeve të rajonit, krijon më shumë siguri për sipërmarrjen, krijon një klimë më të favorshme për investimin privat, krjon më shumë kredibilitet për investimin e huaj direkt, krijon në qoftë se më lejoni të hyj në gjuhën financiare më shumë kolateral për kredi dhe financime nga organizata ndërkombëtare bankare.
Pra ky proces zgjeron dhe përmirëson kualitetin e tregut, e bën më të qëndrueshme rritjen ekonomike të vendit dhe substancën e transaksioneve financiare dhe tregtare, e bën më të strukturuar procesin dhe politikat e ristrukturimit të ekonomisë në këtë drejtim, i sjell më shpejt sektorët e ri të tregut në planet tuaja të sipërmarrjes, e sjell më shpejt ekonominë e re në realitetet tuaja dhe tonat investuese dhe kualifikuese, pra investimin dhe kualifikimin, dy investime shumë komplementare në qoftë se do t'i thjeshtonim në profilin e sipërmarrjes dhe të qeverisë. Ju investoni në strukturën që krijon rritje ekonomike materiale, ne investojmë në kualitetin e resurseve që nga politikat deri tek ankimimi. Ne jemi enë komunikuese me njëra-tjetrën siç po bëhemi me tregjet rajonale dhe globale.
Mua më duhet të jem i vëmendshëm vazhdimisht, sa herë që ju kontraktoni me ndonjë nëpunës performant të administratës publike, për ta marrë në biznesin tuaj jo për rryshfete, dhe këtu "gllabëruesit" më miqësor janë organizatat e huaja që punojnë në Shqipëri. Dhe megjithatë pres kur për shkaqe të ndryshme ristrukturimesh edhe në gjirin tuaj unë mund të rikuperoj ndonjë "aset" të kualifikuar për administratën publike.
Ne na duhet të investojmë së bashku, nuk po flas për iniciativat sipërmarrëse private në arsim, por e kam fjalën për konsolidimin e kapaciteve dhe të flukseve fiskale. Pra e kam fjalën se ne na duhet të investojmë së bashku për arsimimin dhe rritjen e cilësisë së resurseve njerëzore. Unë po nxis qeverinë, maxhorancën, partneritetin me ju dhe shoqërinë civile dhe me partnerët ndërkombëtar për të bërë të mundur ndonjë ditë jo shumë të largët që të kemi një buxhet rezervë për arsimin, krahas kondicionaliteteve të hekurta që ka buxheti vjetor që ndahet në ¾ midis shpenzimeve korente dhe 25% për shpenzime kapitale.
Do të vazhdoj të kërkoj partneritet me ju për këto prioritete dhe do të jem edhe më shumë në kontakt me ju për të bërë ndëhyrje të shpejta në gjithçka që lidhet me administratën publike dhe qeverinë, që përshpejton, rrit shpejtësinë e flukseve të tjera komerciale dhe financiare".