E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë Nënsekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, njëkohësisht Administrator i asocuar i UNDP-së, z.Ze

Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë Nënsekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, njëkohësisht Administrator i asocuar i UNDP-së, z.Zephirin Diabre.
Kryeministri Nano, në fillim të këtij takimi, u shpreh se vlerësonte së tepërmi punën e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara dhe programin e saj në Tiranë, si dhe asistencën që është siguruar në fusha të ndryshme të bashkëpunimit si në zhvillimin ekonomiko-social, çështjet gjinore, ndërtimi i kapaciteteve qeverisëse, ashtu dhe programi i suksesshëm për mbledhjen e armëve, etj.
"Fusha të tjera ku ne e konsiderojmë si shumë të rëndësishme asistencën e organizatave të OKB-së janë mbështetja në reformën e decentralizimit dhe reforma në administratën civile, së bashku me projekte specifike që ndihmojnë në përmirësimin e ndihmës së administratës ekonomike si dhe në promovimin e investimeve direkte të huaja", tha zoti Nano.
Kryeministri tha se do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht së bashku për të përballuar sfidat që kemi përpara, nëpërmjet realizimit të reformave integruese, të cilat na përafrojnë me strukturat euroatlantike.
"Mbetem i angazhuar për të lehtësuar dhe stimuluar bashkëpunimin mes Agjencisë së Kombeve të Bashkuara në Tiranë dhe qeverisë që unë drejtoj në të gjitha iniciativat që ne së bashku kemi ndërmarrë", tha Kryeministri Nano.
Nga ana e tij, z.Diabre vuri në dukje ndryshimet edhe transformimet pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri dhe vlerësoi rolin e Kryeministrit dhe Qeverisë që ai drejton në këto ndryshime të dukshme.
"Duke parë angazhimin tuaj në përmbushjen e këtyre iniciativave, lidershipi juaj na inkurajon për më shumë ndihmë për Shqipërinë. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtësisht me ju", tha Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Diabre

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›