Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ambasadori italian në Tiranë, Attilio Massimo Iannucci, ministri i Transportit dhe Telekomunikacioneve, Spartak Poçi, përfaqësues të pushtetit lokal, etj
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ambasadori italian në Tiranë, Attilio Massimo Iannucci, ministri i Transportit dhe Telekomunikacioneve, Spartak Poçi, përfaqësues të pushtetit lokal, etj.
Në ceremoninë e inaugurimit Kryeministri Nano u shpreh:
"Të nderuar pjesëmarrës,
Inaugurimi i Mbikalimit të Dajlanit, është një ogur shumë i mirë të cilin e prisnim prej shumë kohësh (ndoshta që në periudhat kur Koloneli Tompson dha jeten e tij, pikërisht në këtë vend, për Europianizimin e Shqipërisë përkundrejt barbarisë regresiste); dhe ndjehem vërtet i kënaqur që mua m'u dha rasti ta bëj këtë përurim.
Eshtë një koinçidencë simbolike që dhe kjo nyjë mbikaluese – e para për llojin e vet në Shqipëri – këtu te "Ura e Dajlanit", të na ravijëzohet si një monument i europianizimit të sistemit tonë, të infrastrukturës sonë dhe të vizionit tonë largpamës. Them vizionit largpamës pasi me 4.3 milionë eurot, që ka kushtuar kjo vepër, shumë kujt mund t'i jetë dukur luks jo i domosdoshëm – gjë që nuk është fshehur deri pak kohë përpara fillimit të funksionimit të tij. Por sot që rradhët pa pafund e të palëvizëshme të automjeteve, nuk ekzistojnë më, në këtë pikë tradicionalisht të nxehtë, sot që mbikalimi i automjeteve realizohet në mënyrë aq komode, gjithkush e kupton se vetëm zgjidhjet afatgjata, sikurse dhe zgjidhjet që ofron qeverisja jonë, janë ato mund të prodhojnë produkte të nivelit bashkëkohor.
Mbikalimi i Dajlanit, është pjesë e seksionit rrugor Sukth-Durrës me gjatësi 8.7 km, pra të pjesës së fundit të autostradës Tiranë-Durrës. Këtu fillon korridori, deri dje fantazmagorik, i ashtuquajtur "I TETE" (do të thoja "I Teti në Beton"), këtu fillon dhe bashkimi ynë fizik me Europën Perëndimore, e zë fill dhe shtrirja e arterieve drejt fqinjëve tanë lindorë, por gjithashtu këtu stacionohet edhe njëri ndër momentet më domethënës të pikëpjekjes sonë me Kosovën.
Kjo nyjë e rëndësishme që po inaugurojmë sot përshpejton shndërrimin e Durrësit nga një Liman Nacional në një Port Ndërkombëtar dhe shënon kështu një standart të ri detyrues; ndërkohë që nga ana praktike, parë në kuadrin e implementimit të Masterplanit Kombëtar Rrugor, disiplinon ndërveprimin e ardhshëm të Korridorit Lindje-Perëndim, me atë Veri-Jug.
Hap pas hapi, rrugë pas rruge, dhe nyjë pas nyjeje, ne po realizojmë programin e madh të unifikimit të sistemit ekzistues rrugor, i cili, i fragmentuar siç ende paraqitet, nuk mund të realizonte plotësisht funksionet e tij. Duke mos hequr dorë nga implementimi i shtrirjes territoriale të programuar të rrjetit autostradal, po punojmë njëkohësisht edhe për plotësimin e këtyre difekteve, apo anashkalimeve, të cilat nuk kanë bërë të mundur kontinuitetin rrugor të këtij rrjeti.
Do të doja të theksoja se vetëm përballë zgjidhjesh të tilla inxhinjerike, në përputhje me standartet tekniko-ligjore të Komunitetit Europian, tashmë pjesë e realitetit dhe vendimmarrjes tonë, kuptojmë rëndësinë që kanë për ne shpejtimi i reformave të integrimit në të gjitha aspektet, e në rastin konkret përballjen me sfidat e integrimit normativ me Europën e Bashkuar, me Eurokodet në ndërtim dhe standartet programuese të Organizimit Territorial.
Ta gëzojme pra këtë vepër, e cila në simbiozë me Portin, paraqitet si element i rëndësishëm koagulues i nje sërë interesash vitale kombëtare, rajonale dhe globale."ë angazhimet tuaja!"