Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë, Mustafa Xhani, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal, etj. Për ndërtimin e Spitalit Kirurgjikal të Durrësit u shpenzu
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë, Mustafa Xhani, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal, etj.
Për ndërtimin e Spitalit Kirurgjikal të Durrësit u shpenzuan 8.8 minionë dollarë, financim i përbashkët i Qeverisë Shqiptare, Fondit Opec dhe Bankës Islamike për Zhvillim. Ky spital, i standarteve bashkëkohore, përmban shërbimin e kirurgjisë me pesë salla operacioni, reanimacion polivalent, urgjencën, laboratorët, imazherinë, sterilizim, si dhe kuzhinë-lavanteri, pjesën elektromekanike, të gjitha teknologji e viteve të fundit.
Kryeministri Nano vizitoi mjediset e spitalit. Në ceremoninë e inaugurimit z. Nano u shpreh:
"Të nderuar pjesëmarrës!
Një javë më parë inauguruam fillimin e punimeve të klinikes maxillo-faciale në Tiranë me një finacim prej 5 milion Euro nga qeveria franceze. Jo më larg se dje, nga bashkëpunimi i shkëlqyer që kemi me qeverinë italiane u miratua dhe do të nisë financimi i spitalit të ri të Elbasanit, me 3.2 milionë Euro. Për këtë arësye kam një kënaqësi të veçantë që jam këtu mes jush sot, për të përuruar Spitalin Kirurgjikal të Durrësit, dhe nuk mungoj të them se kjo vepër është mjaft e rëndësishme për Prefekturën e Durrësit dhe të Shëndetësisë Shqiptare në tërësi.
Sot është dita e shumëpritur, kur mjekët durrsakë mund të fillojnë punën në këto ambjente moderne, ku qytetarët do të trajtohen me një kualitet bashkëkohor, do të mjekohen dhe do të shërohen. Ne kemi fituar një spital të ri modern të standarteve perëndimore, por gjithashtu edhe urimet e qytetarëve, jo vetëm të Durrësit, që prej vitesh i kanë kërkuar këto shërbime edhe jashtë Shqiperisë, duke rënduar ekonomitë e tyre familjare. Njëkohësisht, ne fituam edhe besimin e donatorëve tek serioziteti i qeverisjes tonë, tek profesionalizmi dhe këmbëngulja në arritjen e objektivave programore të Qeverisë që e kanë vendosur sektorin e shëndetësisë në majën e prioriteteve të Strategjisë së Zhvillimit Kombëtar.
Opinioni i dy financuesve për ndërtimin e këtij spitali modern; OPEC dhe Banka Islamike, të cilët dua t'i falenderoj për kontributin e tyre, pësoi një metamorfozë graduale nga dyshimi tek besimi dhe aktualisht bindja tek aftësitë e strukturave tona menaxhuese dhe partneriteti serioz i Qeverisë Shqiptare. Rezultat i këtij progresi, është dhe suksesi i negociatave drejt një projekti- shtesë për përfundimin e masterplanit të kompleksit spitalor të Durrësit, me një fond prej 4 milionë USD, nga po të njëjtët donatorë.
Qeveria po angazhohet me sukses, për të adresuar edhe problemet aktuale të shërbimit shëndetësor në qytetin e Kavajës, po me donator Bankën Islamike, dhe rezultatet nuk do të vonojnë. Kur kapërcehet kriza e besimit midis partnerëve, gjithçka është më e lehtë. Jemi duke negociuar një investim prej 8 milionë dollarësh që synon përmirësimin radikal të shërbimit shëndetësor në Kavajë.
Kryeministri Fatos Nano merr pjesë në inaugurimin e Spitalit Kirurgjikal të Durrësit
Unë besoj se Spitali Kirurgjikal i Durrësit, do të shërbejë jo vetëm si një qendër e rëndësishme kurimi për pacientët, por në një të ardhme të afërt, ai të kthehet në një qendër të rëndësishme Universitare për Fakultetin e Mjekësisë. Nuk e teproj aspak të them se ky Spital do të shërbejë si shembulli dhe fytyra e ardhme europiane e spitaleve shqiptare.
Kushtet e krijuara në këtë spital, fryt i bashkëpunimit të donatorëve dhe buxhetit të shtetit, do të ishin dinjitoze për çdo qytetar Europian. Është detyra juaj, t'i jepni jetë e gjallëri këtyre korridoreve e aparaturave, për t'i dhënë jetë dhe shëndet qytetarëve tanë. Autoritetet kompetente lokale dhe Ministria e Shëndetësisë, do të vazhdojnë këtë punë të nisur për zbatimin e reformës përmes projekteve pilot, si ai për sigurimet shëndetësore në Spitalin e Durrësit, duke përputhur gjithnjë e më shumë disponimin e aparaturave moderne dhe përgatitjes së vazhdueshme të stafit me menaxhimin modern e bashkëkohor të këtij shërbimi jetik për qytetarët.
Zbatimi i përpiktë i programeve dhe ambicjeve që Qeveria jonë ka projektuar dhe po projekton për Durrësin, dhe jo vetëm për Durrësin, në të gjitha aspektet, po e kthen këtë qytet në një metropol modern me parametra bashkëkohorë. Edhe përfundimi i mbikalimit te Ura e Daljanit që përuruam përpara se të vija këtu e dëshmon më së miri këtë gjë. Ne e kemi ndërmarrë këtë sfidë dhe kemi besim të plotë në realizimin gradual të saj.
Ju uroj shëndet e suksese!