Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u zhvillua sot pasdite mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, me tematikë "Për rritjen e pensioneve të të gjitha kategorive të përfituesve, n
Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u zhvillua sot pasdite mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, me tematikë "Për rritjen e pensioneve të të gjitha kategorive të përfituesve, ngushtimin e diferencës së pensioneve të fshatit me kategoritë e tjera, si dhe për miratimin e strategjisë kombëtare të energjisë dhe thellimin e reformës në këtë sektor e në të gjithë gjerësinë e kësaj fushe".
Në këtë mbledhje Këshilli i Ministrave miratoi keto projektligje të rëndësishëm:
U miratua projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, "Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre"".
Periudha katër-vjeçare e zbatimit në praktikë të Ligjit Nr.8450, datë 24.2.1999, "Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre" ka evidentuar edhe disa mangësi në përmbajtjen e tij, që janë rezultat i shkallës së njohjes në kohën e hartimit dhe miratimit të ligjit në fjalë. Për pasojë, aktualisht, është bërë e domosdoshme ndërhyrja në ligj, për të bërë disa ndryshime dhe shtesa, të cilat do të ndikojnë në vënien nën kontroll më të plotë ligjor të veprimtarisë së përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
Ndryshimet dhe shtesat që propozohen për t'u miratuar në këtë projektligj, kanë të bëjnë me saktësime në disa nga nenet ekzistuese, si dhe plotësime e shtesa për një pjesë të ligjit, në të cilat nga praktika e deritanishme janë konstatuar mungesa ose për më tepër ka mangësi të tilla që nuk lejojnë implementimin e plotë të ligjit si në rastin e impianteve të përpunimit të disa prej nënprodukteve të naftës dhe gazit, në krijimin e një sigurie ligjore për përmbushjen dhe tregëtimin e bombolave të gazit të lëngshëm, etj. Gjithashtu, në përgjigje të mangësive të vërejtura në funksionimin e këtyre shoqërive, si dhe teknologjisë specifike dhe delikate që ato përdorin për funksionimin e këtij tregu është saktësuar domosdoshmëria e drejtuesit teknik, si dhe praktika e liçencimit të tyre në këtë fushë.
Plotësime janë bërë edhe në nenin që trajton sanksionet, ku jo vetëm janë përfshirë klauzola që kanë të bëjnë me respektimin e masave të sigurisë në tregtimin e gazit të lëngshëm nga shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe ato të pakicës, por në veçanti janë trajtuar masat që lidhen me mundësinë e ushtrimit real të autoritetit të ligjit prej organeve që janë ngarkuar për ta administruar atë.
U miratua projektligji "Për përdorimin civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë".
Përdorimi i lëndëve plasëse në vendin tonë mbulon disa fusha të aktivitetit civil, si miniera, naftë, ndërtim. Kuadri ligjor për këto lëndë, me qëllim që të sigurohet jeta e njerëzve gjatë prodhimit, ruajtjes dhe transportimit dhe asgjësimit të tyre, ka boshllëqe.
Sipas Direktivës së Këshillit Ekonomik Europian, (93/15 EEC) të datës 5 Prill 1993, të detyrueshme për të gjitha vendet anëtare të BE-së, materialet plasëse lejohen për përdorime civile, vetëm atëherë kur ato kanë kaluar me sukses një seri kontrollesh nga organe të specializuara. Direktivat synojnë: harmonizimin nga ana e të gjitha shteteve të dispozitave që lidhen me vendosjen në treg dhe mbikëqyrjen e materialeve plasëse për përdorime civile.
Liberalizimi i prodhimit dhe i tregut të materialeve plasëse kërkon përshtatje të legjislacionit, organizim dhe infrastrukturë të re të bazuara ne direktivat e KE, të cilat sigurojnë evidentimin e saktë të sasive të prodhuara e të importuara në cilësinë e kërkuar, lëvizjen e lirë të tyre brenda vendit dhe përdorimin e sigurtë të tyre sipas rekomandimeve të prodhuesit me dokumentacionin e detyrueshëm që shoqëron ato. Përsa më sipër, duke qenë se legjislacioni në fuqi është i pamjaftueshëm për një rregullim të tillë, u bë i domosdoshëm hartimi i këtij projektligji.
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 "Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë" (i ndryshuar).
Projektligji që paraqitet për shqyrtim realizon disa shtesa e ndryshime në ligjin në fjalë duke krijuar hapësirat e nevojshme ligjore për kalimin e shërbimit të mbledhjes së kontributeve për sigurimet shoqërore nga Instituti i Sigurime Shoqërore në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Realizimi i shërbimit të mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore nga organet Tatimore është një eksperiencë e shumë vendeve të Europës të cilat kanë të organizuar sisteme të sigurimeve shoqërore kontributive. Gjithashtu, nëpërmjet këtyre organeve realizohet edhe mbledhja e kontributeve për sigurimet shëndetësore.
Kalimi i shërbimit të mbledhjes së kontributeve në organet e tatimeve pritet të ketë këto efekte pozitive:
1) do të eleminojë dublimet e konstatuara në kontrollin e subjekteve
2) do të krijojë mundësinë për regjistrimin e tatimpaguesve e kontribut-paguesve në të njëjtin sistem të integruar, me një numër të vetëm identifikimi
3) do të krijojë mundësinë për përmirësimin dhe fuqizimin e infrastrukturës së mbledhjes së detyrimeve të shtetit, duke krijuar ambjentin e përshtatshëm për reduktimin e evazioneve, monitorimin dhe mbledhjen e borxheve dhe për të vlerësuar realisht pozitat ekonomike të bizneseve
4) do të sigurojë një shërbim më të mirë për biznesin
5) do të sigurojë informacionin e nevojshëm të historikut të kontributeve për çdo kontribut-pagues dhe informacionin e nevojshëm statistikor e kontabël.
Kalimi i mbledhjes së kontributeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kërkon përmirësime të neneve të veçanta të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, apo dhe riformulime.
U miratua projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Universale mbi të Drejtën e Autorit dhe protokollet e saj shtesë".
Ky projektligj merr rëndësi të madhe dhe shënon një hap pozitiv në plotësimin e kuadrit ligjor, duke siguruar edhe përafrimin sa më të shpejtë të vendit tonë me legjislacionin europian në këtë drejtim.
Duke qenë në harmoni dhe me programin analitik të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pjesë integrale e programit të Qeverisë për vitet 2003-2005, si dhe duke synuar përmirësimin e legjislacionit tonë që mbron të drejtat e autorit për veprat letrare, shkencore dhe artistike, aderimi i Shqipërisë në këtë Konventë do të ndihmonte shumë edhe në hartimin e projektligjit të ri "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat fqinje" për të cilin është duke u punuar intensivisht.
U miratua projektligji "Për ratifikimin e memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për drejtimin e stërvitjeve ushtarake e të trajnimeve dhe për dispozitat e mbështetjes së vendit pritës".
Memorandumi ka si qëllim të përcaktojë përgjegjësitë dhe parimet e përgjithshme që lidhen me drejtimin e stërvitjeve dhe trajnimeve si dhe dispozitat e mbeshtetjes së vendit pritës.
Këshilli i Ministrave miratoi keto vendime
Këshilli i Ministrave miratoi sot në mbledhjen e tij të radhës nje numer vendime të rëndësishme të karakterit social-ekonomik
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për rritjen e pensioneve".
Vendimi "Për rritjen e pensioneve" mbështetet në politikat e qeverisë në fushën e sigurimeve shoqërore për vitin 2003, të miratuara në ligjin për buxhetin e shtetit për vitin 2003 dhe në nenin 88, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë".
Me këtë vendim, pensionet e pleqërisë, pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit, pensionet familjare, pensionet për merita të veçanta, pensionet dhe shtesat mbi pension të posaçëm shtetëror, pensionet për vjetërsi shërbimi, të caktuara sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 dhe ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet Shoqërore" do të rriten në masën 10 përqind. Së bashku me pensionet rriten edhe shtesat mbi pension, të caktuara sipas neneve 33 dhe 38 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993.
Pas kësaj, rritje pensioni i plotë minimal i pleqërisë nuk mund të jetë më pak se 6 728 lekë në muaj. Në zbatim të pikës 4 të nenit 32 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë", pensioni maksimal nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i pensionit bazë ose jo më shumë se 13 455 lekë në muaj.
Edhe pas kësaj rritjeje pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave si 150 lekë në muaj si kompesim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompesim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjestar të familjes që është në vartësi ekonomike, etj.
Mbështetur në dispozitat që rregullojnë statuset e veçanta, ku parashikohet që sa herë indeksohen pensionet, indeksohen dhe përfitimet që rrjedhin prej tyre, në projektvendim është parashikuar të rriten në masën 10 përqind edhe shtesat mujore që marrin invalidët e luftës, pensionet edhe shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, pensionet e caktuara sipas Dekretit "Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut".
Duke u nisur nga strategjia për ngushtimin e diferencës midis masës së pensioneve të fshatit me ato të qytetit, në vendim është parashikuar që të gjithë pensionet e fshatit, të cilat janë caktuar sipas ligjit nr.4976 datë 29.6.1972 "Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore dhe ato të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96 të ligjit "Për Sigurimet Shoqërore", të rriten në masën 20 përqind. Pas kësaj rritje pensionet e plota minimale të fshatit nuk mund të jenë më të ulëta se 2 590 lekë në muaj. Përveç pensionit, kjo kategori pensionistësh, kur banon në fshat, merr çdo muaj një kompesim për rritjen e çmimit të energjisë prej 200 lekë. Të gjithë pensionistët që marrin pension fshati, kur banojnë në qytete, përveç pensionit mujor do të vazhdojnë të marrin kompesim për liberalizimin e çmimit të ushqimeve 494 lekë në muaj, kompesim për rritjen e çmimit të energjisë prej 350 lekë në muaj dhe kompesim për personat në varësi ekonomike të tyre, deri në 414 lekë në muaj për çdo person.
Nga rritja e pensioneve me këtë vendim do të përfitojnë 555 mijë pensionistë, prej të cilëve 185 mijë janë pensionistë që marrin pensione fshati.
Në këtë vendim nuk është parashikuar të rritet masa e shpërblimit mujor që u është akorduar veteranëve të luftës, pasi kjo bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.
Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi llogariten në shumën prej 1 659 milionë lekë dhe përballohen nga fondet e planifikuara në buxhetin e sigurimeve shoqërore për vitin 2003.
Ky vendim parashikohet të shtrijë efektet financiare nga data 1.7.2003 konform përcaktimeve në programin ekonomik të Qeverisë për vitin 2003 dhe përcaktimeve në ligjin e buxhetit të shtetit për vitin 2003.
U miratua vendimi "Për rritjen e pensioneve suplementare të ushtarakëve dhe të pensioneve dhënë familjeve të pilotëve të rënë në krye të detyrës".
Vendimi mbështetet në nenin 13 të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 "Për Sigurimin Shtetëror Suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror" (i ndryshuar) dhe nenin 1 të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999 "Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit".
Sipas këtyre dispozitave, Këshilli i Ministrave rrit në një masë të caktuar përfitimet suplementare të ushtarakëve dhe pensionet familjare, të familjeve në ngarkim të pilotëve që kanë humbur jetën, sa herë që rriten dhe pensionet e tjera.
Në vendim parashikohet një rritje prej 10 përqind e pensioneve suplementare të ushtarakëve dhe e pensioneve familjare të familjeve të pilotëve, të cilat kanë një datë fillimi pensioni deri më 30.6.2003, përfshirë edhe këtë datë.
Efektet financiare për rritjen e përfitimeve suplementare të ushtarakëve dhe e pensioneve familjare të familjeve të pilotëve, llogariten në shumën prej 98.7 milionë lekë. Ky efekt financiar është parashikuar në buxhetin e sigurimit suplementar të ushtarakëve për vitin 2003.
U miratua vendimi "Për rritjen e shtesave mujore të pensioneve të invaliditetit, dhënë sipas vendimit nr.381, datë 20.5.1996, të Këshillit të Ministrave, "Për zbatimin e ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, "Për statusin e invalidit"".
Vendimi parashikon rritjen 10 përqind të shtesës që disa kategori të invalidëve të punës marrin në bazë të VKM nr.381, datë 20.5.1996, i cili ka caktuar shtesën mbi pensionin e invaliditetit për invalidët e punës që kanë qenë të punësuar në ndërmarrjet e institucionet shtetërore dhe kooperativat bujqësore, dhe janë me sëmundje profesionale ose të aksidentuar në punë.
Kjo shtesë u rrit në masën 15 %, me VKM nr.385, datë 14.7.2000, ndërsa në vitin 2001 dhe vitin 2002 nuk është rritur.
Aktualisht, sipas grupimeve të invalidëve shtesa është:
- Për invalidët që kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme të një pensioni tjetër 1955 lekë në muaj
- Për invalidët që janë plotësisht të paaftë për punë 1725 lekë në muaj
- Për invalidët që janë pjesërisht të paaftë për punë 1495 lekë në muaj
Këtë shtesë e përfitojnë 3918 invalidë.
Vendimi parashikon që të rritet 10 % shtesa e mësipërme duke filluar nga data 1 korrik 2003.
Efekti financiar për vitin 2003 është rreth 5 milionë lekë dhe parashikohet të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
U miratua vendimi "Për disa ndryshime në vendimin nr.402, datë 11.6.2001, të Këshillit të Ministrave, "Për disa çështje në zbatim të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, "Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të ligjit nr.7870, datë 13.10.1994, "Për Sigurimet Shëndetësore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar".
Me qëllim që të realizohet zbatimi ligjor i politikave të qeverisë në fushën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2003, në këtë vendim parashikohet rritja e përfitimeve bazë për pensionet e qytetit në masën 10%, për fshatin në masën 20%, duke filluar mga data 1.7.2003, ndërkohë, për balancimin e kostos që rrjedh nga rritja e përfitimeve, parashikohet edhe rritja e pagës minimale për efekt të pagimit të kontributeve me 10%, duke filluar nga data 1.7.2003.
Mbi këtë bazë, në vendim është parashikuar që duke filluar nga data 1.7.2003 e në vazhdim paga minimale mujore, për efekt të pagimit të kontributeve nga 9 403 lekë, të jetë 10 343 lekë, ndërsa kontributi minimal mujor nga 3 940 lekë, bëhet 4 334 lekë.
Si pasojë e rritjes së pagës minimale me 10%, duke filluar nga data 1.7.2003, kontributi minimal mujor sipas degëve të sigurimit rezulton;
Kontributi në lekë ishte bëhet
Dega e sëmundjeve 75 83
Dega e barë lindje 216 238
Dega e pensioneve 2812 3093
Dega e aksidenteve 47 52
Dega e papunësisë 470 517
Sigurimet shëndetësore 320 351
Shuma e kontributit 3940 4334
Gjithashtu në këtë vendim parashikohet që pensioni bazë i qytetit duke filluar nga data 1.7.2003 e në vazhdim bëhet 6 728 lekë në muaj nga 6 116 lekë në muaj që ishte para kësaj datë, duke u rritur 10%, ndërsa pensioni bazë i fshatit bëhet 2590 lekë në muaj nga 2158 lekë në muaj që ishte para kësaj date, duke u rritur 20%.
Vendimi parashikohet të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare ndërsa efektet financiare hyjnë në fuqi që nga data 1.7.2003.
U miratua vendimi "Për një ndryshim në vendimin nr.551, datë 7.11.2002, të Këshillit të Ministrave, "Për klasifikimin e funksioneve dhe grupimin e njësive të qeverisjes vendore, për efekt page, e për caktimin e kufijve të pagave të punonjësve të organeve të qeverisjes vendore".
Në vendimin nr.551, datë 7.11.2002, të Këshillit të Ministrave, "Për klasifikimin e funksioneve dhe grupimin e njësive të qeverisjes vendore për efekt page, e për caktimin e kufijve të pagave të punonjësve të organeve të qeverisjes vendore", gjatë përgatitjes së tij ka kaluar një gabim teknik, për riparimin e të cilit është e nevojshme që në nëntitullin "Klasa e II-të" para fjalëve "drejtor drejtorie" të shtohet klasifikimi "II-b".
Për këtë ndreqje gabimi është përgatitur vendimi i miratuar sot.
U miratua vendimi "Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë, deri në vitin 2015".
Strategjia e zhvillimit të sektorit energjitik është një dokument që analizon dhe rekomandon ndryshimet që duhet të ndodhin për të ardhmen në sektorin e energjisë në Republikën e Shqipërisë. Në të janë analizuar dhe përfshirë të gjitha ndryshimet e nevojshme që duhet të ndodhin për të rritur sigurinë e furnizimit me burime energjitike, optimizimin e burimeve për mbulimin e nevojave me qëllim bazë zhvillimin e qëndrueshëm të mbarë ekonomisë për të ardhmen.
Kjo strategji trajton tre çështje kryesore:
1) situatën e furnizim-kërkesës së energjisë deri në vitin 2015
2) strukturën ndërinstitucionale të sektorit të energjisë
3) identifikimin e paketës financiare dhe të skedulit kohor për implementimin e secilës masë, në bazë të rekomandimeve të rezultuara nga Strategjia Kombëtare e Energjisë
Qëllimi i kësaj strategjie është zhvillimi i një sektori energjitik efektiv që garanton sigurinë e furnizimit me burime energjitike në përgjithësi dhe atë elektrike në veçanti, si dhe nxit përdorimin efiçent, ekonomik dhe me ndikim minimal në mjedis, në mënyrë të tillë që sektori energjitik të jetë një sektor mbështetës për një zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë sektorëve ekonomikë.
Objektivi primar i Strategjisë Kombëtare të Energjisë është ristrukturimi i sektorit energjitik bazuar në parimet e ekonomisë së tregut dhe në zhvillimin e një politike bashkëkohore energjitike.
Objektiva specifikë të Strategjisë janë:
1. Krijimi i një sektori energjitik të aftë si nga ana financiare ashtu edhe nga ajo teknike
2. Krijimi i një kuadri efektiv institucional dhe rregullator
3. Rritja e sigurisë dhe besueshmërisë në furnizimin me energji në përgjithësi dhe energji elektrike në veçanti në nivel kombëtar dhe rajonal
4. Rritja e efiçiencës së energjisë si gjatë prodhimit ashtu edhe përdorimit të burimeve energjitike me synim ndotjen minimale të mjedisit
5. Optimizimi i sistemit të furnizimit me burime energjitike duke u mbështetur në konceptin e planifikimit me kosto të ulët dhe ndikim minimal në mjedis
6. Ristrukturimin e plotë të kompanive të energjisë
7. Rritjen e ndjeshme të investimeve në sektorin e energjisë nëpërmjet nxitjes së kapitalit nga institucionet financiare ndërkombëtare si dhe kapitalit privat
8. Krijimin e një tregu elektrik konkurues bazuar në kërkesat e Bashkimit Europian për reformimin e sektorit elektroenergjitik (Direktiva 96/92 EU) dhe detyrat e Shqipërisë në kuadrin e Marrëveshjes së Athinës (15 nëntor 2002), për integrimin e sektorit elektroenergjitik shqiptar në Tregun Rajonal Energjitik të Europës Juglindore dhe interkonjuksionin me rrjetin e UCTE-së.
U miratua edhe vendimi "për disa shtesa në vendimin nr. 116, datë 18.3.1999, të Këshillit të Ministrave, "Për rezervën e sigurisë së naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre".
Nisur nga eksperienca e deritanishme e zbatimit të ligjit, si dhe bazuar në artikullin 4 të Direktivës së Këshillit të Bashkimit Europian 98/93/EC dt. 14.12.1998 për detyrimin në mbajtjen e rezervave minimale të naftës dhe nënprodukteve të saj, vlerësohet se mospërfshirja e benzinës së mjeteve të fluturimit ajror dhe lendëve djegëse për këto mjete (kerozen), përbën një boshllëk, i cili në kushtet emergjente të krizave të ndryshme rajonale mund të krijojë situata të vështira lidhur me plotësimin e kërkesave në tregun e brendshëm dhe me pasoja ekonomike dhe politike për vendin. Për këtë arsye nëpërmjet dispozitave të këtij vendimi u miratua përfshirja e këtyre nënprodukteve të naftës në kategoritë për të cilat subjektet duhet të mbajnë rezervë sigurie.
Duke u mbështetur edhe në eksperiencën e vendeve përreth, të cilët operojnë sipas praktikave të Komunitetit Europian në këtë fushë, nëpërmjet këtij vendimi u miratua që rezerva e sigurisë të mbahet në depozita, të cilat do të konsiderohen si magazina doganore.
Në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për "Miratimin e rregullave teknike, në zbatim të udhëzimeve nr. 90/396/EEC dhe nr.93/68/EEC, të Bashkimit Europian, për futjen në treg, qarkullimin e lirë dhe vërtetimin e konformitetit të pajisjeve, që punojnë me lëndë djegëse të gazta"
Objektivin kryesor të këtij vendimi e përbën përmirësimi i nivelit të sigurisë. Në kërkesat thelbësore përcaktohet që pajisja e futur në treg duhet të jetë e pajisur me udhëzimet teknike të hartuara për instaluesin; udhëzimet për përdorimin dhe mirëmbajtjen e përgatitur për përdoruesin; me paralajmërimet e rastit si mbi pajisjet ashtu edhe mbi ambalazh.
Në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për "Miratimin, në parim, të marrëshjes finaciare, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe mediocredito centrale, s.p.a, Italy, për programin e ristrukturimit teknik dhe menaxhues të KESH, sha-së, dhe fuqizimin e sistemit elektrik shqiptar"
Me ligjin nr.9045, datë 3.4.2003 është ratifikuar "Marrëshja financiare, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe mediocredito centrale, s.p.a,Italy, për programin e ristrukturimit teknik dhe menaxhues te KESH, sha-së, dhe fuqizimin e sistemit elektrik shqiptar".
Programi ka si objektiv që nëpërmjet përmirësimit të sigurisë dhe të efiçensës së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve, të përmirësiojë nivelin e jetesës së popullsisë dhe të plotësojë kërkesat në rritje për energji elekrike të sektorit prodhues, me qëllim mbështetjen e biznesit dhe rritjen e investitorëve privatë.
Në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për "Inspektimin e punës detare"
Ky vendim parashikon inspektimin e kushteve të punës së personave të punësuar, në çdo detyrë, në anijet detare, inspektimi do të bëhet në anijet, rimorkiatorët e detit dhe anijet e peshkimit, të regjistruara në territorin e Republikës së Shqipërisë si person, fizik a juridik, vendas a i huaj, që ka si qëllim transportin e pasagjerëve e të mallrave apo qëllimet tregtare, bëjnë përjashtim anijet platforma shpimi ose shfrytëzimi, kur nuk përdoren për lundrim.
Në mbledhejn e qeverisë u miratua vendimi për "një shtesë në vendimin nr.775, datë 28.10.1996, të Këshillit të Ministrave, "Për krijimin e Këshillit Kombëtar të Ujit"
Krijimi i Këshillit Kombëtar të ujit mbështet në ligjin nr.8093 datë 21.03.1996. Ky Këshill është organi më i lartë në administrimin e rezervave ujore në Republikën e Shqipërisë, si dhe ka përgjegjësinë e vendimarrjes për administrimin e rezervave ujore, përcaktohet masa e shpërblimit në shumën 20 000 (njëzetëmijë) lekë për çdo pjesëmarrje në mbledhje.
Në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për "Shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimi i ujësjellësit, në Qytetin e Korçës"
Në zbatim të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999 "për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik"nga Bashkia e Korçës është kërkuar shpronësimi i pronës së pronarëve që preken nga ndërtimi i ujësjellësit të qytetit të Korçës dhe është miratuar ky shpronësim me VKM nr. 473, datë 31.08.2000. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen kompesohen në vlerë të plotë, sipas masës që paraqitet në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 600m2 tokë truall.
Në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për "shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimi i ujësjellësit, në qytetin e Kavajës"
Në zbatim të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999 "për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik" nga sh.a Ujësjellës Kanalizime Kavajë është kërkuar shpronësimi i pronës së pronarëve që preken nga ndërtimi i ujësjellësit të qytetit të Kavajës.
pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen kompesohen në vlerë të plotë, sipas masës që paraqitet në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 4176 m2 tokë arë.
Në mbledhjen e Qeverisë u miratua vendimi për "Kalimin e banesave të ndërtuara në zonën e Laprakës, në pronësi të familjeve të shpërngulura nga ndërtimi i ujëmbledhësit të Bovillës"
Ky vendim ka për qëllim të zgjidhë problemin e privatizimit të 24 apartamenteve të ndërtuara me fondet publike në vitin 1998 në Rr "Riza Cuko", Laprakë, të qytetit të Tiranës.
Në këto apartamente, në zbatim të VKM nr. 85, datë 02.03.1994 dhe nr. 317, datë 19.06.1995 janë strehuar familjet që janë shpërngulur nga ndërtimi i objektit të ujëmbledhësit të Bovillës. Që nga koha që këto familje janë strehuar në këto apartamente, nuk kanë mundur të kenë pronësinë mbi to.
Kjo situatë është krijuar për shkak të mos pranimit të pagesës prej 4% të shpenzimeve operacionale që keto familje duhet t'i paguajnë Entit Kombëtar të Banesave.
Për këtë arsye ky vendim i përjashton këto familje nga pagesa e menjëhershme që bëhet për llogari të EKB në momentin e lidhjes së kontratës së privatizimit. Kjo pagesë në masën prej 4% të vlerës së apartamentit e cila në vlerë absolute për 24 apartamente rezulton 1 377 000 lekë shërben për mbulimin e shpenzimeve operacionale, konform VKM nr.453, datë 21.08.1995 "për një ndryshim në VKM nr.291, datë 21.06.1994"
Sot në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për : "Tarifat në sektorin e pyjeve dhe të kullotave"
Qëllimi i këtij vendimi është rritja e të ardhurave të këtij sektori dhe ato për buxhetin e shtetit, gjë që do të ndikojë edhe në rritjen e investimeve nga burimet e brendshme.
Tarifat e lëndës drusore, rriten mesatarisht 8-10%, ndërsa për llojin pishë, veçanërisht për lëndën e hollë, tarifat mbi 30%. Për prodhimet e dyta tarifat janë rritur rreth 35-40%, për arsye të rritjes së kërkesave, pasi ato kryesisht destinohen për eksport.
Rritje e konsiderueshme bëhet edhe për tarifën e përdorimit të sipërfaqes së pyjeve dhe kullotave, për qëllime pushimi, shëndetësore, turizmi etj. Në ndryshim me tarifat egzistuese, të cilat ishin në funksion të kohëmarrjes në përdorim.
Tarifat e dëmeve në pyje rriten mesatarisht me 4.5% duke synuar penalitete më të forta për kundravajtësit në të gjitha llojet e dëmeve që u shkaktohen pyjeve. Kjo bazuar edhe në rritjen e kostove të rehabilitimit të pyjeve dhe kullotave.
Sot në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për "një shtesë në vendimin nr.427, datë 12.09.2002, të Këshillit të Ministrave, "Për njehsimin e gradave të ushtarakëve me funksionet organike në të gjitha nivelet e hierarkisë së komandimit dhe të drejtimit të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë"
Ndryshimet në VKM nr.427, datë 12.09.2002, janë fokusuar kryesisht në të dy funksionet kryesore të këtij misioni (përfaqësuesi dhe zv.përfaqesuesi) i misionit pasi pozicionet e tjera në mision njehsohen me pozicionet ekzistuese në Shtabin e Përgjithshëm.
Duke qenë një vend aspirant për anëtarësim në NATO, vendi ynë përfaqësohet në më shumë se 40 komitete e grupe të ndryshme pune me një aktivitet të angazhueshëm dhe të ngjeshur. Përfaqësimi ynë me Mision Ushtarak do të jetë një hap i mëtejshëm i realizimit të pikësynimeve tona në rrugën e standartizimit të etapave që duhen të ndërmarrim për aspirimin e vendit tonë në këtë organizëm ndërkombëtar.
Sot në mbledhjen e Qeverisë u miratua vendimi për " Miratimin, në parim, të marrëveshjes ushtarake, grant, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë"
Qeveria e Republikës Turke duke riafirmuar marrëdhëniet miqësore me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë synon të nënshkruajë "Marreveshjen ushtarake, grant, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë", për dhurim të 3.600.000.000.000 lira turke Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Ky grant do të sigurohet në materiale dhe shërbime dhe do të realizohet në përputhje me Protokollin e Zbatimit Logjistik.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ndihmon bashkëpunimin ushtarak dhe kontribuon në ristrukturimin e Forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë, ajo pason ndihmën dhe bashkëpunimin bilateral me Republikën e Turqisë të Realizuar nëpërmjet Marrëveshjes Ushtarake Grant dhe Protokollit të Zbatimit për Ndihmën Financiare, nënshkruar më 01.04.2002.
Sot në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për "Revokimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, "Për kalimin në përdorim, pa shpërblim të zyrave të ndërmarrjes "Makina impeks", organizatës së veteranëve të luftës antifashiste Nacionalçlirimtare"
Meqënëse VKM nr.74, datë 15.02.2001, nuk ka ushtruar fuqinë vepruese si rezultat i refuzimit nga ana e organizatës së veteranëve të LANÇ-it, u vendos për revokimin e tij, duke mundësuar shpejtimin e proçesit të privatizimit të ndërmarrjes Makinaimpeks, ku ambjentet e zyrave të përfshihen së bashku me asetet dhe mjetet e xhiros në proces privatizimi. Kjo do të realizonte përfundimisht mbylljen dhe likuidimin e Ndërmarrjes Makinaimpeks.
Në mbledhjen e qeversë u miratua vendimi për "Njësitë ligjore të matjes"
Meqënëse njësitë e matjes konsiderohen njësi ligjore në vendin tonë, në vendim është përcaktuar që përdorimi i tyre të jetë i detyrueshëm në të gjithë ministritë, institucionet e tjera qëndrore dhe subjektet e ndryshme shtetërore dhe private.
Kjo paraqitje e re e strukturës së sistemit ka respektuar përcaktimet e kategorive të dhëna në Sistemin Ndërkombëtar të Matjeve SI. Jepen njësitë bazë e rrjedhura me nën kategoritë përkatëse, shumëfishat dhe nënfishat e njësive të matjes dhe në fund rregullat e drejt përdorimit dhe drejtshkrimit të njësive të matjes.
Qëllimi i ketij vendimi është që të mos krijohen keqkuptime dhe për të qënë unik në marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit të cilat janë përcaktuar në përputhje të plotë më ato të BIPM-së.(byroja ndërkombëtare e masave dhe e peshave).
Në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për "Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Repubikës së Shqipërise dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, për bashkëpunimin në fushat e arsimit dhe të shkencës".
"Marreveshja, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Repubikës së Shqipërise dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, për bashkëpunimin në fushat e arsimit dhe të shkencës" është nënshkruar gjatë vizitës së Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme në Sarajevë më 15 prill 2003, pas përfundimit të negociatave mes ekspertëve të dy palëve kontraktuese si dhe miratimit të saj në parim me vendimin nr.228, datë 10.04.2003 të Këshillit të Ministrave.
Kjo marrëveshje do të shërbejë për nxitjen dhe zhvillimin e marrëdhenieve në fushat e arsimit dhe të shkencës dhe do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Një aspekt i rëndësishëm i kësaj marrëveshje është parashikimi për njohjen reciproke të diplomave, gradave dhe titujve shkencorë, kushtet për njohjen e të cilave do të përfshihen në një marrëveshje të veçantë mes palëve.
Në mbledhjen e Qeverisë u miratua vendimi për "miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit te Ministrave të Ukrainës, për bashkëpunim në luftën kundër krimit"
Marrëveshja e nënshkruar në Ukrainë më 27 maj 2003, vë theksin mbi bashkëpunimin e palëve për të luftuar fenomene të tilla aktuale që shqetësojnë të dy vendet si: krimi i organizuar në të gjitha format e shfaqjes së tij, krimi ekonomik dhe financiar me larminë e shfaqjes së tij: terrorizmi, trafikimi i paligjshëm i çdo lloji qoftë, kontrabanda, migracioni i paligjshëm, kërkimi i personave etj .
Kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë për faktin se krimi e sidomos disa forma të tij janë bërë tepër shqetësuese. Në këtë marrëveshje i kushtohet rëndësi bashkëpunimit dypalësh ndërkombëtar, në ndihmën e ndërsjelltë profesionale,në shkëmbimin e informacionit duke ruajtur karakterin konfidencial të tij dhe duke përcaktuar mënyrat e kontrollit të përdorimit të informacionit, në shkëmbimin e eksperiencës, etj.
Në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për "Një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2003, miratuar për komisionin qëndror të zgjedhjeve, për financimin e trajnimit të komisionerëve të Komisioneve Zgjedhore për Qeverisjen Vendore dhe të komisionerëve të qëndrave të votimit"
Komisioni Qëndror Zgjedhor për t'i paraprirë punës për zhvillimin sa më mirë të fushatës për zgjedhjet vendore të Tetorit të vitit 2003, i shtohet fondi prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë, për financimin e trajnimit të komisionerëve të qëndrave të votimit.
Në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për "Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Sllovakisë, për bashkëpunimin dhe asistencën e ndërsjelltë për çështjet doganore"
Drejtoria e përgjithshme e Doganave në përmbushje të detyrimeve të saj të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral, kreu parafimin e "marrëveshjes, ndërmjet ëeverisë së republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Sllovakisë, për bashkëpunimin dhe asistencën e ndërsjelltë për çështjet doganore", në 30-31janar 2003, Britislavë, Sllovaki. Kjo marrëveshje, përveç rëndësisë praktike në lidhje me bashkëpunimin në luftë kundër evazionit fiskal dhe krimit ndërkufitar, institucionalon bashkëpunimin ndërqeveritar të materializuar në bashkëpunimin e institucioneve të sferës fiskale.