E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot pasdite në një takim të veçantë ambasadorin e Mbretërisë së Hollandës, si dhe përfaqësues i Irlandës në Shqipëri, e cila mban Presidencën e radhës

Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot pasdite në një takim të veçantë ambasadorin e Mbretërisë së Hollandës, si dhe përfaqësues i Irlandës në Shqipëri, e cila mban Presidencën e radhës të Bashkimit Europian, Z. Blankenberg.

Dy bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime rreth ecurisë së Shqipërisë në procesin integrues në strukturat euroatlantike dhe hapave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në.

Ambasadori Blankenberg ka vlerësuar analizën e veprimeve të Qeverisë Shqiptare 2003 dhe programin e reformave për këtë vit, duke e quajtur atë mjaft ambicioz.

Gjatë takimit, Kryeministri Nano e ka vënë theksin edhe në një nga sfidat aktuale të Qeverisë Shqiptare, atë të sigurimit të mundësive ligjore e institucionale për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në hapësirat e Schengenit e më gjerë. Z. Nano e ka njohur ambasadorin Blankeberg me paketën e reformave të quajtur "Paketa Shengen", që po përgatit Shqipëria në zyrat e gjendjes civile, në dokumentacionin e popullsisë në përputhje me standartet europiane. Z. Nano ka kërkuar asistencën e strukturave të BE-së në këtë drejtim.

Më tej, Z.Nano është ndalur në reformat e thella në ekonomi dhe sfidat në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri Nano ka vlerësuar, gjithashtu, mjaft të rëndësishëm në këtë drejtim mbështetjen e BE-së edhe në kuadër të programit CARDS, i cili mbetet instrumenti kryesor financiar për mbështetjen e proçesit të Stabilizim-Asociimit.

Nga ana e tij, ambasadori Blankenberg ka siguruar për mbështetjen e vendeve që përfaqëson për ecurinë e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Be-në dhe përfundimin e tyre me sukses.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›