E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, mbledhja e sotme e Qeverisë bëhet jashtë radhe, vetëm me qëllimin për të mos humbur asnjë ditë apo çast nga puna në ushtrim të detyrës vendi

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, mbledhja e sotme e Qeverisë bëhet jashtë radhe, vetëm me qëllimin për të mos humbur asnjë ditë apo çast nga puna në ushtrim të detyrës vendimmarrëse për përshpejtimin e mëtejshëm të ritmeve të zhvillimit të vendit.

Në mbledhjen e sotme do të miratojme kontratën e konçesionit BOOT për ndërtimin dhe operimin e Terminalit të Ri të Pasagjerëve dhe infrastrukturës së Aeroportit të vetëm Ndërkombëtar të vendit, atij të Rinasit.

Rritja e efikasitetit të shërbimit në sektorë strategjikë mbetet një prioritet i programit dhe aksionit të Qeverisë Shqiptare dhe kjo shoqëruar me reformat e domosdoshme për t'u mbështetur. Zbatimi i standarteve ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil kërkon ndërhyrje deçizive si në fushën e trafikut ajrior ashtu edhe në shërbimet aeroportuale në të vetmin Aeroport Ndërkombëtar të vendit, në atë Nënë Tereza, të Rinasit. Qeveria e Shqipërisë është plotësisht e angazhuar të rrisë menjëherë standartet e nevojshme bashkëkohore, sigurinë në aeroport, në trafikun ajror, si dhe të sigurojë shërbime efikase.

Sot kemi përpara një projektvendim për miratimin e tenderuesit të preferuar për negociimin e kontratës së konçesionit për Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza", i cili synon kurorëzimin e një pune voluminoze e cilësore të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Transportit dhe të Telekomunikacionit, në cilësinë e Organit Shtetëror të Autorizuar, të Komisionit Ligjor të Vlerësimit të Ofertave dhe Konsulentit Ndërkombëtar Deloitte & Touche .

Emri i ri për kontratën e konçesionit të aeroportit u krye në zbatim të proçedurave me transparencë maksimale dhe prandaj përfshiu interesimin e 18 kompanive të mëdha e të njohura ndërkombëtare, të bashkuara në 9 konsorciume, të cilat iu nënshkruan fazës së parakualifikimit në muajin mars të vitit 2003.

Në përfundim të këtij proçesi katër konsorciume, po citoj: Airport Partners, VAK, TEPE-AKFEN dhe konsorciumin italian, u shtuan për fazën e dytë të tenderimit.

Pjesëmarrja e madhe e këtyre kompanive besoj se është dëshmia më e mirë se komuniteti i biznesit vendas dhe të huaj po e sheh Shqipërinë si një vend ku mund të kryehen investime të sigurta dhe afatgjata dhe si provë për stabilitetin e këtij vendi.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pas shqyrtimit të ofertave të dorëzuara në datën 5 dhjetor 2003, kualifikoi për fazën përmbyllëse dy konsorciume: "Airport Partners" i përbërë nga Hochtief Airport, DEG i bashkuar me Fondin Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve dhe konsorciumi VAK i përbërë nga Aeroporti i Parisit, Kompania VINCI dhe Grupi M.A.Kharafi.

"Airport Partners" është investitori strategjik i konsorciumit Hochtief GmbH, me 60 vjet përvojë në projektimin e aeroporteve, në planizim, prokurim, ndërtim, manaxhim, në shkallë botërore. Hochtief zotëron pjesën më të madhe të aksioneve në Aeroportin e Athinës, Dusseldorfit dhe Hamburgut, gjithashtu 15% në Aeroportin e Sydney. Qarkullimi vjetor monetar i investitorit strategjik për vitin 2002 ishte 12 miliardë Euro. Programi i investimeve vetëm në Aeroportin e Athinës arriti në shifrën 1.3 miliardë Euro. Në Aeroportet e Athinës, Dusseldorfit dhe Hamburgut ku Airport Partners kanë punuar së bashku kanë mbi 50 milionë pasagjerë në tre vitet e fundit.

Investimi i parashikuar në ofertën shqiptare për Rinasin të Airport Partners kap shifrën e 80.9 milionë dollarë për të gjithë periudhën e konçesionit.

VAK në aeroportet që ai manaxhon ka përvojë në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve ndërkombëtarë. Qarkullimi vjetor monetar për tre vitet e fundit për Aeroportin e Parisit është 1.4 miliardë Euro, kurse për VINCI që bashkohet në këtë konsorcium qarkullimi monetar për tre vitet e fundit është 14.4 miliardë Euro. Investimet e kryera nga Aeroporti i Parisit dhe VINCI në katër vitet e fundit janë përkatësisht 3.2 miliardë Euro dhe 200 milionë Euro. Vetëm Aeroporti i Parisit përpunon 70 milionë pasagjerë në vit.

Përveç investitorëve privatë kjo kontratë ka ngjallur edhe interesimin e shumë institucioneve financiare ndërkombëtare. Financuesit e këtyre dy konsorsiumeve janë banka të njohura, si KfW, BERZH, Banka e Detit të Zi dhe Koorporata financiare Ndërkombëtare, apo dhe banka të tjera me filiale në vendin tonë.

Kjo në vlerësimin tim është një tjetër provë që projekti që po zbatojmë është efikas, i shërben zhvillimit me ritme të shpejta të vendit dhe natyrshëm zhvillohet në një klimë të favorshme. Pra, projekti është i një rëndësie të veçantë sepse është projekti i formës PPP, Partneritet-Privat-Publik, ku Qeveria e Shqipërisë realizon ndërtimin e infrastrukturës publike duke shfrytëzuar efiçencën dhe financimin e sektorit privat. Ky investim do të thotë hapje vendesh pune për njerëzit tanë, do të thotë siguri më e lartë për pasagjerët tanë dhe do të shërbejë edhe më tej për përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë në rrugën e saj për integrim euroatlantik.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›