Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar një takim sot pasdite në Bashkinë e Himarës me strukturat e pushtetit vendor, përfaqësues të partisë socialiste të zonës si dhe të spektrit politik, të
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar një takim sot pasdite në Bashkinë e Himarës me strukturat e pushtetit vendor, përfaqësues të partisë socialiste të zonës si dhe të spektrit politik, të komunitetit fetar, biznesmenë, si dhe përfaqësues të komunitetit të kësaj bashkie.
Biseda është përqëndruar në problemet e zhvillimit të turizmit, potencialet e të cilit në këtë zonë janë shumë të mëdha. Autoritetet e pushtetit vendor e informuan Kryeministrin se turistët gjatë këtij viti janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe, në ndryshim nga një vit më parë, kur fluksi i turistëve fillonte gjatë muajit korrik, tashmë ky sezon është hapur që në ditët e para të muajit maj.
Përfaqësuesit në këtë takim i shprehën falënderimet Kryeministrit Nano për miratimin e projektit të rrugës Ura e Palasës –Qeparo- Sarandë, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të rrugëve, si dhe për planin rregullues të zonës së Rivierës, vendime të cilat do të shoqërohen me një impakt pozitiv dhe shumë të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit të kësaj zone.
Kryeministri Nano gjatë këtij takimi ka kërkuar intensifikimin e përpjekjeve të autoriteteve lokale dhe të gjithë komunitetit për ta bërë këtë zonë atraktive për pushuesit, duke përmendur këtu edhe realizimin e planit rregullues të saj, në funksion të këtij qëllimi.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se ligji i pronave, i cili pritet që brenda muajit Korrik të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë do t'i hapë rrugën zbatimit konkret të perspektivës urbane edhe për këto zona.
Kryeministri duke vlerësuar frymën e mirëkuptimit që ekziston midis përfaqësuesve politik në këtë zonë ka shprehur sigurinë se fushata e ardhshme zgjedhore do te zhvillohet e qetë dhe përmes konkurencës së ndershme, në mënyrë që të mos përsëritet më problematika e hasur në zgjedhjet e mëparshme lokale.
Në këtë takim është vlerësuar edhe zhvillimi i aktivitetit të bizneseve private, efekti i të cilave po shtrihet jo vetëm në biznesin vendas por edhe në atë të huaj gjë që do të krijojë mundësi akoma më të mëdha zhvillimi.