E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot paradite një inspektim në Regjimentin e trupave komando në Zall Herr. Në këtë inspektim Kryeministri shqiptar shoqërohej nga Ministri i Mbrojtjes Pandel

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot paradite një inspektim në Regjimentin e trupave komando në Zall Herr. Në këtë inspektim Kryeministri shqiptar shoqërohej nga Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Major Pëllumb Qazimi, komandatë të forcave dhe komandave, si dhe efektivi i regjimentit komando dhe atyre të forcave speciale.

Kryeministri Nano në fillim të këtij inspektimi ka kaluar në revistë truprojën e nderit të kësaj komande ushtarake dhe më pas ka ndjekur nga afër manovrat ushtarake në fushën e luftimit të grupit komando, qitjen luftarake të komandove në lëvizje, me të gjitha armët organike, qitjen e besimit të grupit special komando, veprimet luftarake gjatë kalimit nën zjarrin e kundërshtarit, veprime alpinistike në kullë, veprime të luftimit trup më trup etj.

Kryeministri është interesuar dhe ka vizituar nga afër palestrën dhe stërvitjen e grupit të karatesë, fjetoren e forcave speciale komando, si dhe ka zhvilluar një takim me të gjithë efektivin në amjentet e komandës së regjimentit të trupave komando në Zall Herr.

Kryeministri Nano gjatë këtij inspektimi ka zhvilluar një bisedë telefonike të drejtpërdrejtë me kompaninë komando të trupave shqiptare e cila ndodhet me Mision në Irak, Mosul.

Pasi ka përshëndetur ngrohtësisht komandantin e kësaj kompanie Majorin TefikÇepa, Kryeministri Nano është interesuar për shëndetin e komandos së plagosur Maringlen Leka duke i uruar atij shërim të shpejtë. Në këtë lidhje telefonike Kryeministri i ka uruar 20 vjetorin e lindjes komandos Genci Lozi si dhe ka përgëzuar Kapterin V Zija Shehu i cili është dekoruar me medalje nga komanda amerikane e Korpusit të V. Kryeministri Nano ka biseduar edhe me mjekun toger Sokol Hasho të cilin e ka uruar për aktin e tij fisnik të shpëtimit të gjashtë jetëve të ushtarëve amerikanë të plagosur në detyrë në Irak.

"Më lejoni t'ju përgëzoj në emër të Qeverisë për kontributin e jashtëzakonshëm, për shembullin shumë të mirë që po jepni, si dhe për të gjithë vlerësimin që keni merituar nga aleatët", tha Kryeministri duke përshëndetur më tej të gjithë djemtë komando.
"Ne po ju presim për t'ju përqafuar në atdhe. Suksese dhe mirëardhshi. Mbani lart emrin tuaj dhe të Shqipërisë", ka përfunduar Kryeministri këtë bisedë telefonike me trupat komando me Mision në Irak.

Kryeministri i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe 70 trupave komando që do të nisen me Mision ushtarak paqeruajtës në Irak për të zëvendësuar forcat tona ushtarake në Mosul.

Më pas Kryeministri është takuar edhe me familjarë të trupave komando që ndodhen me mision në Irak duke i shprehur atyre përgëzimet më të sinqerta nga ana e Qeverisë Shqiptare për paraqitjen dinjitoze që djemtë e tyre po manifestojnë në Irak duke nderuar flamurin dhe emrin e Shqipërisë.

Në ceremoninë e zhvilluar në ambjentet e regjimentit të trupave komando Kryeministri Nano është shprehur:

"Zoti Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë!
Zoti Komandant i Regjimentit!
Të dashur ushtarë, nënoficerë, oficerë!
Të nderuar pjesëmarrës!

Ndodhem në këtë vizitë inspektimi në njësinë tuaj komnado për të prekur nga afër aktivitetin tuaj në një ditë normale dhe për të shprehur respektin e vërtetë të Qeverisë dhe të institucioneve drejtuese të shtetit për kontributin tuaj në mbrojtje sipas kopetencave që ju njeh ligji i shtetit të së drejtës. Tashmë ju jeni të njohur edhe me kontributin e çmuar që po jepni për paqen dhe sigurinë edhe përtej kufijve të Republikës së Shqipërisë. Veprimtaria e juaj e përditshme në kuadër të formacionieve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, është një provë e pakundërshtueshme e reformimit të pandërprerë të mbarë shoqërisë shqiptare dhe të përfshirjes së saj në mënyrë të pakthyeshme në rrugën e integrimit euroatlantik.

Me këtë rast, më lejoni të konfirmoj se, falë përgatitjes suaj të lartë dhe gatishmërisë suaj, ne do të vazhdojmë të jemi pjesëtarë aktivë të Koalicionit të Lirisë, të Stabilitetit dhe të Paqes, si në Sarajevo të Bosnjës, në Kabul të Afganistanit apo në Mosul të Irakut. Qëndrimi ynë i palëkundur për të kontribuar për lirinë ka qenë rrallë herë kaq mbizotërues, gjithpërfshirës dhe i mbështetur fuqimisht nga Parlamenti, Qeveria, forcat politike dhe mbarë opinioni publik përfaqësues i shoqërisë shqiptare.

Erdha pikërisht këtu në njësinë tuaj komanado për t'ju shprehur respektin dhe për t'ju përgëzuar ju djemtë e Shqipërisë që i keni vënë gjoksin rrezikut për të përballuar sfidat e kohës përkrah forcave më progresiste ndërkombëtare.

Edhe unë jam ndjerë krenar, gjatë kësaj kohe, kur në vazhdim më informojnë për progresin dhe sukseset e misioneve tuaja të derisotme, edhe në Shqipëri, edhe në Bosnjë, në Afganistan e veçanërisht në Irak. Është në nderin e Qeverisë që unë drejtoj t'ju informoj se në Komandën e Përgjithshme të Aleatëve, ekziston një vlerësim i qëndrueshëm dhe në rritje për punën që ju dhe vëllezërit tuaj përmbushni me përkushtim. Për këtë ju përgëzoj dhe ju përshëndes!

Në këtë mënyrë ju, ushtarët e thjeshtë, nënoficerë dhe oficerë, duke përmbushur me sukses misionin tuaj, shfaqni realisht me vepra se dini të mbroni dhe të ndërtoni paqen, duke rritur kështu emrin dhe reputacionin e shqiptarit dhe të Shqipërisë në Botë.

E kam për detyrë t'ju inkurajoj ta konsolidoni akoma më tej këtë emër të mirë, të rrisni dhe më shumë kapacitetet dhe ritmin e reformës për të kapur standartet moderne në të gjitha strukturat e ushtrisë sonë kombëtare. Është pikërisht kjo punë e përditshme dhe kapilare që e përshpejton integrimin e vendit dhe të institucioneve tona në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Të dashur ushtarë, nënoficerë e oficerë të forcave Komando, të forcave Speciale dhe të forcave të Reagimit të Shpejtë!

Unë e di që të jesh anëtar i forcave të tilla nuk është aspak e lehtë, por sot u binda edhe më shumë se kjo është përzgjedhja e pasionit dhe e atdhedashurisë suaj dhe për këtë të jeni të sigurt se mbeteni të nderuar dhe të vlerësuar nga i gjithë populli. Unë i inkurajoj ata të rinj shqiptarë që e kanë dhe e kultivojnë këtë pasion, për t'u bashkuar me komandot, me forcat speciale, me ato të reagimit të shpejtë në shërbimin ushtarak të detyrueshëm apo profesionist. Ky përkushtim dhe temp ushtarak që ju shfaqët edhe sot, ky shpirt kolektiviteti dhe kjo shoqëri e miqësi ushtarake që gjej midis jush, të them të drejtën ndeshet rrallë në mjedise të tjera. Prandaj ju admiroj dhe ju inkurajoj t'i forconi edhe më tej këto virtyte të shpirtit shqiptar.

Ne jemi dhe do të vazhdojmë të jemi në krah të forcave aleate gjermane e turke në Bosnjë e Afganistan, si dhe në krah të aleatëve të mëdhenj amerikanë në Irak. Ne jemi në krah të tyre edhe për të demonstruar se nuk jemi vetëm konsumatorë të sigurisë dhe të paqes, por edhe mbështetës, gjenerues të sigurisë e paqes në rajon e më gjerë, si dhe kontribues në përballimin e sfidave të vështira të tranzicionit edhe për popuj të tjerë nga diktatura në liri dhe në demokraci.

Në funksion të detyrimeve të mia kushtetuese dhe ligjore, unë informohem vazhdimisht për shëndetin tuaj, për përmbushjen e detyrave të misionit që ju kryeni, veçanërisht atje ku ky mision është më i vështirë: në Irak, prandaj ju siguroj se do të vazhdoj, sëbashku me Qeverinë, të jem pranë jush pavarësisht nga momentet që do të duhet të kaloni dhe të përballoni në përmbushje të misioneve që ju besohen.

Me këtë rast më lejoni të përshëndes edhe familjarët tuaj të shtrenjtë të cilët, jo vetëm ju kanë mirëkuptuar, por me qëndrimin e tyre kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut që askush nuk e zëvendëson dot në përmbushjen prej jush me nder të këtij misioni fisnik.

Ju uroj shëndet të plotë dhe suksese në të ardhmen!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›