E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në inaugurimin e përfundimit të punimeve të Skemës Ujitëse që merr ujë nga Kanalet "Naum Panxhi" dhe "Ferras", në rrethin e Elbasanit.

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në inaugurimin e përfundimit të punimeve të Skemës Ujitëse që merr ujë nga Kanalet "Naum Panxhi" dhe "Ferras", në rrethin e Elbasanit.

Në këtë ceremoni, Kryeministri Fatos Nano shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Agron Duka, deputetët e zonës, Namik Dokle, Taulant Dedja, Agron Tato, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Në përshëndetjen e tij gjatë kësaj ceremonie, Kryeministri Fatos Nano tha se:

"Të nderuar pjesëmarrës!

Është kënaqësi e veçantë të jem këtu me ju sot për të përuruar sëbashku përfundimin e punimeve të skemës ujitëse që merr ujë nga Kanali tashmë historik "Naum Panxhi" dhe nga Kanali i "Ferras".

Kjo skemë ujitjeje, siç vlerësuan edhe parafolësit, mbulon me ujë një sipërfaqe 3800 hektarë. Për ndërtimin e saj është shpenzuar rreth 2 milionë USD. Skema është tashmë në administrim të Federatës së Ujit dhe kjo është një ngjarje e shënuar edhe për Qeverinë, për këtë zonë, por edhe në shkallë kombëtare.

Politika e Qeverisë vazhdon të jetë mbështetja e fuqishme e sektorit të bujqësisë dhe të ushqimit, si prioritet i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe në këtë politikë investimet për ujitjen e kullimin do të vazhdojnë të jenë të konsiderueshme edhe në të ardhmen. Ato do të realizohen edhe me mjete të buxhetit edhe me mbeshtetjen e donatorëve të ndryshëm, të partnerëve dhe të insititucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare siç është edhe institucioni prestigjioz i Bankës Botërore.

Duke nisur nga viti 1997, kur Qeveria e kësaj maxhorance mori drejtimin e vendit, janë investuar nga projekti i rehabilitimit të ujitjes të financuara me mjete buxhetore dhe mbështetje nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë 53 milionë USD, pra afërsisht 9 milionë dollarë në vit, përveç investimeve që janë kryer nga buxheti i shtetit përmes drejtorive të ujrave.

Projekti i Ujitjes dhe Kullimit tashmë startohet në 21 rrethe të vendit, si Vlorë, Shkodër, Berat, Korçë, Lezhë, Kurbin, Kuçovë, Peçin, Elbasan, Durrës, Krujë, Tiranë, Lushnjë, Fier, Devoll, Gjirokastër, Librazhd, Kavajë, Delvinë, Malësi e Madhe dhe Tropojë. Kjo synon, në të gjithë territorin, përmirësimin e nivelit të mbështetjes së bujqësisë dhe të fermerëve me skema ujitëse dhe kulluese në dobi të prodhimit dhe të rritjes së të ardhurave.

Në zbatim e sipër të këtij projekti janë përfunduar dhe janë vënë në shfrytëzim sistemet kryesore ujitëse në rrethin e Beratit në 5310 hektarë. Ka përfunduar rehabilitimi i skemave ujitëse në Llakatund, Armen, Rradhimë, në rrethin e Vlorës, në një sipërfaqe 3550 hektarësh. Ka përfunduar skema ujitëse që merr ujë nga rezervuari i Gjançit në rrethin e Korçës që ujit një sipërfaqe prej 6500 hektarësh. Kanë përfunduar gjithashtu skemat ujitëse të rrethit të Elbasanit me 6355 hektarë nën ujë. Ka përfunduar rehabilitimi i skemave ujitëse në rrethin e Krujës në një sipërfaqe prej 1800 hektarësh. Ka përfunduar Kanali kryesor Vau i Dejës – Bushat – Barbullush – Mat që ujit një sipërfaqe 12000 hektarëshe. Ka përfunduar rehabilitimi i skemave ujitëse në zonën e Roskovecit në Fier për 6000 hektarë dhe në rrethe të tjera për pothuajse të gjitha skemat kulluese në Lezhë, Lushnje, Fier, Vlorë, Peqin, Elbasan dhe Berat.

Pra deri tani janë rehabilituar 90000 hektarë në ujitje dhe 160000 hektarë në kullim.

Në këtë fond investimi është përfshirë edhe rehabilitimi i 14 hidrovoreve më të rëndësishëm të vendit si nga ana ndërtimore ashtu edhe në montimin e pajisjeve dhe makinerive që nga hidrovoret e Shkodrës, deri në ato të Sarandës me një vlerë totale prej 3 milionë USD. Natyrshëm, kjo do të ndikojë ndjeshëm në mbrojtjen e tokës dhe të produkteve nga përmbytjet.

Si rezultat i politikave moderne të zbatuara në sektorin e bujqësisë pra, skemat e rehabilituara tashmë po transferohen tek Shoqatat Përdoruesve të Ujit që kanë filluar të ndikojnë ndjeshëm në mirëadministrimin e kësaj pasurie të çmuar. Kjo është një nga boshtet e reformës sonë deçentralizuese dhe të demokratizimit të marrëdhënieve të administrimit publik, ku pjesëmarrja në administrimin e vlerave vjen e duke u bërë gjithnjë e më shoqërore dhe përfshirëse. Kjo rrit përgjegjësinë dhe bashkëpunimin dhe ky bashkëpunim është një nga cilësitë kryesore që ne vazhdojmë të kultivojmë sëbashku.

Deri tani janë krijuar rreth 400 shoqata në rrethet që mbulon projekti i Ujitjes. Ato administrojnë 160000 hektarë me një numër prej 180 mijë familjesh apo ekonomish fermere.

Si pasojë e arrtijeve pozitive dhe politikave të ndjekura, nën drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ushqimit, mbështetur në organizimin në shoqata që ju vetë keni krijuar dhe po konsolidoni, Banka Botërore dhe donatorë të tjerë kanë nisur gjithashtu proçedura të reja për financimin e një projekti tjetër, që do të jetë në shërbim të shoqatave tuaja, për t'ju përgjigjur kritereve të zbatimit me një vlerë prej rreth 40 milionë USD të tjerë.

Me këtë rast përsëris se vetëm nga projekti i këtushëm përfitojnë më shumë se 4000 familje fermerësh.

Ta gëzoni ujin dhe zhvillimin!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›