Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në përurimin e fazës përfundimtare të segmentit rrugor Lezhë-Shkodër, financuar tërësisht me fondet e buxhetit të shtetit. Në këtë përurim ishin t
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në përurimin e fazës përfundimtare të segmentit rrugor Lezhë-Shkodër, financuar tërësisht me fondet e buxhetit të shtetit. Në këtë përurim ishin të pranishëm Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi, Ambasadori gjerman në Tiranë, Hans Peter Annen, deputetë të zonës, Prefekti i Qarkut të Shkodrës e Lezhës, Kryetarët e Bashkisë së Shkodrës dhe Lezhës, e të tjerë autoritete vendore.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Nano e konsideroi rrugën Lezhë- Shkodër si një nga objektet më të rëndësishme të dy viteve të fundit, e ndërtuar me parametra te standarteve europiane, e cila shmang plotësisht vështirësitë e trafikut. Kjo rrugë, tha z.Nano, njëherazi zvogëlon ndjeshëm distancën dhe kohen e lidhjes së Shkodrës e të rrethinave të saj me Tiranën. Po ashtu, rruga e re afron Shkodrën me tregun, me portet kryesore të vendit, afron Shqipërinë qendrore dhe atë jugore me Malin e Zi dhe në vijim me tregjet e tjera të Europës Qendrore dhe Veriore. Kjo rrugë, nënvizoi në fjalën e tij z.Nano, do të krijojë më shumë mundësi që zona e Shkodrës të shpalosë më shpejt e më mirë vlerat e saj shpirtërore, aftesitë e saj të njohura në sipërmarrjen e lirë.
Segmenti Lezhe-Shkoder, me gjatesi 33.5 km, dhe gjeresi 11.5 m., ka kushtuar 4.3 miliarde leke. Në dobi të ndërtimit të tij u shpronësuan dhe u shpërblyen 49,2 hektare tokë, me një vlerë prej rreth gjysëm miliard lekë. Në funksion të saj u ndërtuan dy Ura mbi lumin Gjadër dhe një Urë mbi lumin Drin. Punimet u kryen nga kompanitë ndërtuese të rrugëve, "GP Papenburg", "TRISS Ndertim" e "Albavia" dh eu mbikqyrën nga Kompania konsulente italiane "Lotti & Association".
Kryeministri Nano tha se ndërtimi i shpejtë e me cilësi i kësaj rruge është rezultat i strategjisë së qartë që ndjek qeveria shqiptare, e cila ka si pikësynim themelor përmirësimin e pandërprerë të integriminit të njerëzve në zhvillimin kombëtar dhe vepra të tilla sjellin zhvillim ekonomik, komunikim, qytetërim, lëvizje më të shpejta dhe sidomos integrim midis shqiptarëve dhe europianëve.
Duke u ndalur ne programin e qeverisë për zhvillimin e qarkut të Shkodrës, Kryeministri tha se ky qark i rëndësishëm i vendit, ku ndërthuren të gjitha prioritet e zhvillimit kombëtar, vazhdon të perfitojë financime te rëndësishme në raport me totalin e fondeve të programuara nga Buxheti i Shtetit për të gjithë zhvillimin e vendit, investime dhe financime, të cilat në tre vitet e fundit arrijnë në rreth 6 miliardë leke, ose 37% e investimeve të programuara për Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, janë tashmë investuar në qarkun e Shkodrës. Kjo është mënyra se si qeveria që unë drejtoj realizon qartësisht zhvillimin për interesat tuaja, tha z.Nano.
Gjithashtu, në funksion të këtij zhvillimi z.Nano përmendi edhe përfundimin e ndërtimit të rrugës tjetër të rëndësishme për qarkun e Shkodrës, rrugën e Muriqanit, e cila lidh këtë qytet dhe Shqipërinë me Malin e Zi. Kjo rrugë ka një gjatësi rreth 17 kilometra dhe ndërtimi i saj kushtoi rreth 323 milion leke. Ndërkohë që, - nënvizoi z.Nano, - ka filluar ndërtimi i rrugës së Velipojës, e cila lidh qytetin e Shkodrës me plazhin e Velipojës. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge, me gjatësi 25.6 Km, gjerësi 8 metra dhe vlerë 582 milion leke, është në proces dhe do të përfundojë plotësisht para sezionit turistik të verës së ardhshme. Po ashtu, me fonde të qeverisë italiane është siguruar studimi i fizibilitetit, projekti i detajuar dhe ndërtimi i segmentit Shkodër-Hani i Hotit dhe së shpejti pritet të fillojnë punimet edhe në këtë segment të fundit të pjesës veriore të Korridorit Kombëtar Veri-Jug. Gjithashtu me fonde të buxhetit të shtetit është hartuar projekti i zbatimit të Urës së re të Bunës në qytetin e Shkodrës, e cila do të zëvendësojë urën e vjetër dhe do të sigurojë lidhjen normale me aksin rrugor të Murriqanit dhe Shirokës. Financimi i punimeve të ndërtimit të Urës së re është përfshirë në programin e Bankës Islamike të vitit 2005.
Kryeministri Nano u ndal edhe në projektet e ardhshme me rëndësi jo vetëm për zhvillimin e qarkut të Shkodrës dhe zonës veriore të vendit, por edhe shkurtimit të distancave mes Shqipërisë dhe fqinjëve të saj. Lidhja e Shqipërisë me Malin e Zi historikisht ka qenë nëpërmjet Hanit të Hotit dhe Murriqanit. Z.Nano tha se nga studimet e kohëve të fundit për Korridorin Adriatiko-Jonian, rezulton se ekziston edhe një mundësi e tretë, shumë efikase, e cila bashkon rajonet bregdetare të Malit të Zi me rajonet qendrore dhe jugore të Shqiperise. Rruga e re, e cila parashikohet të jetë autostrade me katër kalime dhe gjatesi 27 Km, fillon në Lezhe, atje ku rruga e re Milot-Lezhe takon rrugën Lezhe-Shëngjin dhe përfundon në afërsi të Velipojës deri në kufi me lumin e Bunës, ku do të ndërtohet edhe një urë e re me gjatësi rreth 250 metra.
Nga të dhënat paraprake kosto totale e ndërtimit të kësaj rruge është rreth 10 miliard lekë. Ajo do të shkurtojë distancën e lidhjeve midis Tiranës dhe Malit të Zi me 69 km dhe Tiranës me Dubrovnikun në rreth 240 Km dhe do të përshkohet në jo më shumë se 3 orë. Gjithashtu, sipas z.Nano, në muajin nëntor është parashikuar të fillojë ndërtimi i rrugës Vorë-Fushë Krujë me një vlerë prej 10 milion dollarë amerikanë, si dhe segmenti i Kamzës me një vlerë prej 3 milionë dollarë, segmente të cilët përfundimisht të gjithë rrugën Shkodër-Tiranë e sjellin në nivel të standarteve europiane.
Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri siguroi se asgjë nuk e largon vëmendjen dhe përkushtimin e qeverisë nga Shkodra si kryeqendër e Veriut dhe nga vetë shkodranët. "Ajo që ishte një dëshirë e përbashkët tashmë u realizua. Të tjerë korridore edhe më të gjëra do të na lidhin me Shkodrën, sepse në radhë të parë me Shkodrën na lidh gjaku, na lidh qytetaria dhe kultura jonë e përbashkët europiane dhe ëndrra e përbashkët për t'i rënë këtej për të kaluar në Europën Qendrore", tha z.Nano.
Kryeministri Nano zhvilloi më pas disa takime në qytetin e Shkodrës, si dhe vizitoi shtëpinë "Tradita gegë-toskë", e cila është një nga shtëpitë karakteristike më të vjetra të Shkodrës, e ndërtuar në vitin 1694 dhe e restauruar në vitin 2004.