E Diel, 1 Nëntor 2026

Kyeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në veprimtaritë e organizuara me rastin e hapjes së Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, evenimenti më i madh kulturor i këngës folklorik

Kyeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në veprimtaritë e organizuara me rastin e hapjes së Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, evenimenti më i madh kulturor i këngës folklorike.

Fillimisht, Kryeministri Nano vizitoi Panairin e Gatimeve Tradicionale, stendat ku ishin ekspozuar gatime të ndryshme nga shumë zona të Gjirokastrës. Më pas, z. Nano mori pjesë në Veprimtarinë e Mirëseardhjes së organizuar në sheshin e Cercizit, ku u zhvilluan një sërë aktivitetesh, si koncerte me këngë e valle nga të gjitha trevat.

Në këtë veprimtari. Kryeministri mbajti edhe një fjalë përshëndetëse. Ai përcolli urimet më të mira për Festivalin e Gjirokastrës dhe gjithë kulturën tonë kombëtare. "Sot në këtë ditë të shënuar të trashëgimisë kulturore kemi rastin të risjellim ndërmend atë thesar të pashtershëm të kësaj trashëgimie, kalldrëmet, qëndismat, këngët e kabatë", u shpreh në fjalën e tij Kryeministri.

Ai vlerësoi se është pikërisht kjo traditë kulturore që ka prodhuar nje pasuri të jashtëzakonshme dhe të shumëllojshme shpirtërore të popullit, por edhe që ka ditur të japë dhe të marrë me fqinjët, ka ditur të krijojë një marrëdhënie interaktive me kulturën më të mirë botërore, si dhe me atë të fqinjëve.

Kryeministri vuri në dukje gjithashtu se këto tradita kulturore kanë paraprirë proceset integruese, sepse pavarësisht zhvillimeve historike, shpirti i popullit shqiptar ka qenë i hapur ndaj marrëdhënieve me kulturat e tjera.

Kryeministri theksoi se sot, në kushtet e ekonomisë së tregut, është i nevojshëm shtimi dhe mirëmbajtja e vlerave të trashëgimisë kombëtare, duke u bërë pjesë e një sistemi të ri. Në këtë drejtim, kryeministri nënvizoi se duhet të ndihet më shumë roli i pushtetit vendor, roli i shoqërisë civile dhe vecanërisht i komunitetit..

Më tej, z. Nano siguroi vazhdimin e vëmendjes së shtetit ndaj kësaj pasurie të pazëvendësueshme. "Ne kemi projekte të qarta që Gjirokastrën ta bëjmë pjesë të perlës sonë turistike që fillon në Sarandë", u shpreh ai.

Duke u fokusuar në hapjen e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, kryeministri e vlerësoi këtë eveniment tradicional si një provë të pazevëndësueshme se pavarësisht zhvillimeve dhe hapjes ndaj kulturës së re dhe moderne, shpirti i popullit i ruan dhe vazhdon t'i pasurojë vlerat e veta.

Z. Nano i uroi mbarëvajtje Festivalit, duke theksuar se ky aktivitet duhet të shndërrohet në një festë mbarë popullore për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

"Për disa ditë me radhë, grupet e kulturës sonë popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë, nga veriu e deri në jug, nga Shqipëria e mesme, Myzeqeja dhe deri në zonat verilindore, por edhe grupe të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të kenë rastin të shpalosin një pasuri unikale, një uragan të krijimeve tona origjinale, plot temperament dhe kolori, sepse i tillë është shpirti artistik dhe krijues i popullit tonë", u shpreh kryeministri.

Z. Nano theksoi më tej se e gjithe jeta kulturore dhe shpirtërore në vend, aktivitetet masive të rinisë dhe shmkëmbimet kulturore me fqinjët dhe më gjerë, janë tregues të pakundërshtueshëm se në Shqipëri ka një jetë aktive, se njerëzit e të gjitha brezave janë përfshirë në filozofine e ndryshimit dhe të europianizimit, se Shqipëria po shkon drejt integrimit Europian edhe me kulturën dhe identitetin kombëtar, si pjesë integrale e kulturës europiane.

Gjithashtu, Kryeministri Nano ka vizituar edhe disa Shtëpi muzeale, të rikonstruktuara me fondet e qeverisë shqiptare, si dhe ka bërë një shëtitje ne Qafën e Pazarit.

Në përmbyllje të vizitës së Gjirokastrës, Kryeministri ndoqi edhe hapjen e Festivalit Folklorik, ketij evenimenti te madh kulturor te vitit ne Shqiperi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›