Mbledhja e sotme natyrshëm do të bëjë analizën politike të zhvillimeve në vend, për të nxjerrë më mirë në pah ç'detyra i dalin Partisë Socialiste si forca kryesore politike në vend,
Mbledhja e sotme natyrshëm do të bëjë analizën politike të zhvillimeve në vend, për të nxjerrë më mirë në pah ç'detyra i dalin Partisë Socialiste si forca kryesore politike në vend, në stadin aktual që është, stad i intensifikimit te reformave, të modernizimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas rendit të ditës dhe programit të përcaktuar, do të ndajmë më mirë dhe detyrat dhe përgjegjësitë e gjithsecilit në fazën intensive, thelbësore të Kuvendimit të Madh që do të nisë në ditët në vijim, së bashku me aleatët tanë.
Ky aksion politik i pandërprerë nuk është një fushatë elektorale e parakohshme, ndaj edhe për këtë arsye nuk do të jetë një demostrim fanfaresk suksesesh. Në thelb kërkojmë të bëjmë së bashku një proces verifikimi të politikave dhe të përfaqësuesve tanë politik, direkt tek qytetarët dhe fshatarët në të gjithë Shqipërinë, është një verifikim i asaj që kemi bërë, si e kemi bërë, si dhe duke kuptuar drejpërdrejtë se si duhet t'i forcojmë lidhjet me hallet dhe aspiratat e njerëzve, të kurojmë ato lidhje që diku janë dobësuar, apo diku janë klanizuar, apo diku më keq akoma janë këputur. Dhe kur këto lidhje këputen jo vetëm Kuvendim s'mund të bëhet, por asnjë lloj pune s'mund të kryhet. Aq më pak të përballohet misioni për të cilin jemi votuar: per të sjellë me kontribute, përfitime dhe sakrifica,vlerësimin dhe edukimin e të gjithëve në standartet e jetës, të njerëzve apo institucioneve që kërkon normativa europiane të cilës po i afrohemi.
Të jemi të qartë: ne u besojmë të dhënave dhe fakteve që raportohen në statistika zyrtare apo hapësira mediatike, sepse janë shifra arritjesh të cilat ne i prekim njëherësh përditë, por transformimi i mëtejshëm i realiteteve është akoma më i vrullshëm se më parë, kërkesa për transformim është akoma më e lartë se përpara dhe të dy këto aspekte nuk mund të përballohen pa mbajtur gjallë misionin politik, rolin tonë të misionarit për ndryshim dhe kjo ka nevojë për kontakte dhe konstatime, vlerësime dhe angazhime që merren drejtpërdrejtë nga njerëzit, me të cilët duhen konsultuar edhe opsionet e mëdha të reformave thelbësore që vazhdojmë të kryejmë sipas një mësimi aksiomatik tashmë prej 14 vjetësh: demokracia është pjesëmarrje, nuk mund të jetë vepër e një grushti njerëzish.
Na duhet të mbajmë gjallë dhe të nxisim e përshpejtojmë ritmin e lartë të transformimeve në realitetin modern shqiptar që ne kemi ndërtuar substancialisht në këto 7 vjet maxhorancë qeverisëse dhe mbi këtë bazë për ta kurorëzuar me sukses procesin e Asociimit dhe në vitet që pasojnë integrimin e plotë në BE dhe NATO të Shqipërisë, kërkohen detyrimisht më shumë energji, më shumë koordinim kontributesh, për më shumë solidaritet dhe dashuri midis nesh dhe ndaj njerëzve, për të përballuar më shumë sakrifica dhhe për të garantuar që të ketë më shumë pjesëmarrës dhe protagonistë nga të gjitha njësitë e komunitete, deri në qeverisjen vendore, nga të gjitha krahinat e vendit, nga të gjitha gjinitë dhe grupmoshat, sidomos nga ata që sivjet votojne për herë të parë. Bile kërkohen kontribute dhe sakrifica nga të gjitha ngjyrimet politike legale. Sepse vërtet ne jemi Partia Socialiste, por ne jemi votuar të qeverisim të gjithë shqiptarët, pra jo vetëm socialistët.
Prandaj, krahas formave tashmë tradicionale të punës, po organizojmë edhe këtë proces konsultimi me njerëzit, këtë Kuvendim, për të kontaktuar pa paragjykime direkt me të gjithë kudo ku ata punojnë dhe jetojnë. Kuvendimi që po nisim do të jetë pasqyra më e saktë e aftësive tona për të vlerësuar dhe korrigjuar vetveten në sytë e njerëzve, për tú larguar nga interesat rutinë, apo meskiniteti i ditës, sidomos për të dalë nga klanet e sallave apo forumeve tona të mbyllura, larg dhe jashtë analizave të tymosura kafeneve buzë bulevardeve që po shtohen çdo ditë me xhiro gjithnjë e më të vogla.
Ne e dimë sfidën opozitare përballë dhe rreth e rrotull nesh. Ne socialistëve ka vite që kanë tentuar të na trajtojnë herë si parti e kasketave dhe herë si parti e xhaketave. Dhe ne qetësisht dhe me shumë përgjegjësi po vazhdojmë të provojmë para opinionit progresist që nxit dhe garanton ritmin e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit drejt BE-së, përpara maxhorancës, zgjedhësve dhe natyrshëm dhe me shume transparencë për pubblikun, edhe për faktorët e tjerë politik edhe përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë, se jemi forca politike më demokratike, më moderne, më e përgjegjshme dhe në këtë konkurim të rrëmujshëm por pluralist shqiptar, deri tani më e afta për të realizuar sa më të menaxhuara aspiratat mbarëkombëtare të shqiptarëve për integrim euroatlantik. Kjo bëhet duke respektuar si kasketat e dokut ashtu edhe xhaketat e vjetra, por të pastra, po ashtu edhe T-shirt-et ekstravagante, të atyre që para 8 vjetësh ishin 10 vjec dhe që vitin tjetër votojnë për herë të parë.
Ne jemi partia e lirive dhe liritë para së gjithash janë respekt për njeriun. Opozita jonë politike dhe mediatike, duket se ka vështirësi për të ndjekur, prandaj edhe shfaqet e paaftë për të pranuar transformimet që kanë ndodhur në vend në 7 vjet qeverisjeje prej nesh të përgjegjshme, problematike por me prirje të qartë rritjeje dhe suksesi. OPozitat tona, të organizuara ose jo duken se kanë vështirësi për të ofruar alternativa zhvillimi më të mira dhe më të besueshme se tonat dhe ndaj vuajnë më shumë se ne nga robëria e perceptimeve demode, apo nga shterja e aftësive politike apo intelektuale.
Pra kjo është sfida, që ne të mos lejojmë që aleanca njerëzish të paaftë e të dështuar të vënë në rrezik projektin tonë për modernizimin europian të Shqipërisë i cili pikërisht në këtë stad nuk është vetëm i yni. Dhe prandaj ne nuk kemi bërë asnjë burgosje apo përjashtim me pushtetin apo nga radhët tona, duke abuzuar me gjyqe politike apo me gjykime politike. Garancia jonë e maturisë politike është pikërisht ky bashkëbisedim me njerëzit në pozita të barabarta, ndryshe ata nuk afrohen për t'u bërë pjesë e gjallë e transformimeve dhe proceseve integruese, ndryshe ata nuk besojnë se ne u ofrojmë shance konkurimi të hapur duke zbritur në nivelin e tyre.
Vetëm kështu mund të mbetemi edhe në të ardhmen realisht forca më serioze, vetëm kështu mund t'i mbrojmë zgjedhjet e lira dhe t'i sjellim në standartet ndërkombëtare që kërkohen. Herën e fundit treguam se zgjedhjet bëhen edhe pa polici, kësaj radhe duhet të tregojmë që mbrojtesit e zgjedhjeve të lira duhet të jenë qytetarët dhe votuesit drejpërsëdrejti, që duhet të luftojmë jo vetëm dhunën tradicionale të manipuluesve tradicionalë të të gjitha zgjedhjeve në Shqipëri që janë humbësit e tyre opozitarë, por duhet të luftojmë edhe praktikat e mentalitetet zakonore të votimit në grup apo me titullarët familjarë.
Ky lloj arsyetimi duhet të na japë të gjithë të kuptojmë se nuk e kemi fituar përfundimisht betejën me të keqen, por jemi në një avantazh të dukshëm. Do të jetë pikërisht Kuvendimi i Madh, sita për marrjen e certifikatës së aftësisë dhe pastërsisë për secilin të mandatuar apo që synon të mandatohet. Vetëm debati i hapur, vetëm debati i bazuar mbi fakte dhe në idealizëm të programuar. Nuk mund të mbetet parrulla "E duam Shqipërinë si Europa" ne ajër, pa marrë angazhime për të kalkuluar dhe përballuar kostot e mosparkimit të makinës në turinë e fqinjit apo të kryerjes së shërbimit civil vetëm kundrejt zarfit me para.
Ne duhet të shmangim në këtë proces kontaktin sipërfaqësor, kontaktin me orë kthimi në Tiranë apo në shtëpi, kontaktin e pabukë. Unë e deklaroj sërish se Partia Socialiste do të vazhdojë të mbrojë të gjithë ata të mandatuar që në radhë të parë janë të aftë të mbrojnë veten me prova nga akuzat apo shpifjet dhe jo të fshihen pas "imunitetit" politik. Kryetarët e PSSH nëpër rrethe gjatë Kuvendimit, për të gjitha rastet e abuzimit me mandatin e përfaqësimit të denoncuara nga shtetasit, menjëherë duhet të sigurojnë kontaktin e të akuzuarit me njerëzit, si dhe të njoftojnë Kryesinë e PSSH në Tiranë me shkrim për t'u përfshirë në këtë ballafaqim, sepse kostot politike të individëve të mandatuar që abuzojne me mandatin nuk ka pse t'i mbajë e gjithë partia, ca më pak imazhi i vendit mbarë.
U kërkoj shokëve Sekretarë të KPD që me të marrë informacionet nga rrethet për denoncime abuzuesish apo të korruptuarish në nivel Kryesie, KPD, Qeveri apo grup parlamentar, të organizojnë punën dhe axhendat për t'i krijuar mundësi të dyshuarve të çojnë në Parti apo tek komunitetet e shtetasve provën e pastërtisë së tyre, ose të japin vetë dorëheqjen tek zgjedhësit. Natyrisht që Kuvendimi nuk do të jetë një gjyq politik, as gjueti shtrigash e ca më pak nuk do të lejojmë që të na shndërrohen forumet tona në zyra prokurorie, sepse ne nuk jemi partia shtet dhe më shumë se ne nuk e ka dhënë askush këtë shembull, por duke qënë se politika është edhe percepsion, ne nuk mund të mos ndeshemi me perceptimin politik të njerëzve për përfaqësuesin. Ne do të synojmë që i gjithi ky të jetë një proces i orientuar shumë qartë edhe kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kontrabandës, abuzimit me detyrën apo mandatin, përfshirje në lëvizje parash të paqarta apo të pista dhe aq më fortë kundër trafiqeve të drogës apo të qenieve njerëzore.
Këto tema duhen diskutuar dhe konsultuar me komunitetin e njerëzve, se pa këtë gjë Kuvendimi do të mbetej një aksion i shëmtuar propagandistik që nuk do prodhonte asgjë.
Natyrisht që gjatë kuvendimit do evidentojmë tek njerëzit edhe arritjet, vecanërisht intrumentet politike dhe ligjore kurohen plagët., varfëria, padrejtësia apo shtohen shancet, puna, të mirat materiale, financimet, etj. Por dhe do të sqarojmë dhe do kërkojmë ndihmën e komuniteteve të njerëzve për të kuptuar se pse administrata apo policia e drejtësia janë hallkat që vazhdojnë të vuajnë më shumë nga korrupsioni, i cili pikërisht për shkak se politizohet nga opozita apo është temë e kapshme lehtë nga mediat, ngeli pa kuruar sepse kërkohet tek një njeri, njeë qeveri apo tek një parti në pushtet.
Të gjithë e dimë dhe jemi në gjendje të vlerësojme dhe verifikojme me njerëzit se në 7 vjet të maxhorancës sonë qeverisëse kanë shkuar për procedim ligjor apo ndjekje penale nga shteti i së drejtës mijëra funksionarë. Kujtoj këtu se vetëm nga policia e shtetit janë larguar 280 oficerë të niveleve të ndryshme, janë dhe kallëzuar rreth 250 oficerë vetëm në 12 muajt e fundit. Natyrisht jo të gjithë ndiqen në kohë dhe me forcën e ligjit nga halkat e tjera të shtetit ligjor.
Ne na nevojitet politikisht dhe për të kuruar shëndetin e shoqërisë sonë, kontributi i shtetasve për të shtuar denoncimet direkte. Le të fillojë këtu parimi një anëtarë një votë. Le të denoncojë secili mbartësit e padrejtësisë, të denoncojë sidomos ata që për të mbuluar mekatet e mëdha largohen nga ne dhe marrin dhe parrullat e programit që nuk ditën t'i zbatonin. Ne na duhet që në këtë proces konsultimi me njerëzit të përmirësojmë skemat njerëzore dhe politike, instrumentale dhe ligjore të luftës kundër këtyre fenomeneve negative që tentojnë të mbajnë peng ritmin e zhvillimit të Shqipërisë dhe të standarteve europiane.
Por kuvendimi është edhe një mjedis dhe proces arsyetimi realisht. Ne nuk mund t'i lëmë njerëzit të humbasin shpresën dhe toruan nga temat e lehta të propagandës politiko-mediatike që shpërndahen në të gjithë vendin për shkak të lirisë që i kemi dhënë ne gjithckaje. Prandaj ne duhet të bisedojmë dhe të ballafaqojmë me ta të gjitha faktet, përballë të gjitha të pavërtetave. Ne do t'u shpjegojmë përse SEEC-i, kjo iniciativë rajonale e fokusuar në lunftën kundër trafiqeve dhe kriminalitetit, i jep medalje Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve, ndërsa një pjesë e Komunitetit Ndërkombëtar, një pjesë e institucioneve apo vendeve anëtare të BE-së vazhdon të vlerësojë se trafiqet mbeten problemi nr.1 i Shqipërisë. Ne duhet të sqarojmë shtetasit se pse dhe ku ndryshojnë qëndrimet e institucioneve partnere ndërkombëtare nga njëri-tjetri sepse institucionet ndërkombëtarë janë të pranishme jo vetëm në zyrën time apo në Tiranën tonë, janë të pranishme dhe me misione, ekipe lëvizëse apo permanente ne të gjithë Shqipërinë.
Unë kam dalë në ekrane TV gjithashtu, bie fjala së bashku me Presidentin e BERZH-it në një vizitë të parë historike të tij në Shqipëri, për të gëzuar bashkë me të gjithë thithjen e 100 milion euro kredi nga banka që ai drejton, në fare pak kohë dhe me shumë mund për shkak të ekspertizës së qeverisë dhe të ekspertëve ekonomikë të saj, në bashkëpunim me sipërmarrjen e madhe që operon legjitimisht në Shqipëri. Përballë kësaj ka ende "ekspertë ndërkombëtarë", që ka rrezik jo vetëm të marrin 7-fishin e rrogës së kryeministrit por edhe më shumë sesa presidenti i vet BERZH-it në muaj, që na vijnë nga saunat nordike dhe raportojnë pa ndryshuar as një qime në dy vjet se "Shqipëria kërcënohet nga trazira sociale". Ne duhet t'u shpjegojmë shtetasve edhe në Tropojë edhe në Librazhd, edhe në Sarandë apo në Dibër, në Shkodër, edhe në Tiranë, cili është thelbi realisht dhe nxitës, ekzigjent dhe kritik për të arritur një vlerësim edhe të partnerëve ndërkombëtarë për procesin në të cilin Shqipëria është përfshirë vrullshëm.
Përsëris se tashmë Shqipëria ka hyrë në një proces cilësisht të ri marrëdhëniesh me Bashkimin Europian. Cështjet kanë lëvizuar , nga raportet diplomatike, në partneritet të programuar, në axhendë reformash që monitorohen dhe vlerësohen në një spektër shumë të gjerë institucional, shoqëror, ekonomik dhe jo vetëm qeveritar. Nëse deri para hapjes së negociatave vendi përjetonte fazën e dëshirës për integrim, disi romantike në lidhje me këtë proces, tashmë duhet të jemi të sigurt por edhe të qartë se kemi hyrë në një proces bashkëveprimi dhe administrimi të përditshëm të detyrave të integrimit, të cilat duke qenë të sakta kanë edhe titullarë dhe përgjegjës preçiz.
Kjo është arsyeja thelbësore përse ne preferojmë intensifikimin e kontaktit dhe të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar. Kjo është arsyeja themelore pse i mirëpresim kritikat e tyre edhe kur ato mbartin një imazh perceptimi që nuk mbështetet në të gjithë informacionin e duhur. Të kritikosh një shok apo një partner do të thotë të kesh besim se ai mund të eci më mirë sesa deri më sot. Nëse pyesim se sa kritike është situata për shkak të deklarimeve të ndryshme, besoj se mund ta qetësojmë ndërgjegjien po të kemi parasysh se shpesh herë jam akuzuar nga opozita si opozitari më i madh, unë kryeministri dhe Kryetari i partisë, sepse kam qenë edhe më shumë kritik ndaj një vargu dukurish të qeverisjes apo të jetës sonë shoqërore. Të kritikosh do të thotë të shfaqësh angazhim politik dhe publik , të kërkosh partneritet social dhe politik brenda dhe jashtë vendit me gjithë faktorët që e kërkojnë drejtësinë dhe standartin e administrimit publik në nivel të kohës.
Ne ndajmë të njëjtat shqetësime me partnerët tanë euroatlantikë dhe e konsiderojmë të hapur dialogun me ta, prandaj jemi konstruktivë në këto raporte sepse shikojmë se cdo intensifikim dialogu dhe transparenca e tij me publikun krijojnë mundësi më të gjera, jo vetëm për të qartësuar situatën por edhe kër të kuruar dobësitë e një sistemi në tranzicion apo abuzimin me privilegjet e pushtetit, kudo që shfaqet Cdo hap i ri i dialogut të Shqipërisë me BE-në, apo NATO-n, me OSBE-në apo Këshillin e Europës ne e konsiderojmë një mundësi të re për të konsoliduar partneritetin dhe besimin reciprok. Prandaj është i rëndësishëm që ta kuptojnë të gjithë përfaqësuesit dhe njerëzit, përndryshe mjegulla e moskuptimit, e përhapur dhe mediatikisht, apo e përhapur në mënyrë spekulative dhe të interesuar nga një opozitë e paaftë për të konkuruar në procesin e integrimit do t'i bëjë njerëzit minimalisht të mos votojnë, të mos marrin pjesë në votime, por dhe të gabojnë shënjestrën e votës dhe ky është një rrezik real, nëse përgjegjësitë nuk individualizohen, për të mos iu veshur gjithë partisë dhe sakrificës së saj shumëvjecare.
Në këtë kuptim ka vlerë të kuptojmë gjithashtu më mirë se procesi ynë i afrimit me BE-në nuk është vetëm nacional, nuk është vetëm dypalësh, është edhe rajonal. Dhe në rajon Shqipëria luan një rol të pazëvendësueshëm, përndryshe pa këtë rol të Shqipërisë rajoni nuk do të ishte kaq i ndryshëm sepse në të gjithë rajonin jetojnë shqiptarë dhe PD me qeverisjen në mazhorancë prej 7 vjetësh e ca nuk i ka lejuar shqiptarët të sillen ndryshe. Nuk e ka bërë si qendër kombinterrnase ketë gjë, por duke punuar me ta, duke ndarë të njëjtin informacoion me partitë politike shqiptare kudo që ato veprojnë legjitimisht, duke intensifikuar dialogun dhe me to ashtu si dhe me qeveritë e vendeve ku jetojnë shqiptarët në rajon. Prandaj nuk mund të ketë dy standarte vlerësimi as nga ne as nga ndërmbëtarët për rolin e qeverisë së socialistëve në optikën e europianizimit të rajonit dhe të afrimit të tij me BE-në.
Nuk mund thjeshtë të përshëndetemi për rolin dhe politikën tonë moderatore dhe konstruktive në rajon dhe të akuzohemi rëndë se jemi kërrusuar nga krimi, jeta politike është e kriminal;izuar dhe gjithë ekonomia qarkullon para kriminale. Nuk mund ta bëjë këtë një klasë politike, një qeveri, një mazhorancë që lufton krimin e vjetër në rajon dhe bashkëpunon me qeveritë dhe institucionet e specializuara të luftës kundër krimit në Rajon (Tani punojmë me shërbimet sekrete malazeze, maqedonase, shqiptare , greke e serbe me njëra-tjetrën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar). Nuk do kishte vend kaq kollaj relativisht llogari në Gjykatat shqiptare, Gafurr Adili apo Idajet Beqiri nëse politika shqiptare do të ishte shumë e inkriminuar, kështu që dhe lëvizjet e ardhshme që kanë në platformë, parti politike apo grupime që udhëhiqen nga emrat që thashë,janë gjithashtu pjesë e trafiqeve.
Në këtë kuptim ka vlerë edhe arsyetimi nga e kundërta, pasi jetojmë në realitete të hapura dhe globale, pra ç'ndodh në Shqipëri nuk mund të mos reflektohet në rajon. Për pasojë me që në rajon po ndodhin gjëra shumë pozitive, është paradoks të thuash që rajoni ka ndryshuar, Maqedonia po ecën më shpejtë se Shqipëria dhe Shqipëria nuk ka ndryshuar.
Në këtë kënvështrim të gjerë të proceseve integruese cdo socialist, progresist apo qytetar i ndershëm nuk mund të pranojë fyerjen apo diskriminimin kombëtar që vjen nga renditje komerciale apo alibike të Shqipërisë në klasifikime të errëta, të cilat tashmë është plotësisht e qartë ushqehen nga disa matrapazë që me mandatet e shqiptarëve dhe sidomos tonat, mbjellin dhe duan të përfitojnë në kurriz të shtetasve të këtij vendi dhe nuk guxojnë të japin as llogari ku i gjejnë paratë për të shkuar dhe për të vjellë në kanceleritë ndërkombëtare. Pra nuk mund të pranojmë që disa individë të fshehur pas dekoratave dhe bëmave të dikurshme, të vegjetojnë apo të dëmptojnë sot të ardhmen e të gjithëve.
Kuvendimi i Madh është vetëm fillimi i përfshirjes drejtpërsëdrejti të shtetasve në politikë, për të krijuar një klime tjetër në vlerësimin dhe marrjen e përgjegjësive qeverisëse në mbarë vendin. Ai nuk mbaron sipas kalendarit që ju keni mbi tryeza, por do të kulmojë me kontributin e drejtpërdrejtë që anëtarësia dhe shtetasit votues të cilët ftohen të marrin pjesë të rrinë në mjediset e Kuvendimit tonë, sic nuk ua dhunon njeri lirinë për t'u larguar nëse nuk u pëlqen, të gjithë këta të japin votën e tyre, dhe kjo është detyrë nr.1 e të gjithë ne për ta dëgjuar dhe lexuar votën e tyre për përfaqësuesit tanë në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë.
Në mbledhjen e fundit të Kryesisë të PSSH ne arsyetuam se ka ardhur koha e ngritjes së një grupi pune për të studiuar dhe formuluar edhe ndryshimet në statut për kapitullin 16 që sanksionon rregullat për përzgjedhjen e kandidatëve për përfaqësuesit dhe të mandatuarit e partisë, duke i shkuar deri në fund filozofisë dhe reformës sonë statutore që është mbështetur tek principi i demokracisë direkt. Gjykuam se do i shkojmë deri në fund përzgjedhjes së përfaqësuesve dhe të mandatuarve me parimin vjeljes së mendimit dhe votës së cdo anëtari. Kjo natyrisht kërkon ndryshime dhe plotësim të ciklit të ndryshimeve në Statutin e partisë. Cdo njeri që mendon se mund të përfaqësojë me aftësi dhe moral PSSH në Kuvend, duhet të bindë së pari anëtarësinë e cdo zone elektorale apo komuniteti zgjedhësish, pastaj forumet qëndrore.
Kjo bëhet me integritet moral e politik të drejtëpërdrejtë, me figurë të pastër dhe reputacion që vlerësohet në cdo takim me zgjedhësit dhe takimi i parë me zgjedhësit është ai i demokracisë direkte në parti. Nuk mund të ndodhë më, nuk mund të lejojmë më që të votohen apo mos votohen, të humbasin zgjedhjet në këtë rast, njerëz vetëm sepse i dërgon qendra. Pra në një rast baza i pret me alergji, në rastin tjetër qendra i dërgon gabimisht duke mos vlerësuar se alergji e bazës ndaj tyre do t'i djegë, jo vetëm ata por edhe zonën apo numrin tonë të mazhorancës. Pra pjesa gjeneruese e Kuvendimit të Madh do të synojë demokracinë direkte dhe vetëm kështu secili mund të konsolidojë kredencialet dhe ekipet.
Të shkojmë relativisht një numër i kufizuar njerëzish përfaqësues për të takuar zgjedhësit, le të themi më shumë prej Kuvendimit, nuk duhet të kthehemi me radhë të sakatuara, le të ftojmë përfaqësues, ekspertë, njerëzit e ndershëm dhe t'i rekrutojmë politikisht si partnerë nga radhët e shtresave ku jemi pak të pranishëm.
Ky është kundërveprimi ynë i strukturuar qartë dhe i përgjegjshëm ndaj fushatave të njëpasnjëshme që nuk reshtin nga opozita e organizuar apo jo dhe që synon të krijojë përshtypjen që socialistët dhe aleatët mezi po shtyjnë ditët në pushtet, ndërsa opozita mezi po pret t'i dhurojmë celësat. Kjo duhet të tingëllojë si një thirrje vigjilence për të gjithë ju, sepse unë kam ndeshur edhe tek disa prej jush pesimizmin dhe ankthin e konsumimit qe për fat të mirë është akoma i pa formatuar. Ata që e shprehin, e ekstravolojnë: e kanë fajin ca të tjerë – thonë, por nuk investohen për të argumentuar dhe verifikuar që nuk është kështu.
Këto zëra janë shtuar vecanërisht pas krijimit të LSI dhe shkëputjes prej nesh të disa deputetëve në mënyrë folkloriko-tradicionale, domethënë jashtë koncepteve karteziane të demokracive legale, ku ikja nga një program politik duhet shoqëruar me dorëzimi e mandatit, përderisa nuk je dakort me kredencialet për të cilat je votuar më parë.
Nuk është rasti sot për të bërë renditje shifrash dhe arritjesh të qeverisjes sonë, nuk është kjo e vemja mënyrë për të përballuar debatin me opozitën e ndryshme. Problemi është që edhe opozita ka filluar të jetë transparente dhe kur është opozita jonë transparente ju e dini cfarë ndodh, e nxjerr dështimin, shterpësinë, egërsinë, reminishencën, mostransformimin që është aty, jo vetëm në krye por edhe në bazë te partise, hapur dhe në mënyrë të përsëritur para publikut. Cfarë të tregonte tjetër z. Berisha, pak ditë më parë nëpërmjet fjalës së tij në Këshillin Kombëtar të PD. Ai rikonfirmoi se sa larg është Partia Demokratike prej standarteve dhe parametrave demokratikë te PS-se, që kanë ndjekur ritmin e kohës. Një parti e tillë nuk mund të jetë afruar kaq papritmas me injeksione mediatike apo me ca copra rezolutash që kur votohen me 35 deputetë nga 500 e ca në Asamblenë e Këshillit të Europës, nuk mund të deklarohet papritmas apo të mendohet ndonjëherë se kjo gjë i ka afruar pushtetin. Për të bërë cfarë? Atë që bëri, kur nuk ka ndryshuar?
Opozitat e reja, që kanë dalë edhe nga gjiri ynë, duke u hequr në rolin e oponentëve të inatosur, po flasin me të njëjtën gjuhë. Ilir Meta zbuloi gjurmë "gjaku bullgar" në Berat. Tashmë demokracia shqiptare dhe institucionet tona demokratike kanë nevojë për standarte të tjera, të cilat ne i kemi përqafuar të parët dhe prandaj jemi kaq vulnerabël, sepse një demokraci funksionuese kërkon trasparencë dhe dhënie llogari publike. Kur erdhi Ajala në Kongresin tonë të 6-të, tha : Mos e keni tepruar me kamerat brenda? Mesa duket, duhet tepruar në dicka për të kompensuar teprimin në mungesa gjatë regjimit të mëparshëm. I mëparshëm është edhe regjimi i Berishës.
Pra me këtë investim politik dhe njerëzor për t'u shpjeguar njerëzve këto të verteta, këto standarte që përqafuam ne në demokracinë e brishte shqiptare, fillimi është t'i ndihmojmë ata të kuptojnë kudo se as skenare gjeorgjine, as bullgare nuk kanë vend në Shqipëri. Nuk e kam fjalën për skenarin që i rikthen monarkistet në pushtet, e kam fjalën për skenar ku bashkohen dreqi me të birin dhe marrin pushtetin pa zgjedhje.
Kjo është alternativa që ofron opozita në Shqipëri, përballë kësaj qeverisjeje problematike, por substancialisht të suksesshme të socialistëve pas 7 vjetësh. Nuk mund të ishte Shqipëria një histori suksesi, e vlerësuar edhe para dy ditësh nga ish-zv/presidenti i BB-së, i cili ka punuar që nga viti 97 kundër piramidave me ne, nëse qeverisja jonë do të ishte një histori dështimi. Dhe këto nuk janë për t'i marrë "toptan", sepse ka probleme, por kualifikimet "toptan", si nga opozita apo nga ndonjë vektor ndërkombëtar nuk funksionojnë, nuk i puthiten realitetit kaq vital dhe dinamik shqiptar.
Cila është alternativa e opozitës, të qëllojë kundër helikopterëve dhe shtetit apo të partnerëve që punojnë me ne për të luftuar krimin apo drogën. Në Lazarat plumbat ishin prej vërteti, në gojën e Berishës, dhuna është verbale: do ta zgjidhim vetë –sipas skenarit gjeorgjian situatën. Nga ana tjetër, kjo është një arsye e fortë që ne të mos tolerojmë apo të tregohemi të mefshtë për t'i kuruar dhe korigjuar gjërat që janë bërë mbrapsh, apo që nuk shkojnë me ritmin e duhur. Kjo do të ishte e rëndë sepse kështu do t'i dhuronim pushtetin opozitarëve që nuk dinë të qeverisin, por që mendojnë vetëm me sy të etur për hakmarrje, pasuri, pushtet të pamerituar, ruspa, pranga, të cilat pa asnjë diskutim jo vetëm do të destabilizojnë Shqipërinë, por do të destabilizonin edhe rajonin.
Natyrisht, kjo nuk bëhet duke e mbajtur ne me forcë pushtetin, sepse parimet demokratike ne i kemi të shenjta, përkundrazi, kjo bëhet me një rizgjim total të energjive dhe të njerëzve që kanë siguruar këtë progres në mbarë vendin.
Prandaj një nga synimet kryesore të Kuvendimit do të jetë korrigjimi i vetvetes, sepse vetëm kështu ne do të mbajmë larg pushtetit duar të papërgjegjshmish dhe aventurierësh, që kanë treguar se dinë ta djegin dhe jo ta ndërtojnë Shqipërinë. Edhe ju, besoj ashtu si unë keni dëgjuar apo lexuar interpretime mediatike apo servilësh politik që thonë se Berisha ka ndryshuar, është bërë më i hapur, më civil, më tolerant. Bile janë entuziasmuar që në vitin 2004 gjeti kurajon për të ftuar shoqërinë civile për bashkëpunim.
Shumë nga përfaqësuesit tanë vijnë nga Shoqëria Civile. Kështu që nuk besoj se mund të lejonim që njerëzit kudo në Shqipëri, njerëzit tanë në radhë të parë, të fillonin të tundoheshin nga ky iluzion se paska ndryshuar Berisha, një njeri që në themel të ditës së tij të punës, ka mashtrimin. Nuk besoj se mund ta besojë këtë, pavarësisht nga halli që e ka zënë, as Nikollë Lesi dhe jo më gazetarë të paditur apo të burgosur prej Berishës, të cilët nuk mund të harrojnë që ky njeri, i veshur me pushtet, i ka masakruar, prandaj nuk mund të jetë e vërtetë që u paska kërkuar ministrave të tij në atë kohë që të mos padisnin gazetarët dhe ata janë rebeluar dhe nuk ia paskan zbatuar urdhërin.
Kjo mbledhje e KPD është e para që zhvillohet pas largimit nga PSSH të një numri anëtarësh dhe deputetësh të cilët janë bashkuar në atë që quhet LSI. Si Kryetar i PSSH më lejoni t'ju raportoj se drejt LSI kanë kaluar 9 deputetë nga 75 që ka gjithsej Partia Socialiste, 3 anëtarë të Kryesive të PSSH në rrethe nga 500 të tillëve në të gjithë vendin, 24 anëtarë të KD të rretheve nga rreth 2000 të zgjedhur në forumet e rretheve, 2 kryetarë të KZ nga 400 që janë në të gjithë vendin, 32 kryetarë organizatash nga 4218, vetëm 1 kryetar bashkie, 2 kryetarë komunash dhe 13 anëtarë të Këshillave bashkiaken apo komunale në 186 njësi vendore me drejtues dhe maxhorancë socialiste. Pra më lejoni t'ju them se një pikë uji në det na ka humbur, edhe sepse nga Kongresi i 6-te i PSSH-se jemi shtuar me 10 mijë anëtarë.
Unë personalisht po ndjek me seriozitet veprimtarinë politike të LSI-së, këtij grupimi që doli nga gjiri ynë. Siç e kam thënë, ne nuk e mallkuam atë, sepse ne kemi një moral të ndryshëm nga Berisha, ne e pranojmë lirinë, sepse liria është thelbi i jetës sonë politike demokratike. Deri tani ky grupim është sjellë si një parti e së majtës dhe që po tenton të shtojë ngjyrat e spektrit të së majtës shqiptare në përgjithësi. Unë nuk po arrij të gjej ndonjë gjë të re në arsyetimet tyre, të pathënë në programet tona. Edhe ata nuk po arrijnë të gjejnë ithtarë realë nga e majta reale. Po lëvizin në terrene që ose nuk kanë shumë autorësi politike, ose në terrene të pakënaqurish nga parti të tjera gjithashtu, përvec të pakënaqurve tanë, në terrene ish-ësh që janë bërë të tillë për shkak të informalitetit në të cilin janë përfaqësuar politikisht, apo administrativisht, ish doganier, ish policë, ish biznesmenë të sukseshëm, tani në vështirësi, ish evazionist fiskalë, ish ambasadorë. Ky grup shokësh deri tani i ka shprehur qëndrimet e veta brenda partisë sonë. Tani "u rritën" dhe dolën në "shtëpi më vete", dhe ne ndaj miratuam ligjin e legalizimit për shtëpi të bëra pa leje, edhe në periferi të Tiranës, deri në 500 m2. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim me vëmendje aktivitetin e tyre, ashtu siç ndjekim edhe aktivitetin e partive të tjera politike shqiptare. Dhe kjo nuk është fjala e fundit, pasi fjalën e fundit do ta thonë zgjedhësit dhe me shumicën elektorale me të cat ne dimë të flasim.
Vetëm disa muaj na ndajnë nga zgjedhjet politike të vitit 2005, ku Partia jonë së bashku me aleatët e vet progresistë, do të investohet me të gjitha forcat për të rikonfirmuar mandatet qeverisëse që i shërbenjë përmbushjes së misionit tonë historik, realizimin me substancë të detyrave të integrimit europian të Shqipërisë. Nuk duhet të ketë ekuivok në mendjen e askujt për këtë gjë. Kjo është një bindje që sa vjen dhe përtërihet në mjedisin tonë politik. Kjo do të thotë se para së gjithash ne na duhet të vazhdojmë të sakrifikojmë për të fuqizuar shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike, ekonominë e tregut, në mënyrë që standartet e pakapura ende të bëhen të prekshme për të gjithë njerëzit.
PS dhe mazhoranca qeverisëse ka përgjegjësinë, përvec detyrimit kushtetues e ligjor, për të pergatitur zgjedhjet e ardhshme për në Kuvendin e Shqiperisë, që ato të jenë të njohura dhe të pranuara nga të gjitha forcat politike në Shqipëri dhe të çertifikuara sipas standarteve nga institucionet përkatëse ndërkombëtare.
Si drejtues i mazhorancës, deklaroj publikisht se ne kemi vullnet të plotë që të japim të gjitha kontributet politike dhe ligjore që ky proçes zgjedhor të jetë i pakontestueshëm, pavarësisht nga rezultati zgjedhor që do të marrë secila parti. Unë e kam thënë dhe e përsëris: për ne është më i rëndësishëm standarti dhe jo rezultati, sepse vetëm mbi bazën e standarteve rezultatin ne as nuk e manipulojmë as nuk e dhurojmë, nuk e falim.
Nga kjo foltore konfirmoj se maxhoranca që unë drejtoj e ka kuptuar shumë mirë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për fatet e proçesit të Asiociim-Stabilizimit të Shqipërisë në BE dhe le të jetë i qartë cdo ndërkombëtar se i kemi kuptuar shumë mirë të gjitha mesazhet që vijnë në këtë drejtim. Komuniteti ndërkombëtar dhe vetë zhvillimet e vendit janë në harmoni me kërkesën për më shumë shenja të qarta vullneti nga gjithë klasa politike shqiptare, për të përmbushur strandartet zgjedhore.
Nuk mund të përparojë imazhi apo vlerësimi i Shqipërisë si vend demokratik që po zhvillohet, pa standarte të qëndrueshme ndërkombëtarisht të pranuara zgjedhore. Pra nuk ka asnjë në gjirin tonë që mendon, aq më pak qe investohet, që me makinacione politiko-elektorale të realizojë qëllime të ngushta politike, elektorale, sepse e dimë se para se të na vijë ndonjë certifikatë negative nga organizatat ndërkombëtare, do të na ndëshkojë publiku shqiptar, nëse veprojmë kështu.
Duhet ta kuptojmë shumë mirë që zgjedhjet e ardhshme janë në radhë të parë një çertifikatë për PS-në dhe qeverisjen e saj. Duke respektuar të gjitha normat ndërkombëtare të njohura dhe të pranuara, kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar, qeveria shqiptare e kësaj mazhorance është e angazhuar për ta përmbushur detyrimin që i ngarkon kuadri legal.
Për të gjitha këto arsye PS ka nënshkruar Protokollin e bashkëpunimit duke demonstruar se ne jemi të angazhuar politikisht për të përmbushur pa asnjë devijim të gjitha rekomandimet e të gjitha Raporteve te OSBE/ODIHR të pas zgjedhjeve të 2001 dhe 2003.
Pa asnjë ekuivok, konfirmoj si kryeministër dhe drejtues i PS-së, se ne njohim dhe pranojmë pa anjë rezervë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe pa asnjë kusht jemi të angazhuar dhe të vendosur për t'i plotësuar ato të gjitha.
Për të përmbushur këto detyrime ka shumë çeshtje të cilat kërkojnë rikonsiderime dhe më pas amendime në legjislacion bazuar në këto rekomandime. Mbi bazën e këtyre rekomandimeve, PS ka ngritur një grup ekspertësh, të cilët janë duke përpunuar në drafte ligjore shumë prej tyre.
Bazuar në këto rekomandime, i kemi ftuar dhe vazhdojmë t'i ftojmë të gjithë faktorët politikë apo jo politikë që të thellojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me qëllim që ky proçes të marrë zgjidhje të plotë, të qartë dhe transparente. Ne nuk kërkojmë as më shumë dhe as më pak sa në Raportin dhe vlerësimet përkatëse të OSBE/ODIHR rekomandohet. Megjithëse ndajmë pikpamje dhe vlerësime krejt të kundërta për këtë çështje me PD, në konteksin e një proçesi zgjedhor të pranuar nga të gjitha palët, PS ka vullnetin që të diskutojë dhe të gjejë zgjidhje për këto çështje kontestuale.PS i kërkon PD-së që të rikonfirmojë në mënyrë të qartë se në zgjidhjen e kësaj çështjeje do të respektojë atë që rekomandohet në Raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhje.
PS në lidhje me vlerësimin dhe qëndrimin ndaj institucionit të KQZ-së, ka të njëjtin qëndrim në substancë dhe në gërmë sikurse ka OSBE/ODIHR,shprehur në raportet e tij të ndërmjetme gjatë zgjedhjeve të kaluara, si dhe në Raportin përfundimtar. Në këto raporte ky institucion është vlerësuar për profesionalizmin, transparencën, pavarësinë dhe bashkëpunimin me Misionin Vëzhgues ndërkombëtar.
PS e ka mbështetur këtë institucion për të zbatuar ligjin, bazuar vetëm në principet e respektimit të institucioneve që ngarkon ligji për të administruar zgjedhjet dhe nuk ka të bëjë me interesa të ngushta elektorale. Në mënyrë të qartë deklaroj se ne nuk kemi përfaqësuesit apo më keq marionetat tona politike në atë institucion, siç i ka dikush tjetër, tashmë një fakt i njohur nga opinioni i gjerë publik dhe nga faktori ndërkombëtar.
PS, në përmbushje të Rekomandimeve të OSBE/ODIHR, duke respektuar Kushtetutën, do të mundësojë shumë shpejt zgjidhjen e pretendimeve të PD-së mbi besueshmërinë e këtij institucioni. Në këtë zgjidhje ne nuk do të largohemi nga principet për të ndërtuar një institucion më kredibël, më profesional dhe më të pavarur.
Ne jemi kundër të ashtuquajturave "balancime" politike të përbërjes së institucionit të KQZ-së, por jemi gati që të mbashtesim krijimin shumë shpejt të mundësive për kontribute të balancuara të të gjitha palëve në atë që dhe BE në deklaratën e fundit e konsideron "përmirësim të përbërjes së KQZ-së".
Përfitoj nga rasti të ftoj veçanërisht PD-në që të punojmë së bashku në këtë drejtim duke gjetur zgjidhjet ligjore të përshtatshme, të cilat forcojnë kredibilitetin e KQZ-së dhe konsolidojnë progresin e bërë prej tij nga zgjedhjet e fundit në zgjedhjet e ardhshme.
Procesi i zgjedhjeve të ardhshme ngec apo bllokohet tek përgatitjet reale e listave të sakta të zgjedhësve. Ne ftojmë PD-në që të mos e kondicionojë këtë çështje me të tjerat, e dimë pse e bën, të të shtuar karakterin alibik kë ka rrethuar të gjitha konkurimet e saj të fundit dhe që do të rrethojë edhe konkurimin e saj të ardhshëm për të sfumuar arsyet reale të mungesës së aftësisë konkuruese, pra edhe të humbjes së PD-së në zgjedhje.
Kompleksiteti i saj kërkon një zgjidhje urgjente. Qeveria garanton se është e angazhuar dhe e vendosur për të eleminuar problemet e konstatuara në zgjedhjet e fundit. Prandaj edhe iniciativa e grupit parlamentar të PS-së për të kërkuar mbështetjen e Kuvendit për ndërhyrjen në përmirësimin e kuadrit ligjor për përmirësimin e listave, është instrumenti i duhur që garanton zgjidhjen pa humbur në kohë.
Reforma zgjedhore për zgjedhjet e 2005 duhet te rikonsiderojë dhe shumë çështje të tjera, prandaj mazhoranca dhe opozite do të duhet te rifitojnë shumë shpejt kohën e humbur. Pas përfundimit të përmirësimeve që duhet t'i behen Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e 2005 do të propozoja që brenda kësaj legjislature të punojmë për një proces zgjidhjesh më afatgjata të reformës zgjedhore. Konsideroj që realizimi i një refome të thellë zgjedhore për një tërësi rregullash më të qëndrueshme për të ardhmen ,nuk mundet të ketë kohë më të mirë se sa përpara se të dimë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.Në gjithë botën demokratike, reformat e vërteta të procesit zgjedhor aktivizohen në zgjedhjet e ardhshme dhe jo në ato të radhës. Ne kemi mundësi që të ndërtojme përfundimisht dhe në bazë të eksperiencave më të përparuara demokratike nje sistem zgjedhor jashtë interesave të çastit dhe me kontributet e të gjithëve.
Ne kemi vlersuar dhe vlersojmë si përpjekje që burojnë nga interesi për të parë progres në Shqipëri, angazhimin e Zyrës së OSBE-së dhe do të dëshironim që kjo mbështetje dhe kjo asistencë të vazhdonte.
KJo qe arsyeja që unë i shkrova direkt, në emër të mazhorancës, OSBE/ODIHR-it, Drejtorit të saj për të asistuar dhe mbështetur me ekspertizë këtë proçes. Kjo nuk do të thotë se ne shmangemi nga autorësia apo ushtrimi i sovranitetit politik dhe ligjor të politikës shqiptare në këtë cështje sensitive.
Duke mos rënë pre i debatit shterpë mbi përgjegjësitë e secilës pjese të politikës në të shkuarën mbi këtë çështje, me qëllim që të mos humbasim kohe sikurse kemi humbur deri tani, unë ftoj Kryetarin e Partisë Demokratike, si parti kryesore e opozitës që t'i bashkohet me përgjegjësi dhe haptazi këtij angazhimi themelor për reformë zgjedjore të shpejtë dhe të qëndrueshme. Sepse forumi më i lartë drejtues i PS-së që lëshon këtë angazhim të pandryshuar është prova më e mirë e seriozitetit të investimit të forcës më të madhe politike në vend në sipërmarrjen politike e ligjore që i kapërcen interesat tona dhe që i shërbën imazhit, stabilitetit dhe progresit të vendit në mjedisin europian.
Jam i bindur se Konkluzionet e Kuvendimit të Madh do të orientojnë hartimin e platformës fituese elektorale të zgjedhjeve 2005, pasi ky proces do bazohet direkt në analizën e realiteteve dhe në nevojat e reja për reforma dhe zhvillim të pandërprerë europian të vendit.
Ju faleminderit!