Kryeministri Fatos Nano priti sot, në një takim Ambasadorin e Finlandës në vendin tonë Alpo Rusi, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri. Kryeministri Nano në fillim të
Kryeministri Fatos Nano priti sot, në një takim Ambasadorin e Finlandës në vendin tonë Alpo Rusi, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.
Kryeministri Nano në fillim të takimit vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Finlanda në procesin e integrimit Euro-Atlantik të vendit tonë dhe theksoi se "Finlanda është një partner i dobishëm për Shqipërinë, jo vetëm në kuadrin e marrëdhënieve shumëplanëshe me Bashkimin Europian, por edhe në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona ".
Më tej Kryeministri u shpreh se Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit përbëjnë një treg shumë atraktiv dhe në këtë kuadër zoti Nano tha se "mirëpresim investimet e firmave të njohura finlandeze në fusha të ndryshme si në telekom, sistemin bankar, turizëm etj." Gjithashtu, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion se Dhomat e Tregtisë së të dy vendeve mund të ndikojnë shumë pozitivisht në këtë drejtim.
Kryeministri Nano në këtë takim theksoi se Shqipëria është maksimalisht e angazhuar në procesin e integrimit europian dhe në këtë drejtim "synojmë të përfundojmë sa më shpejt raundet teknike të negociatave me BE-në për t'i hapur rrugën nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit".
Nga ana e tij Ambasadori finlandez vlerësoi ecurinë e deritanishme të reformave të ndërrmarra nga Qeveria Shqiptare si dhe progresin e realizuar. Gjithashtu Ambasadori i Finlandës shprehu vlerësimet edhe për rolin dhe politikat e Qeverisë Shqiptare në rajon, si dhe perspektivën e qartë europiane të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit.