Kryeministri Fatos Nano priti sot paradite Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë Vlado Buçkovski. Të dy personalitetet e larta parakaluan perpara truprojeve te nderit ne ceremonialin zyrtar tÃ
Kryeministri Fatos Nano priti sot paradite Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë Vlado Buçkovski. Të dy personalitetet e larta parakaluan perpara truprojeve te nderit ne ceremonialin zyrtar të organizuar me kete rast, në ambjentet e Këshillit të Ministrave. Fillimisht, zoti Nano dhe zoti Buckovski zhvilluan një takim të veçantë (tet-a-tet) dhe më pas u zhvilluan bisedimet midis dy delegacioneve zyrtare.
Në takim dy personalitetet e larta diskutuan mbi nivelin e marrëdhënieve që ekzistojnë mes të dy vendeve tona, zhvillimet në rajon, proceset integruese rajonale dhe në strukturat euroatlantike etj.
Pas këtij takimi dy Kryeministrat dolën përpara medias në një konferencë për shtyp, ku fillimisht z.Nano dhe z.Buçkovski dhanë një deklaratë mbi çështjet e diskutuara në takim:
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Fatos Nano: I nderuar koleg pata kënaqësinë t'ju pres në Tiranë në vizitën tuaj të parë zyrtare pas krijimit të qeverisë së re maqedonase që ju kryesoni, si një provë e rikonfirmuar e dialogut të shkëlqyer politik midis qeverive dhe vendeve tona, që u konkretizua në bisedimet shumë të frytshme që sapo zhvilluam.
Edhe kjo vizitë e këto bisedime janë vërtetim i marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit që ka ndërtuar Shqipëria dhe Maqedonia, si shembull për të gjithë rajonin. Ne rikonfirmuan të gjithë mbështetjen, duke mirëpritur të gjithë progresin e Republikës së Maqedonisë në procesin e asociimit për integrim në BE. Duke parë njëkohësisht prej Kryeministrit Buçkovski të njëjtën garanci për mbështetje në procesin tonë të asociimit në BE dhe nënshkrimin e marrëveshjes përkatëse.
Bashkëpunimi ynë në fushën e integrimit në NATO është i shkëlqyer dhe ne riaktivizuam angazhimet për ta bërë bashkëpunimin e Kartës së Adriatikut një instrument edhe më të sigurtë për anëtarësimin e vendeve në NATO në samitin e ardhshëm.
Unë përgëzova dhe inkurajova Kryeministrin Buçkovski për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Ali Ahmetin, duke ndarë me kolegun të njëjtat angazhime dhe vlerësime për stabilitetin e Kosovës dhe vazhdimin e zbatimit me sukses të politikës së standarteve për një status të nxitur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.
Ne konstatuam me kënaqësi se të dy kryeqytetet tona po vazhdojnë dialogun me Beogradin, duke nxitur dhe integrimin e Unionit Serbi- Mali i Zi në inisiativat e bashkëpunimit rajonal, që stabilizojnë rajonin dhe përshpejtojnë reformat e integrimit euroatlantik.
Ishim në një mendje me Kryeministrin Buçkovski që viti 2005 do të jetë viti i thellimit dhe i zgjerimit të gjithanshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Do të zhvillohen së afërmi mbledhjet e Komisionit të bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar dhe të ujrave. Ministrat e Ekonomisë dhe Dhomat e sipërmarrjes do të aktivizojnë veprimtari të përbashkëta për shtimin e shkëmbimeve midis dy vendeve në kuadrin e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë.
Ne ramë dakort të ngarkojmë Ministrat e Jashtëm dhe të Rendit të identifikojnë lehtësi të mëtejshme për qarkullimin e lirë të njerëzve në dy anët e kufirit, veçanërisht në dobi të zgjerimit të marrëdhënieve dhe shtimit të lëvizjeve në zonat kufitare.
Ne përgëzuam dhe nxitëm bashkëpunimin e shkëlqyer midis ministrive tona të Rendit, midis policive kufitare, ministrive të Mbrojtjes dhe Shtabeve të Përgjithshme të Ushtrive tona, si dhe midis shërbimeve inteligjente në funksion të luftës kundër trafiqeve dhe për menaxhimin e integruar të kufijve në dobi të paqes e stabilitetit rajonal.
Jam shumë i prekur nga kënaqësia që zoti Buçkovski po përcjell këtë vizitë, duke falenderuar për mikpritjen tradicionale shqiptare, që unë i shfaqa.
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, z. Vlado Buçkovski: Konfirmoj kënaqësinë e madhe për vizitën e suksesshme si Kryetar i qeverisë së re të Maqedonisë. Vizitën e parë jashtë vendit, jam duke e zhvilluar pikërisht këtu, në Shqipëri. Kjo vizitë vërteton sërish miqësinë dhe partneritetin midis dy vendeve tona.
Mendoj se shembulli i bashkëpunimit të mirë midis Shkupit dhe Tiranës mund të jetë shenjë e mirë për të gjithë rajonin tonë.
Qëndrimet tona të ngjashme, qëndrimet e ndryshme, por edhe kompromisi duhet të jetë model dhe shembull i mirë sesi duhet të zgjidhen çështjet në këtë rajon.
Qëndrimi pozitiv që kemi në kuadrin e Kartës së Adriatikut i rrit mundësitë tona për të patur më shumë suksese të tilla.
Republika e Maqedonisë është e gatshme ta ndihmojë pa rezerva Republikën e Shqipërisë në afrimin e saj drejt Europës, përfshirë edhe ofrimin e përvojës tonë në lidhje me marrëveshjen për Stabilizim Asociim dhe përvojën në lidhje me pyetsorin e BE për fitimin e statusit kandidat për anëtarësim në BE.
Me kolegun tim, Fatos Nano, ramë dakort që viti 2005 të jetë me të vërtetë viti i bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Organizimi i Forumit Ekonomik, por edhe realizimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë do të jenë pikësynimet kryesore për angazhimin dhe bashkëpuinimin tonë në fushën e ekonomisë midis dy vendeve tona këtë vit.
Me firmosjen e projektit AMBO, në fund të vitit të kaluar, nga Kryeministrat e të tre vendeve, mendoj se kjo është një shenjë simbolike, se pas shumë viteve me të vërtetë bëhet realitet, realizimi i Korridorit 8-të. Prandaj mendoj se ketë vit ne do të bashkëpunojmë dhe do të punojmë shumë në realizimin e projekteve të infrastrukturës në kuadrin e Korridorit 8-të.
Dhe një herë faleminderit për mikëpritjen dhe për gjithçka që bën i zoti i shtëpisë për një qëndrim të këndshëm të delegacionit maqedonas.
Më pas dy Kryeministrat i'u përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.
Pyetje:Çfarë vendi zuri në bisedime çeshtja e Kosovës dhe lidhur me këtë, per cështjen e takimit të vijës kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës, sipas shtypit, Qeveria maqedonase po kërkon një mbështetje të Tiranës në këtë proces. Konkretisht, cfarë kërkohet nga Tirana, cfarë pritet nga Tirana?
Kryeministri Buçkovski: Nëse më lejon miku im Fatos Nano, unë do të përgjigjem shumë shkurtimisht për këtë pyetje. Është e vërtetë që kërkuam ndihmë nga Republika e Shqipërisë në lidhje me demarkacionin, apo në lidhje me shënimin e kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës, me atë që shënimin e kufirit do ta fillonim në mënyrë simbolike midis trekëndëshit mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Në lidhje me të gjithë këtë, kuptohet, nevojitet edhe përkrahja e UNMIK-ut, por edhe e Beogradit zyrtar dhe të përfaqësuesve të Prishtinës.
Kryeministri Nano: Duke përgëzuar dhe përshëndetur këtë iniciativë të Kryeministrit Buçkovski, ne u angazhuam ta përcjellim me vëmendjen e duhur sëbashku, në kuadrin e zgjidhjes hap pas hapi të të gjitha cështjeve që përfshin Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, si dhe angazhimeve politike ndërkombëtare dhe rajonale, për finalizimin e cështjes së Statusit të Kosovës, në bashkëpunim me SHBA dhe Bashkimin Europian.
Ne do të punojmë së bashku që ceremoni të tilla të evidentojnë dhe të konsolidojnë bashkëpunimin midis nesh, të ftojmë dhe të kemi të pranishëm autoritete përfaqësuese të Uashingtonit apo të Brukselit. Kosova ishte pra po kaq e pranishme në bisedimet midis nesh, sa ç'ka peshën e vet të padiskutueshme në stabilitetin e Ballkanit dhe vecanërisht në fillimin e vitit 2005, ku Kosova rikonfirmoi institucionet dhe qeverinë e saj legjitime të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Ne ndamë të njëjtin angazhim për të përcjellë me shumë kontribute të vecanta dhe të përbashkëta procesin e nisur për zgjidhjen përfundimtare të Statusit të Kosovës për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të Kosovës me të gjitha vendet e rajonit, të dialogut me Beogradin, si dhe të të gjitha cështjeve që mbeten për t'u shqyrtuar edhe me institucione të tjera ndërkombëtare.
Pyetje: Z. Nano, kur Shqipëria do ta pranojë emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë dhe cfarë mendoni, kur fillon demarkacioni. Sa është Shqipëria vërtetë e interesuar për demarkacionin e kufirit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, para fillimit të negociatave për Statusin përfundimtar të Kosovë?.
Kryeministri Nano: Unë besoj se këto cështje tashmë kanë marrë përgjigje. Shqipëria e ka njohur dhe e respekton emrin Kushtetues të Republikës së Maqedonisë në marrëdhëniet direkte me këtë vend dhe me institucionet e tij përfaqësuese.
Ne jemi gati të kontribuojmë në cilësitë e anëtarit të OKB-së dhe në të gjitha kontaktet ndërkombëtare për zgjidhjen, edhe në kuadrin e Këshillit të Sigurimit, të kësaj cështjeje, sepse ashtu si edhe për cështjen e demarkacionit të pikës ku takohen kufijtë e rinj dhe të hapur në rajon, ne besojmë se sa më pak cështje të mbetura pezull nga e kaluara të kemi, aq më i sigurt do të jetë stabiliteti dhe prosperiteti drejt integrimit euroatlantik të vendeve dhe të rajonit tonë.
Pra jam i lumtur që pres sot në Tiranë, Kryeministrin e Maqedonisë, mikun tim Vlado Buçkovski, me të cilin ndaj kufij të hapur që po bëhen gjithnjë e më të lirë për lëvizjen e njerëzve.