- Fjala e plotë e Kryeministrit në këtë takim- Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot pasdite në Forumin e dialogut "Shqipëria-sfida 2005", një tryezë e debatit politik, parlamentar, t
- Fjala e plotë e Kryeministrit në këtë takim-
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot pasdite në Forumin e dialogut "Shqipëria-sfida 2005", një tryezë e debatit politik, parlamentar, të shoqërisë civile dhe medias mbi sfidat të cilat duhet të përballojë Shqipëria gjatë këtij viti e organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias.
Në fillim të këtij takimi Kryeministri Nano u shpreh:
Ju falenderoj të gjithëve për respektin ndaj një inisiative të këtij mjedisi, të një inisiative civile, si dhe për pjesëmarrjen.
Unë dua që të kemi një komunikim sa më pak formal midis nesh, për shkakun e thjeshtë se në pozicione të ndryshme, jemi ne që vlerësojmë apo krijojmë opinionin për çka ndodh në këtë vend, në raportet e këtij vendi me rajonin. Nuk jam këtu për të qëmtuar ndonjë hapësirë për më shumë propagandë apo më shumë polemikë politiko-elektorale, meqenëse kemi hyrë në një vit zgjedhor. Jam këtu për të mundësuar që edhe drejtuesi i qeverisë të kuptojë më mirë atë që nuk merr dot nga ekspertët politikë apo civilë të administratës që drejton, ashtu si dhe për të dhënë më shumë informacion në dobi të shpërndarjes së duhur dhe të drejtë të elementeve, të sfidave që përballojmë, nuk janë thjesht të 2005-s. 2005 përfaqëson ndoshta sintezën e kurorëzimit të disa prej sfidave, për shkak se është viti logjikisht i kurorëzimit të negociatave për Asociim me BE dhe një vit zgjedhor.
Unë e konsideroj kontaktin midis nesh sot, si një rast shumë të volitshëm për të rrahur mendime dhe për t'u ngritur përtej debateve shterpe në një mesazh për qytetarët, për interesat kombëtare dhe për dinjitetin e njerëzve, që vazhdojnë të pranojnë dhe të paguajnë duke jetuar në këtë vend.
Ndoshta është risi që një institut i medias së lirë respektohet kaq shumë. Ky është vërtet një respekt për vetveten, për institucionet e medias së lirë dhe për pjesë të lirisë së sipërmarrjes materiale apo shpirtërore, që përfundimisht nuk mund të cënohet nga askush në Shqipëri, pavarësisht nga rotacionet e pushtetit. Prandaj dua ta shfrytëzoj këtë mjedis për të nxitur vazhdimin e ngritjes së opinioneve dhe të opinion-bërësve mbi retorikat e luftës së ftohtë apo mbi polemikat revolucionare, - pavarësisht që ne kemi nevojë ende për shumë lëvizje revolucionarizuese - në një mjedis ku ndikohet jo vetëm nga emancipimi i mendimit shoqëror dhe i vetë shoqërisë, sigurisht nëpërmjet partneritetit në dialog dhe frymës kritike në ballafaqimin e fakteve dhe të opinioneve.
Të jem i ndershëm më leverdis ky kontakt i fillim vitit dhe i mbylljes së 2004. Edhe tema që ju keni zgjedhur është e dobishme në kryerjen e njërit prej funksioneve të mia politike dhe ligjore, transparencës dhe atij që quhet "countabilitetit", në shqip pra të llogaridhënies, që duhet të kenë zyrtarët me opinionin publik. Qeveria është tani në momentin e përfundimit të analizave të punës së saj, e cila nuk është një punë e mbyllur dhe kjo është një shprehje e një cikli publik të punës së qeverisë. Do të vijmë brenda pak ditësh në konkluzionet e këtij arsyetimi, pasi është dhënë aq informacion sa kemi mundur në analizat sektoriale apo të dikastereve të veçantë. Unë nuk jam këtu për të vazhduar lojën e periferisë mediatike se kë do të kritikojë më shumë Kryeministri këtë herë dhe kush do të zëvendësojë kë, për këtë shkak. Natyrisht, kjo është e drejtë legjitime e njerëzve dhe e interpretuesve të mendimit të njerëzve në media.
Por, do të dëshiroja t'ju ftoja të ndaleshim në diçka tjetër. Vendi ka arritur në një nivel të caktuar, një stad të caktuar dhe ka parametra që e shprehin këtë gjendje të vendit, atë që drejtues vendesh normale,- përfundimisht Shqipëria është një vend normal,- e cilësojnë si gjendja e kombit apo e shtetit. Pra ka nevojë të vazhdojmë të citojmë shifra dhe unë këtë sot në mënyrë të veçantë nuk dua ta bëj për shkaqe propagandistike. Do të kërkoja vëmendjen tuaj pasi të arsyetojmë edhe në proces, që vlerësimin e shifrave ta zhveshim nga deklarimet apo abuzimet me to.
Duket se në 2004 vendi ka shënuar një progres të dukshëm, i cili po konsolidon parametrat kryesor të funksionimit të institucioneve, të administratës, të ekonomisë, të shoqërisë dhe të marrëdhënieve gjithnjë e më nxitëse, pra problemore me botën, duke filluar që nga rajoni.
Ka një situatë makroekonomike të qëndrueshme për disa vjet radhazi, por, këtë fakt dua ta qëmtoj në fillim të vitit 2005 për shkak të hapësirave që krijon stabiliteti makroekonomik, për plane më afatgjata sipërmarrjeje të aktorëve jo publikë gjithashtu, përveç një hapësire më të gjërë veprimi për zbatimin e strategjive kombëtare të zhvillimit dhe të prioriteteve që ato kanë, si dhe për marrëdhënie, arsyetime, llogaritje të partnerëve të huaj që mbështeten në këtë qëndrueshmëri të vendit, në një periudhë ku planet e biznesit, apo të fizibilitetit për projekte të ndryshme apo interesa që përshkojnë rajonin tonë bëhen më të garantuara, për shkak të stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë. Nuk është i vetmi parametër stabiliteti. Vendi me gjithë lëkundjet që shfaq, veçanërisht në plane të debatit politik, ka një stabilitet politik, ka një stabilitet parlamentar. Në të dyja këto, stabiliteti makroekonomik apo funksionimit të institucioneve shfaqet një stabilitet të ardhurash në rritje; të ardhura nga puna dhe sipërmarrja brenda apo nga flukset, sikur të qëmtonim veç ato nga emigracioni gjithashtu, të qëndrueshme në rritje, të ardhura nga jashtë, përveç donacioneve apo investime të huaja direkte gjithashtu në rritje.
Duket, pra, se ritmet e rritjes së qëndrueshme në nivel të lartë të Shqipërisë për disa vjet radhazi janë të vërteta, janë më cilësore, kanë më shumë faktorë dhe rrënjë në terrenin shoqëror dhe ekonomik të vendit dhe kjo na nxit të kuptojmë sesi po aktivizohen resurset që ka ky vend. Ato materiale, njerëzore, apo të kulturës, e cila tani është edhe kulturë sipërmarrjeje, si dhe të kuptojmë sesi mund të orientohet më mirë përdorimi i këtyre resurseve për të krijuar një profil më të qartë të Shqipërisë në tregun rajonal dhe më tej në ndarjen ndërkombëtare të punëve, pra një portofol shqiptar në procesin e integrimit, pra realisht të bërjes dhe të ekonomisë së tregut, të shoqërisë, të investimeve dhe të sipërmarrjes vendase më vulnerabël, më të prekshme nga sfidat dhe konkurenca globale.
Unë besoj se janë të lexueshme edhe parametrat e qëndrueshmërisë në rritje, pra edhe të rezultatit më të mire. Ajo që quhet në gjuhën administrative të kohës, performancë e administratës publike dhe për pasojë rritja e kapaciteteve të administrimit publik, në mënyrë të njëkohshme me rritjen e treguesve dhe të garancive për më shumë partneritet me botën,- botën që na rrethon dhe botën ku duam të integrohemi përfundimisht,-për shkak se interlokutorët në administratë, - për faktorë gjithnjë e më përfaqësues dhe cilësorë të botës moderne që punojnë me Shqipërinë,- janë të qëndrueshëm, janë të besueshëm dhe janë gjithnjë e më shumë prodhues, pra janë në gjendje të marrin edhe më shumë angazhime se më parë. Kjo është shumë motivuese në një moment kur rajoni po ecën drejt afrimit për integrim në BE, qoftë dhe me shpejtësi të ndryshme, në një kohë kur edhe Shqipëria për shkak të prokursionit, shtypjes së brendëshme dhe konkurencës në rajon kërkon të finalizojë sa më parë një stad të ri marrëdhëniesh kontraktore me BE, që është ai i Asociim-Stabilizimit dhe të shkurtojë kohën tjetër të tranzicionit për anëtarësim të plotë siç po ndodh me vende përreth nesh apo të ish- Europës Lindore.
Ka disa elementë që e bëjnë më të besueshëm, më proaktiv apo interaktiv këtë proces me gjithçka tjetër që po ndodh, sepse reformat apo investimi publik apo privat i të gjithëve, në asnjë moment nuk e neglizhoj kontributin tuaj, të shoqërisë civile dhe të sipërmarrësve jo politikë apo jo qeveritarë për integrim.
Të gjitha këto ndodhin dhe realizohen në një mjedis më të sigurtë, në një mjedis më pak të prekshëm nga krimi apo trafiqet, më pak i cënueshëm nga shembja e institucioneve apo paqëndrueshëmria e tyre dhe sigurisht shumë më pak i cënueshëm nga rreziqet e aventurizmit apo të ekstremizmit shtetëror apo politik në rajon, apo nga rreziqet e krimit të organizuar dhe trafiqeve në rrezet rajonale apo globale që na përshkojnë ende. Kjo shprehet sidomos në progresin e spikatur, të certifikuar dhe të stimuluar për më shumë, që ka vendi në çështjet e sigurisë, në afrimin me NATO-n, në bashkëpunimin për integrim në NATO, pranë së cilës jemi më afër sesa jo thjesht me BE por më afër se grup vende të tjera. Për këtë arsye na kërkohet që të jemi të vëmendshëm për ta shtrirë dhe konsoliduar konceptin e sigurisë rajonale më gjerë sesa "Adriatik 3", më gjerë sesa pjesa e qëndrueshme e rajonit, pra për të përfshirë Bosnje-Hercegovinën, Serbi-Mali i Zi dhe natyrisht Kosovën si entitet që ka marrëdhënie tashmë specifike dhe të veçanta me organizatat shumëpalëshe, me BE, me organizatat e sigurisë, që nga OSBE dhe NATO, deri tek Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i tyre drejtues i Sigurimit.
Më lejoni të jem i përmbledhur në një ekspoze të gjendjes së ekonomisë të vendit. Do ta bëjmë këtë gjë për të kuptuar se çfarë dimensionesh ka arritur organizmi ynë prodhues dhe konsumator, organizmi ynë që duhet të riprodhohet çdo ditë, sepse këto janë hapësirat për më shumë partneritet, për më shumë kosto që merr përsipër vendi dhe administrata e tij publike, cilado qoftë qeveria për të përballuar nevojat sociale, për të zbatuar programe sociale, për të bërë integrimin e shtresave sociale në nevojë, në tregun kombëtar apo në zhvillimin kombëtar dhe për pasojë për të pakësuar kostot e marrëdhënieve më të avancuara të shkëmbimeve, apo të ndërhyrjes së kapitaleve me tregjet rajonale me të cilat zbatojmë Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë, po me kompanitë globale ose banka që përfaqësojnë tregje globale, të cilat kërkojnë garanci për shlyerje borxhesh, nëse japin burime financiare të reja, të cilat besoj jeni të informuar se ka rënë ndjeshëm pesha e burimeve grant apo donacioneve që nuk kthehen për shkak, ekzakt, të dimensioneve që ka marrë ekonomia.
Tani jemi përballë sifdës së fitueshme, për të krijuar kapacitete thithëse të financimeve me kushte tregtare të paktën 8% e lart dhe të shlyerjes së tyre, duke programuar mirë atë pjesë të vlerës së re apo resurseve kombëtare, që duhet të shkojë në këtë funksion për të siguruar vazhdimësinë e marrëdhënieve me botën. Më lejoni të ritheksoj konceptin tim dhe të qeverisë, se në kushtet e ekonomisë globale ku po integrohemi është tregues aftësie konkuruese të dish të marrësh borxhe dhe të dish të punosh me borxhe. Pra një ekonomi që mund të thithë borxhe dhe mund të shlyejë borxhe është një ekonomi funksionale. E kam fjalën për çfarëdo shkalle ekonomie të qëndrueshme, edhe për një sipërmarrje të qëndrueshme në tregun kombëtar, edhe për një sipërmarrje të përbashkët me kapitale të huaja në tregun kombëtar, rajonal apo në tregun më të gjërë të Europës apo në ekonomitë globale, ku po lëvizin më lirisht. Të marrësh borxh do të thotë të dish të ndash riskun dhe të mbash përgjegjësinë e ndarjes së risqeve me partnerë, të cilët i monitorojnë institucione financiare të pavarura, banka, institute sigurimi, risigurimi apo institucione që arbitrojnë likujdimin apo falimentin. Për këtë arsye unë besoj se kanë një domethënie të re treguesit e dimensioneve që ka marrë organizmi ynë ekonomik.
Produkti i Brendshëm Bruto prej 9 miliard dollarë në vitin që kemi hyrë, nga 3 miliard që ishte në vitin '97, nuk dua të dominojnë arsyetimet e krahasimit të qeverive apo të politikave në këtë gjë. Dua thjesht të mbetemi tek fakti se kjo është një ekonomi shumë dinamike derisa arrin në 7 vjet të trefishojë prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Për pasojë jemi një rast i rrallë ndër ekonomitë e ish Europës Lindore që kemi tejkaluar, kapërcyer nivelin prodhimit të përgjithshëm kombëtar të komunizmit të vitit '89. Shqipëria është sot në nivelin e PBB, të prodhimit të brendëshëm bruto real është 114.3% në një kohë që përgjithësisht apo mesatarisht vendet e Europës Juglindore e kanë këtë tregues 79%. Kjo është shprehur edhe në 3-4 fishimin e të ardhurave reale për frymë, të cilat në vitin 2005 do të jenë 2850 dollarë amerikanë nga 2560 që u arritën në 2004 nga 651 dollarë që ishin në '97. Këta tregues, kjo rritje dhe kjo dinamikë nuk do të ekzistonin nëse nuk do të kishte një politikë dhe një kuadër të administrimit publik të stabilitetit makroekonomik të qartë dhe të përcaktuar mirë.
Më lejoni të pohoj ndershmërisht dhe me përgjegjësi se këta tregues, qeveria që unë drejtoj, maxhoranca që unë drejtoj, ka ditur t'i programoj dhe prandaj është shumë e stimuluar dhe motivuar kur raporton se është arritur të realizohen treguesit e programuar. Po marr pak elementë. Kontrolli i inflacionit. Është fakt që inflacioni nuk ka arritur të cënojë këtë dinamikë ekonomike, të rritjes së prodhimit të përgjithshëm kombëtar dhe të ardhurave që ai sjell për frymë. Pra nuk është vërtetuar ndonjë fenomen i erozionit të të ardhurave për shkak të inflacionit. Inflacioni dhe në 2004 u mbyll nën 4%.
Ne kemi arritur që këtë dinamikë ekonomike ta administrojmë në mënyrë më racionale, sepse ka rënë pesha e borxhit të brendshëm apo e borxhit ndërkombëtar që mban ekonomia, që shlyen ekonomia dhe për pasojë që u transmetohet vit pas viti taksapaguesve. Në '97 gjetëm një deficit prej 13% të Produktit të Brendëshëm Bruto, ose 13 lekë për 100 lekë vlerë të re duhet të shkonte për ta shlyer atë. Sot ky borxh ka zbritur në 5% të Produktit të Brendëshëm me tendencën për të rënë nën 5%, për të rënë në nivelet 3-3.5 %, që janë dhe nivelet e të funksionuarit me borxh që kanë ekonomitë e vendeve të BE. Në borxhin e jashtëm vendi ynë është në nivelet e 27% të Produktit të Brendshëm, ku vende të tjera afër nesh gjeografikisht, por më përpara se ne në nivelet e dinamikës ekonomike apo të treguesve të prodhimit dhe të ardhurave për frymë si Kroacia, Bullgaria apo Rumania janë në nivelet 50-70% të Produktit Kombëtar për angazhime borxhi.
Dinamika e rritjes së treguesve të përgjithshëm të ekonomisë shfaqet dhe në të ardhurat e buxhetit, dhe në të ardhurat që mbledh sistemi fiskal nga ekonomia. Natyrisht nuk ka burim tjetër themelor për të mbuluar shpenzimet publike, investimet kapitale dhe për të mbajtur në nivele riprodhuese elementet kryesore të funksionimit të shoqërisë, që nga të papunët deri tek arsimi, shëndetësia, siguria apo lufta e shtetit të së drejtës ndaj çdo rreziku që kërcënon normalitetin e jetës së qytetarëve.
Më në fund është tregues domethënës që për shkak të seriozitetit dhe të qetësisë me të cilën ka punuar administrata publike, treguesit e realizimit të programeve fiskale sidomos në tatime dhe dogana janë më të larta se çdo vit tjetër. Jemi në nivelet 98.5% dhe në tatime dhe në dogana. Edhe kjo një tregues i programuar dhe i realizuar, madje në kushte jo shumë të favorshme, të paparashikuara një pjesë e tyre siç ka qenë zhvlerësimi i dollarit, që është një tregues llogaritës ende i rëndësishëm për sistemet tona të llogaritjes dhe të programimit ekonomik, apo efektet e kalkuluara të rënies dhe uljes së tarifave doganore për shkak të marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe të hapjes për shkëmbime të lira me rajonin dhe me botën.
Të gjitha këto e bëjnë më të kuptueshëm dhe më të mundshëm çdo alternativë apo kërkesë legjitime dhe të argumentuar për ta shpërndarë më mirë barrën fiskale, për të ulur trysninë fiskale dhe veçanërisht për të përmirësuar marrëdhëniet midis administratës dhe sipërmarrjes, midis mbledhësve legjitimë të taksave dhe prodhuesve të vlerës së shtuar. Unë besoj se ka një performancë apo produktivitet po kaq të spikatur edhe në shpenzimet publike, në investimet publike që për herë të parë realizohen mbi 90%, më lejoni të shpjegoj se ishte e mundur të realizoheshin edhe 100% investimet publike sivjet por ne nuk lejuam denatyrim apo deformim të natyrës së shpenzimeve siç ka ndodhur edhe vjet apo më parë, sepse të gjithë kursimin nga fondi i pagave apo mirëadministrimi i fondeve të ndihmës sociale, që u realizua gjatë vitit 2004 e përdorëm për shpërblimin e brezit të tretë, të pensionistëve në fund të vitit. Në qoftë se ato 17 milion dollarë do të ishin përdorur siç ka ndodhur, duke deformuar natyrën e shpenzimeve të buxhetit për investime do të ishte e mundur që investimet të realizoheshin edhe 100%.
Ishte një zgjedhje, natyrisht edhe politike, për të orientuar më drejt jo thjesht në një vit elektoral, por në raport me polaritetin e trashëguar dhe të krijuar në raportet midis investimit dhe konsumit, midis të ardhurave dhe përdorimit të tyre për të mbuluar kosto të trashëguara. Natyrisht kjo është bërë duke mos cënuar, por duke i konsoliduar prioritetet e investimit publik, prioritetet e administrimit publik apo të zhvillimit perspektiv siç janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura, politikat sociale etj.
Shpenzimet apo investimet kapitale të vendit sot, megjithëse kemi kaluar nga burimet grant kryesisht në burime komerciale, për të tretin vit radhazi, janë sërish edhe për 2005, ashtu siç ndodhi në 2004, në paritetin 60 me 40,- 60 me burime të brendëshme dhe 40 me burime të huaja. Edhe në 2005 do të kemi rreth 27 miliard lekë nga rreth 50 gjithsej investime që mbulohen nga burime të vetë ekonomisë dhe kemi programuar, besojmë se do t'i absorbojmë,- shpresoj që kjo çështje të mos afektohet nga zgjedhjet, - rreth 22.5 miliard financime të huaja në kuadrin e marrëveshjeve që janë bërë më të qëndrueshme dhe më të garantuara vit pas viti me qeveritë dhe organizatat shumëpalëshe që vazhdojnë të financojnë në Shqipëri.
Natyrisht, ky nivel përfshin dhe një nivel privatizimesh që u realizuan në 2004 dhe që do të vazhdojnë të realizohen në 2005 dhe mesa duket jemi drejt mbylljes së ciklit të konsumimit të efektit të privatizimit të kapitalit strategjik ende në duar publike për rritjen ekonomike dhe për shumëfishimin e mundësive për shpenzime publike të buxhetit.
Ajo që shoqëron këtë dinamikë ekonomike është dhe reagimi më i mirë i bankave dhe i sipërmarrjes private. Kredia për ekonominë në vitin 2004 arriti në gati 69 miliard lekë ose me një rritje gati 1/3, 32% më shumë sesa në 2003. Eshtë nxitës fakti që degët më të kredituara, bankat, nuk bëjnë llogari të tjera përveç rentabilitetit të investimit dhe garancisë së kthimit të kredisë, degët - janë gjithashtu prioritare- si tregtia, industria përpunuese, pasuritë e patundshme, të cilat u kredituan nga bankat më shumë se çdo sektor tjetër. Në 2005 kreditimi nga bankat i sipërmarrjes private vendase do të rritet akoma 35.5%, janë tregues të kalkuluar mbi baza realiste ose me rreth 24.5 miliard lekë të tjera. Pra, kjo ndodh për një arsye të thjeshtë por të rëndësishme: ka ndryshuar tregu bankar. Në vitin '97 sektori bankar dominohej nga pronësia shtetërore mbi 95%, sot ai eshtë pothuajse 98% totalisht në duart e sipërmarrësve private, vendas apo të huaj.
Jo më kot BERZH, një nga partnerët më të rëndësishëm financiar dhe bankar europianë për Shqipërinë e vlerëson rastin shqiptar si më të suksesshmin në vlerësimin e reformave të ristrukturimit të bankave në Europën Lindore.
Besoj se është kuptuar nga opinioni i gjërë publik përveçse nga sipërmarrësit, ndryshimi i madh që ka ndodhur në vitin 2004 në shërbimin doganor. Kjo nuk shfaqet vetëm tek fakti se rreth 75% e transaksioneve dhe veprimeve doganore me biznesin janë të kompjuterizuara, përpunohen në sistem; nuk shfaqet vetëm në ritmin e lartë të shtrirjes së programit ASYCUDA që sjell informacionin "on-line" për hyrje-daljet doganore nga njëra doganë e rëndësishme në tjetrën, për t'u mbyllur brenda pak muajve në të gjitha pikat doganore, ku garantohet fluksi i të ardhurave prej këtij shërbimi, por veçanërisht nga rënia e ankesave apo adresimi i ankesave tek vetë sistemi me procedurat që ka Kodi Doganor nga biznesi. Nga shumë sipërmarrës rezulton që është bërë i pandjeshëm emri apo mbiemri i kryetarit të pikës doganore përkatëse. Kjo shpjegon edhe në vëmendjen publike faktin se në rastet e sulmit mediatik ndaj emrave të shefave të doganave të Kakavijës dhe Durrësit apo në pika të tjera sensitive kanë qenë më të zbutura muajt e gjysmës së dytë të 2004.
Ka edhe shembuj të tjerë shumë pozitivë të sipërmarrjes dhe jo vetëm private. Është KESH-i, i cili jo vetëm për shkak të një partneriteti shumë profesional dhe shumë ligjor me donatorët kryesor që qëndronin larg deri para 2-3 vjetësh, ka arritur jo vetëm të stabilizojë treguesit e bilancit energjitik prodhim-konsum,- për vit të ri psh. u arrit piku i 27.5 milion kilovatorë në 24 orë pa asnjë kërcitje gjëkundi,- por ka arritur të krijojë një kapacitet thithës që nuk ka ekzistuar më parë për financime, kredi dhe mbështetje nga partnerë që kanë qenë aty të afruar, të ikur apo të rishfaqur per konsolidimin e sistemit energjitik shqiptar si pjesë e një tregu dhe komuniteti energjitik rajonal. Mjafton të them që KESH-i ka arritur në 2 vitet e fundit të thithë aq burime të huaja financimi sa në 20 vitet e fundit, afër 650 milion euro investime.
A ka korrupsion në administrimin publik shqiptar apo në marrëdhëniet e biznesit me qeverinë dhe shërbimet publike që ajo afron? Sigurisht që ka. Si çdo vend në tranzicion, për shkak të një sistemi të pakonsoliduar në Shqipëri ndoshta ai është edhe më i madh. Unë shtroj pyetjen sot: ka ardhur duke u rritur apo duke u tkurrurr korrupsioni? Qeveria e lufton me më shumë rezultat apo me më pak rezultat dhe me më shumë tolerancë? A po ndihmon shoqëria civile për ta forcuar luftën publike ndaj korrupsionit? Përgjigjet e mia janë pozitive. Unë do t'ju them se vetëm në polici janë ndëshkuar më shumë se 600 oficerë e policë gjatë vitit 2004.
Besoj se nuk mund të thuhet se nuk luftohet korrupsioni me tregues të tillë. Unë dua t'ju them se nga Drejtoria e Auditit në Ministrinë e Financave për periudhën janar 2003- qershor 2004 janë dhënë 2207 masa ndëshkimore, administrative, disiplinore deri dhe kallzime penale dhe ky nuk është tregues se nuk luftohet korrupsioni. Unë dua t'ju them se si pasojë e seriozitetit të luftës kundër evazionit fiskal është arritur që të absorbohet informaliteti deri në 35% të flukseve financiare që lëvizin në treg nga rreth 66% që ka qenë tre vjet më parë. Nuk do të ishte e mundur kjo dinamikë e mbledhjes e të ardhurave fiskale nga doganat e tatimet, në kushtet e rënies së flukseve legjitime per shkak të marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe të rënies së kursit të dollarit, nëse shërbimi doganor dhe fiskal i shtetit nuk do të kishte penetruar në pjesët informale apo gri të ekonomisë, që ka qenë e lirë deri më përpara.
Vlera e penaliteteve të aplikuara nga sistemi fiskal është 21 milion dollarë gjatë vitit 2004 ose 2.1 miliard lekë, pesë herë më shumë se në vitin 2003. Janë depozituar në prokurori vetëm nga doganat 76 kallzime penale per subjekte të ndryshme nga vetëm 17 kallzime në një vit më parë. Prandaj janë në proces 114 praktika hetimore dhe verifikuese që do t'i kalojnë së shpejti prokurorisë për procedim dhe pastaj ka një diskutim të tërë sesi do të përfundojnë në gjykata, për të cilën unë jam i hapur. Janë 33 punonjës dogane për t'u dërguar për ndjekje penale dhe janë 151 punonjës të goditur nga masat administrative në këtë shërbim.
Unë besoj se e gjitha kjo më ka dhënë mundësinë edhe nën ndjeshmërinë tuaj ta përfaqësoj më mirë dhe më me transparencë vendin në marrëdhënie ndërkombëtare. Përkundrejt abuzimeve apo spekullimeve për dëshirën time të madhe për të udhëtuar jashtë shtetit, unë nuk dua të sjell bilance këtu sot tek ju, por dua të ritheksoj faktin se për shkak të këtij stabiliteti dhe dinamike që ka vendi, të cilat kanë shtuar garancitë e respektimit jo vetëm të shlyerjes së borxhit, por edhe të zbatimit të marrëveshjeve që po shtohen me botën, marrëdhëniet dhe raportet politike me kryeqytetet kryesore dhe me organizatat më të rëndësishme shumëkombëshe ku Shqipëria është anëtare dhe synon të integrohet kanë arritur një nivel shumë proaktiv, e cila na shpërblehet me më shumë ekzigjenca prej tyre, me më shumë kërkesa për të vazhduar kontributet tona moderatore në rajonin e Ballkanit, të cilat bëhen më të lexueshme kur ka rreziqe krizash potenciale apo reale në rajon, siç kanë qenë në vitin 2004 krizat kosovare apo maqedonase, siç mendohet dhe vlerësohet se do të kemi sivjet sërish probleme kritike për Kosovën, për Serbinë dhe Malin e zi apo për diskutimet e mëdha që synojnë përgjigje përfundimtare për çështje që ende mbeten pezull.
Dua ta mbyll arsyetimin për marrëdhëniet e afruara ndërkombëtare të vendit me vlerësimin tim që ju adresohet spekullimeve për disbalancë midis SHBA dhe BE në këto raporte. Për arsye jetësore dhe rrënjësore për historinë tonë kombëtare nuk pati asnjë bisens apo kundërshtim që Shqipëria të bëhej pjestare e koalicionit global e luftës kundër terrorrizmit dhe prandaj të kishte edhe në Irak, pas eksperiencave të Bosnjes apo të Afganistanit, prani ushtarake, e cila jo vetëm do të qëndrojë, por edhe mund të shtohet në kuadrin e zgjedhjeve në Irak. Kjo nuk do të thotë se zgjodhëm një obsion të njëanshëm, më dobiprurës apo pragmatikisht të leverdisshëm për qeverinë duke larguar vendin apo duke krijuar probleme për vendin në marrëdhëniet me BE. Nuk besoj se mund të sjell në vëmendje publike ndonjë fakt tjetër përveç rrjedhjes normale të marrëdhënieve të Kryeministrit dhe të qeverisë, që nuk kanë vetëm takime me Presidentin Bush apo vizita në Uashington, por vizita të nivelit të lartë dhe shumë të suksesshme në Berlin, në Madrid, në Pekin, në Bejrut dhe javën tjetër në Paris, në fillim të muajit shkurt në Bruksel e kështu me radhë.
Besoj se kemi mundur edhe për shkak të kriticizmit politik dhe publik të ruajmë ekuilibrin e duhur, që i shërben vazhdimit më të shpejtë të marrëdhënive të asociimit dhe të integrimit të Shqipërisë edhe me BE, edhe me NATO-n, edhe me OSBE-në, ku përfaqësia globale e aktorëve kryesorë të marrëdhnëive ndërkombëtare është më e kristalizuar.
Nga kjo pikëpamje unë desha ta mbyll këtë ekspoze duke ju kërkuar ndjesë për pak zgjatje, duke kërkuar të njëjtin kuptim me ju për globalizimin e shoqërisë shqiptare, për përfshirjen e Shqipërisë në realitetet globale, të cilat nuk janë vetëm politike por edhe ekonomike, nuk janë vetëm për sipërmarrjen, por janë edhe për administratën, jo më kot faktorë të ndryshëm politikë, po lëvizin për të rekrutuar në shërbim të konkurimit politik diploma ndërkombëtare. Me këtë rast unë mund t'ju përgjigjem edhe ndjeshmërive që mund të ekzistojnë, por desha të them që Shqipëria duket se po e përballon mirë sfidën e globalizimit, ndoshta edhe për shkak të historisë së saj. Shqipëria përjashto periudhën e komunizmit, gjysmë shekulli e ca, ka qenë gjithmonë një subjekt vasal ose jo i perandorive globale, romake, bizantine apo osmane.
Duket se me këtë mentalitet dhe traditë kemi mundur të jemi konkurues dhe jo të pasuksesshëm në proceset e integrimit të sotëm global. Fakti që shqiptarët, pasi tentuan shanset në të gjitha qendrat globale po i kthehen vendit të tyre, si një vend ku mund të fitohet edhe më shumë sesa në kushte krahasuese me vende të tjera, - do të thotë se ne po i rezistojmë sfidës së integrimit global.
Në fund Kryeministri iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve.