Kryeministri Fatos Nano u takua sot pasdite, në Katedralen e Shën Palit, me Mon Sinjor Rrok Mirdita, Arqipeshkv i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës, me rastin e përvjetorit të parë të Lumturi
Kryeministri Fatos Nano u takua sot pasdite, në Katedralen e Shën Palit, me Mon Sinjor Rrok Mirdita, Arqipeshkv i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës, me rastin e përvjetorit të parë të Lumturimit të Nënë Terezës.
Kryeministri Nano shoqërohej në këtë takim nga bashkëshortja e tij, Ministri i Shtetit për Koordinimin, Marko Bello dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Blendi Klosi.
Të dy personalitetet vlerësuan figurën e shquar të Nënë Terezës dhe u shprehën se Ajo tashmë nuk i takon vetëm Kishës Katolike dhe besimtarëve të saj, por të gjithë shqiptarëve.
Kryeministri Nano theksoi rëndësinë që i ka kushtuar qeveria dhe shteti shqiptar Lumturimit të Nënë Terezës, bamirëses dhe nobelistes së shquar. "Lumturimi i Nënë Terezës është një eveniment që na bën nder të gjithëve, është një ngjarje e shënuar për besimtarët kudo në botë, dhe veçanërisht për ne shqiptarët, bashkëkombasit e saj", tha z.Nano, duke vlerësuar në këtë drejtim edhe kontributin e pashlyeshëm të Mon Sinjor Rrok Mirditës si personalitet i kishës katolike.
Kryeministri Nano e njohu Mon Sinjor Rrok Mirditën me angazhimin dhe hapat konkretë të Qeverisë Shqiptare në lidhje me Lumturimin e Nënë Terezës, si dhe me përgatitjet që po bëhen për vendosjen e statujës së saj në Tiranë. Ata ranë dakort për të koordinuar dhe bashkërenduar veprimet e përbashkëta në funksion të nderimit të figurës së Nënë Terezës.