Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite, në Katedralen e Shën Palit, një takim me Mon Sinjor Rrok Mirdita, Arqipeshkv i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës, takim i kërkuar nga ky i fundit,
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite, në Katedralen e Shën Palit, një takim me Mon Sinjor Rrok Mirdita, Arqipeshkv i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës, takim i kërkuar nga ky i fundit, në kuadër të ceremonisë së Lumturimit të Nënë Terezës.
Kryeministri Nano shoqërohej në këtë takim nga Ministri i Shtetit pranë Kryeministrit, Brendi Klosi, i cili është edhe kryetar i Grupit të Punës që është ngritur me urdhër të Kryeministrit për organizimin e veprimtarive në kuadër të Lumturimit të Nënë Terezës. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Qëndrës Spitalore Universitare të Tiranës "Nënë Tereza".
Kryeministri Nano u interesua mbi ecurinë e aktivitetit të Dioqezës, edhe në kuadër të vitit të Nënë Terezës (19 Tetor 2003 – 19 Tetor 2004) dhe vuri në dukje rëndësinë që i ka kushtuar shtetit shqiptar Lumturimit të Nënë Terezës, gjë që shprehet edhe me pjesëmarrjen me delegacionin e nivelit më të lartë, më 19 Tetor, në Vatikan, në Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës.
Të dy personalitetet vlerësuan figurën e shquar të Nënë Terezës dhe u shprehën se Ajo tashmë nuk i takon vetëm Kishës Katolike dhe besimtarëve të saj, por të gjithë shqiptarëve.
Kryeministri Nano dhe Mon Sinjor Rrok Mirdita biseduan mbi ngritjen e Kapelës në hyrjen e QSUT-së. Gjatë bisedës, u hodh mendimi që kjo Kapelë të përfundojë brenda Vitit të Nënë Terezës dhe të mund të inaugurohet më 19 Tetor 2004, në përvjetorin e parë të Lumturimit të Nënë Terezës.
Ndërkohë, Mon Sinjor Rrok Mirdita vlerësoi mesazhin që Kryeministi Fatos Nano i dërgoi Shenjtërisë së Tij, Atit Të Shenjtë Papa Gjon Pali i II-të me rastin e 25 vjetorit të misionit të Tij papnor.