Kryeministri Fatos Nano ka përuruar sot linjën e re 110 kV Zemblak-Korçë. Kjo linjë, që ka kushtuar 1.4 milionë Euro, lidh nënstacionin e ri 400/110 kV të Zemblakut me nënstacionin 110/35/10
Kryeministri Fatos Nano ka përuruar sot linjën e re 110 kV Zemblak-Korçë. Kjo linjë, që ka kushtuar 1.4 milionë Euro, lidh nënstacionin e ri 400/110 kV të Zemblakut me nënstacionin 110/35/10 kV të Korçës.
Në këtë ceremoni, Kryeministri Nano shoqërohej nga Ministri i Industrisë dhe Energjetikës, Viktor Doda, Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Andis Harasani, përfaqësues të donatorëve të Kompanisë italiane "ABB Solution – Itali", përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
Linja e re 110 kV Zemblak-Korçë është 13 km dhe u ndërtua nga Kompania italiane "ABB", sipas një teknologjie bashkëkohore. Nëpërmjet saj bëhet e mundur lidhja e rajonit të Korçës dhe të gjithë zonës juglindore të vendit me linjën 400 kV të importit të energjisë nga Greqia.
Kjo linjë do të rrisë ndjeshëm sigurinë e furnizimit me energji elektrike të kësaj zone të vendit dhe në të njëjtën kohë do të krijojë mundësinë për rritjen edhe me 150 megavat të tjerë (rreth 25%) të kapacitetit të importimit të energjisë elektrike nga Sistemi ynë Elektroenergjitik.
Nënstacioni 400/110 kV i Zemblakut dhe linja 110kv Zemblak-Korçë është një projekt i financuar nga BERZH dhe Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare me rreth 8.416 milionë Euro dhe 100 milionë lekë.
Kryeministri Nano ka përuruar sot në Korçë edhe investimin prej 5.2 milionë Euro në fabrikën e re të tullave "Kribar Plas". Në këtë fabrikë janë punësuar rreth 120 punonjës dhe kapaciteti i prodhimit të saj është 100 mijë tulla në ditë. Teknologjia e përdorur në të është teknologji moderne e viteve të fundit.
Investimi prej 5.2 milionë Euro është një sipërmarrje shqiptaro-greke. Prodhimi i kësaj fabrike është i destinuar për tregun vendas dhe parashikohet që ky prodhim të reduktojë në maksimum importin e tullave nga vendet e tjera fqinje.
Në ceremoninë e inaugurimit të fabrikës së re të tullave, Kryeministri Nano shoqërohej nga Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi, Konsulli i Përgjithshëm grek në Korçë, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor të Korçës, etj.
Kryeministri Nano ka vizituar ambjentet e fabrikës, e cila është e standarteve bashkëkohore, si dhe ka ndjekur nga afër procesin e prodhimit në të.
Më pas, Kryeministri Fatos Nano ka përuruar Fabrikën e Sallamit "Fiks" po në këtë qytet. Vlera e investimit në fazën e parë të ngritjes së Fabrikës është 1.2 milionë euro.