E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një takim me Presidentin e kompanisë AMBO z. E.L.Ferguson, i cili ka paraqitur progresin e deritanishëm të projektit të naftësjellësit Burgas-VlorÃ

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një takim me Presidentin e kompanisë AMBO z. E.L.Ferguson, i cili ka paraqitur progresin e deritanishëm të projektit të naftësjellësit Burgas-Vlorë.

Kryeministri Nano në fillim të këtij takimi ka theksuar faktin se Qeveria Shqiptare mbetet e interesuar dhe mbështet pa rezerva mbarëvajtjen e këtij megaprojekti, i cili konsiderohet si një investim mjaft i rëndësishëm jo vetëm për leverdinë ekonomike, por edhe për impaktin politik me të cilin shoqërohet.

"Jam i kënaqur që së bashku me ju sot diskutojmë për ecurinë e këtij megaprojekti dhe gjej rastin edhe njëherë të përsëris gadishmërinë dhe mbështetjen e qeverisë dhe timen personalisht për tu angazhuar plotësisht në realizimin sa më parë të tij", tha Kryeministri Nano duke garantuar se grupit teknik do t'i ofrohet asistenca e nevojshme për çdo problem në mënyrë që, siç është parashikuar, në muajin nëntor Ministrat e Energjisë së tre vendeve të firmosin Marrëveshjen trepalëshe për ndërtimin e projektit të naftësjellësit Burgas-Vlorë.

"Ky është një projekt mbarëballkanik,- tha Kryeministri Nano- i cili do të integrojë më tej ekonominë shqiptare në ekonominë globale si dhe në zhvillimet rajonale, europiane dhe amerikane".

Bashkëbiseduesit janë shprehur të kënaqur me ecurinë e deritanishme të këtij projekti, me gjetjen e financimeve të domosdoshme për konkretizimin e tij sipas parashikimeve, si dhe me ecurinë e diskutimeve për nënshkrimin e Marrëveshjes tripalëshe Shqipëri- Bullgari- Maqedoni.

Nga ana e tij Presidenti i Kompanisë AMBO z. Ferguson vlerësoi nivelin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e ofruar nga ana e Qeverisë Shqiptare për konkretizimin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm për rajonin tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›