E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite, në Prishtinë, një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Misionin e UNMIK-ut në Kosovë

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite, në Prishtinë, një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Misionin e UNMIK-ut në Kosovë, Harri Holker.

Në fillim të takimit, z.Holker është shprehur se vlerëson vizitën e Kryeministrit Nano dhe mesazhin që ajo përcjell. Z.Holker ka falenderuar gjithashtu për arritjet që pati, gjatë vizitës që zhvilloi rreth dy javë më parë në Tiranë. Ai u shpreh se këto vizita kanë shënuar hapa të rëndësishëm përpara të marrëdhënieve midis dy vendeve, sidomos në kuadër të integrimit.

Ndërkohë, Z.Holker ka theksuar se përurimi i Pikës Doganore në Morinë dhe modernizimi i saj është një shembull konkret i hapave që po hidhen midis Kosovës dhe Shqipërisë për të nxitur lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve.

Z.Holker tha se vizita e Z.Nano në Kosovë është pritur me interes të vecantë nga qarqet politike, shoqëria civile dhe nga media.

"Ju jeni njeri popullor këtu në Kosovë dhe këtë e shoh në interesin me të cilën po ndiqet vizita juaj këtu", tha z.Holker.

Më tej, Z.Nano theksoi se është koha për të ndërtuar realitete të reja të cilat do të përshpejtojnë zhvillimin dhe forcimin e institucioneve në Kosovë. Ai shprehu bindjen se faktori politik në Kosovë ka vullnetin e plotë për të ecur përpara në këtë drejtim.

Të dy personalitetet e larta shprehën keqardhje për humbjen tragjike të jetës së Presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski, duke e quajtur atë "një lider të respektuar i cili punoi për një Maqedoni të të gjithëve, për bashkëjetesën dhe integrimin".

Ndërkohë, Kryeministri Nano është shprehur se shqiptarët në rajon do të vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm për zhvillimin e stabilitetit paqes dhe progresit të të gjithë rajonit.

Më tej, biseda është përqëndruar në zhvillimet në Kosovë, ku Kryeministri Fatos Nano ka vlerësuar qëndrimin e Z.Holker, të Qeverisë së Kosovës dhe spektrit politik kosovar në tërësi për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

"Qeveria e Shqipërisë është e angazhuar për inkurajimin e faktorit politik të Kosovës në mbështetje të këtij dialogu, si dhe për të kontribuar në përgatitjen e grupeve teknike të punës", është shprehur Z.Nano në këtë takim.

Më tej, Z.Nano ka mbështetur politikën amerikano-perëndimore "Standartet për Kosovën", duke vlerësuar punën që po kryhet për implementimin e standarteve. Ndërkohë, Kryeministri Nano ka konfirmuar mbështetjen e Qeverisë së Shqipërisë për të nxitur faktoret relevantë në përmbushjen e standarteve brenda afateve të përcaktuara, gjë që do ta përgatiste Kosovën të shkonte sa më parë drejt zgjidhjes përfundimtare të statusit të saj.

Z.Nano ka vlerësuar përpjekjet e bëra nga UNMIK për përfshirjen e Kosovës në proçeset integruese rajonale dhe europiane, në Proçesin e Stabilizim-Asociimit të BE-së përmes Mekanizmit Përcjellës, si dhe ka rikonfirmuar angazhimin për të mbështetur përpjekjet lidhur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në takimet rajonale e ndërkombëtare.

Më tej, Z.Nano dhe Z.Holkler kanë ndarë të njëjtin qëndrim për të bashkërenduar përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar, sigurimit të kufijve, trafiqeve të paligjshme, evazionit fiskal, etj.

Kryeministri Nano ka shprehur vlerësime pozitive për aktin e mbartjes nga UNMIK-u te pushteti vendor të 44 kompetencave, ndërkohë që ka vlerësuar punën e UNMIK-ut lidhur me proçesin e privatizimit në Kosovë, i cili ka rëndësi për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Po ashtu, Z.Nano ka vlerësuar përpjekjet e Z.Holker dhe të Qeverisë së Kosovës, për krijimin e kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, në tetor të këtij viti.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›