Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës së tij në Kosovë ka zhvilluar sot pasdite një takim me intelektualë përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të medias në Kinema ABC në Pr
Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës së tij në Kosovë ka zhvilluar sot pasdite një takim me intelektualë përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të medias në Kinema ABC në Prishtinë.
Në fillim të këtij takimi, intelektuali i njohur kosovar Veton Surroi është shprehur se vizita e Kryeministrit Fatos Nano në Kosovë është e mirëpritur. Ne tha ai e dimë që në Shqipëri një pjesë e politikës thotë "Nano ik" ndërsa pjesa tjetër thotë "Nano OK". Ndërsa ne ju themi "Mirëseerdhët Z. Nano në Kosovë".
Më tej ai u shpreh se pas dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh kur të shkruhet historia e përpjkejve të popullit të Kosovës për liri dhe paqe atëherë, do të evidentohet edhe kontributi dhe merita e padiskutueshme e z. Nano në këto përpjekje për lirinë e Kosovës.
Më pas, Kryeministri Nano ka marrë fjalën dhe ka shprehur emocionet e tij për këtë vizitë të parë në Prishtinë.
Në këtë aktivitet Kryeministri Nano theksoi se Kosova ka lënë pas fazën e parë delikate, atë të solidaritetit dhe të luftës për liri, së bashku me NATO-n. "Një fazë tjetër e rëndësishme është administrimi i përbashkët me UNMIK-un i autoriteteve vendore, i reformave dhe realiteteve të integrimit, duke nisur që nga bashkëpunimi rajonal dhe jemi në zemër të kësaj faze të dytë, aty ku përcaktohen dhe afatet dhe nivelet e treguesit e standarteve për të nisur më pas të gjithë- shpresojmë jo më larg se mesi i vitit tjetër- fazën e tretë, atë të statusit, pa të cilin edhe proceset e reformave të integrimit dhe të përafrimit me standartet e BE-së nuk marrin shpejtësinë dhe kuptimin e duhur", u shpreh Z.Nano.
Më tej Kryeministri Nano tha se ne na duhet të gjithëve të ndërtojmë, të konkurojmë dhe mbi këtë bazë të nxisim lëvizjet e lira të njerëzve dhe vlerave që bartin ata, për shoqëri të hapur, për ekonomi tregu të lirë, për institucione funksionuese demokratike, për stabilitet të jetës së shoqërisë, për administratë civile që funksionon, pavarësisht nga debati politik, për siguri të kufijve që të jenë të pakalueshëm për krimin e organizuar apo trafikantët e qenieve njerëzore apo të lëndëve që dëmtojnë jetën e njerëzve dhe të hapur për qytetarët dhe për bartësit e vlerave ligjore. Për të gjitha këto arsye- u shpreh z. Nano- më lejoni të pohoj se ndihem shpirtërisht midis jush prej kohësh.
Unë kam ardhur si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe nuk kam ardhur të kërkoj partnerë preferencialë midis jush, ka vijuar më tej z. Nano duke shtuar se "kam ardhur të bisedoj dhe të ndaj të njëjtat preokupacione dhe angazhime për të gjithë, nga autoritetet vendore dhe me UNMIK, politikën dhe me sipërmarrjen. Jam shumë i lumtur që në këtë iniciativë që përsëritet na janë bashkuar edhe një numër deputetësh dhe një numër sipërmarrësish shqiptarë, të cilët edhe sot ashtu si më parë, edhe nesër, do të vazhdojnë punën për qëllime të përbashkëta".
Kryeministri shqiptar e ka vënë theksin në domosdoshmërinë dhe thellimin e përpjekjeve të përbashkëta për shumëfishimin e lidhjeve tradicionale. "Kosova nuk është as nën as kundër Serbisë por e ardhmja e saj nuk do të ndalet, e ardhmja e saj është drejt Brukselit. E shkuara e Kosovës tashmë është e arkivuar madje është e dekompozuar", u shpreh Kryeministri Nano.
Në mënyrë të veçantë, z. Nano theksoi faktin se ne do të intensifikojmë përpjekjet për futjen e Kosovës në forumet ndërkombëtare duke përmendur si një arritje në këtë drejtim Samitin e Selanikut. "Të ndajmë sovranitetin kombëtar me BE dhe NATO-n", ka vijuar më tej Kryeministri shqiptar.
Në këtë kuadër Kryeministri Nano tha se përveçse të adoptojmë dhe të përkthejmë në realitetet shqiptare modelet e ekonomisë së lirë të institucioneve demokratike, të kontrollit mbi tregun dhe të sipërmarrjes së lirë, të harmonisë midis politikave fiskale apo ekonomike bankare dhe monetare, pra të adoptojmë dhe të përkthejmë në realitetet tona dhe të përpiqemi t'i tresim sa më mirë modelet dhe programet standarte, që kanë krijuar sukses, përparim dhe civilizim në vendet e perëndimit". Ai ka përmendur bashkëpunimin me institucionet dhe qeveritë e botës moderne me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, me FMN dhe BB me të cilat ndajmë programe dhe strategji të qarta, jo vetëm kundër luftës së varfërisë dhe për një rritje të qëndrueshme ekonomike, që përfshin të gjithë vendin, por dhe të aktivizimit të prioriteteve dhe të rezervave për zhvillim që ka vendi, që nga nëntoka deri te bregdeti, që nga shtimi i vlerës së pasurive natyrore, deri te shfrytëzimi i pozitës së favorshme gjeografike në Mesdhe të Shqipërisë.
Në këtë funksion Kryeministri Nano ftoi për një intensifikim të bashkëpunimit edhe në fusha të tilla të zhvillimit dhe të hapjes si ai i turizmit, i cili në vitet e fundit ka njohur një zhvillim të shpejtë dhe të suksesshëm. Gjithashtu edhe në fusha të tjera si ajo e arsimit, infrastrukturës, energjetikës etj.
Më pas, takimi ka vijuar me pyetje të ndryshme nga të pranishmit.