Ruçi: Ja e vërteta daljes së emrit tim në kabllogramet e Wikileaks
Kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, ka folur për herë të parë për përmendjen e emrit të tij në kabllogramet e ambasadës amerikane. Gjatë një interviste për emisionin Debat të Alfred Pezës, Ruçi ka thënë se kabllogramet kanë pasqyruar akuzat e opozitës së atëhershme ndaj tij, por edhe të vetë njerëzve brenda PS-së, pas luftës së brendshme në këtë parti. Megjithatë, një muaj pasi ju refuzua viza, Ruçi ka thënë se ka udhëtuar drejt SHBA-së.
Në kabllogramet e WikiLeaks-it përmendeni dhe ju, zoti Ruçi, ashtu si dhe një grup deputetësh të Parlamentit, ku thuhet se sekretari i Përgjithshëm i PS, zoti Ruçi, ka lidhje me trafikantë narkotikë dhe të krimit të organizuar. Atij i është ndaluar hyrja në SHBA në vitin 2005. Kush është e vërteta e këtyre kabllogrameve dhe ju a jeni të gatshëm të hetoheni për këto akuza?
Është hera e parë që më bëhet pyetje për këto akuza dhe bëtë mirë që e bëtë, sepse nuk impresionohem nga kjo pyetje. E para, kur është diskutuar vënia e kësaj pike, kam qenë një nga iniciatorët, edhe pse ka pasur ndonjë tendencë brenda nesh që të mos ta çonim këtë pikë, dhe unë kam qenë promotori që kjo pikë të vendoset. E dyta, më ka ardhur shumë keq që kundërshtarët e mi politikë i kanë sulmuar kabllogramet. Unë do të thosha për dy arsye, se duke lexuar kabllogramet unë nuk mësova ndonjë gjë të re përveçse dy-tri gjëra që ishin biseda konfidenciale si ajo e ambasadorit dhe gjeneralit të Ministrisë së Mbrojtjes, apo ndonjë moment që kishte të bënte me Ministrinë e Brendshme. Të tjerat për mua ishin të ditura, pa përjashtim. Pse? Sepse këto janë thënë nga opozita shqiptare, ose i ka thënë shtypi shqiptar, pra është paradoks që politika shqiptare bën rolin e strucit, sepse nga ai ambasadori që ishte, në vend që të marrim shembullin se si funksionon një shtet serioz të cilin lum kush të rrojë që edhe shteti ynë të arrijë në një demokraci të tillë. Arsyeja e dytë që i jap të drejtë arsyes së parë është se kabllogramet janë absolutisht të vërteta, siç thuhen. Pse është ashtu? Sepse në 2005-n unë isha i ftuar nga Partia Demokratike amerikane për të marrë pjesë në Konventën e tyre për zgjedhjen e Presidentit të radhës së SHBA-ve. Kam aplikuar dhe më është refuzuar viza me arsyen për trafikim ndërkombëtar narkotikesh. E kam dëgjuar për herë të parë atë ditë fjalën drogë. Kjo ka qenë fjalia që kam artikuluar atë ditë. Por, kur u mendova më pas, atëherë pashë se çdo të thotë një shtet i vërtetë. Se unë këtë akuzë nuk e dëgjova për herë të parë në sportelin e Konsullatës Amerikane. Atë akuzë e kisha dëgjuar 2-3 vite më parë. E kisha dëgjuar nga shtypi shqiptar, e kisha dëgjuar nga kolegë të forcës sime politike, e kisha dëgjuar dhe nga kundërshtari im politik. Kishte një problem brenda PS, kishte debat për zgjedhjen e kandidatit për Kryeministër në PS
I cili u zgjodh?
Ishin kandidatë Ilir Meta, Arben Malaj dhe Spartak Poçi. Pra, besoj se ju kujtohet se ka pasur një mbledhje të KPD-së socialiste, e cila do të votonte kandidatin socialist për Kryeministër. Tri ditë para se të bëhej kjo mbledhje, është hapur një gazetë shqiptare me titullin Është kapur bodiguardi i Gramoz Ruçit në Itali, bile me emër, që nuk e harroj kurrë, Bilbil Heqimi, me 50 kg heroinë në mes të Italisë. Sigurisht që nuk e vlerësova. Burimi ishte nga një organ drejtësie. Së dyti, kur kishim probleme ne brenda forcës sonë politike, ky problem është lançuar në luftën tonë politike. Së treti, kur ka qenë problematika e zgjedhjes së Presidentit para se të zgjidhej zoti Moisiu. Pra, kjo akuzë më është adresuar tri herë dhe nga burime të besueshme, brenda forcës politike, jashtë forcës politike dhe brenda një institucioni. Në këtë mënyrë, ajo ambasadë regjistroi këto burime, sepse unë nuk isha askushi, isha një person publik dhe politik. Çfarë bëra unë? Që atë ditë iu drejtova shtetit shqiptar dhe vura veten time në dispozicion që organet të jepnin përgjigje për këtë akuzë, siç e thotë kabllogrami. Shteti shqiptar, vetë Kryeministri, i është drejtuar prokurorit të Përgjithshëm, Policisë së shtetit dhe SHISH-it.
Ishte zoti Meta kryeministër?
Jo, ishte Fatos Nano, dhe ata kanë dhënë përgjigje me shkrim për këtë kërkesë. Unë e kam veten në dispozicion para institucioneve shtetërore për këtë që trajtojnë sot kabllogramet. Nuk e kam lënë për sot. Është kthyer përgjigje me shkrim lidhur me pastërtinë e figurës sime. Kjo ishte në raport me organet e shtetit tim. Sigurisht, janë zhvilluar takime edhe të miat me ambasadoren amerikane të asaj kohe, Marsie Rise. Më 9 shtator, pas një muaj e gjysmë, Gramoz Ruçi, në 2005-n, ka udhëtuar në SHBA jo për në Konventën e demokratëve, por kam shkuar në Konventën e republikanëve, ku kam bërë takime me Bob Dollin, me senatorë dhe kongresmenë amerikanë. Megjithatë sot e kësaj dite unë jam objekt dhe subjekt i atyre kabllogrameve dhe jam gati sot të hetohem i pari nga organet e drejtësisë. Kjo është e vërteta, dhe kjo është përgjigjja që unë kam për kabllogramet.