Kryeministri Pandeli Majko, i shoqëruar nga ministrat Ruka, Lakrori, Doda, Xhafaj dhe drejtues të tjerë të dikastereve qëndrore si edhe nga deputetë të Shkodrës, zhvilloi sot një vizitë pune

Kryeministri Pandeli Majko, i shoqëruar nga ministrat Ruka, Lakrori, Doda, Xhafaj dhe drejtues të tjerë të dikastereve qëndrore si edhe nga deputetë të Shkodrës, zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Shkodrës dhe në komunën e Velipojës.
Ndalesën e parë Kryeministri Majko e bëri në Prefekturën e Shkodrës. Ai shkëmbeu mendime me drejtuesit e pushtetit vendor për ecurinë e zhvillimeve në qytetin e Shkodrës, për realizimin e investimeve, problematikat në ujësjellës-kanalizime, energjetikë, etj.
Takimi kryesor në qytetin e Shkodrës u zhvillua në një nga sallat e Universitetit "Luigj Gurakuqi". Takimin me Kryeministrin Majko dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë së tij, në të cilin merrnin pjesë drejtues të prefekturës, të bashkisë, të ndërmarrjeve të ndryshme që funksionojnë në qytetin e Shkodrës etj, e hapi Prefekti i Shkodrës Gjergj Liqejza. Ai, në emër të pushteti vendor, përshëndeti organizimin e kësaj vizite, e cila, tha ai, i shërben forcimit të bashkëpunimit midis qeverisjes qëndrore dhe asaj vendore, për ta çuar këtë qeverisje më pranë komunitetit. Përvec arritjeve në një sërë fushash në qytetin e Shkodrës si, në infrastrukturë, në përmirësim në furnizimin me ujë të pijshëm, në energji elektrike, etj, Prefekti Liqejza, parashtroi edhe një sërë prioritetesh të punës që pushteti vendor në bashkëpunim me atë qëndror duhet të realizojnë në përmrësim të jetës së qytetarëve. Si të tillë ai përcaktoi studimin për ndërtimin e unazës së qytetit, fillimin e ndërtimit të rrugës Hani i Hotit-Shkodër, përfundimin e hekurudhës ndërkombëtare Shkodër-Mali i Zi, vazhdimin e rrugës Shkodër-Velipojë, etj.
Mbas fjalës së prefektit dhe diskutimeve të drejtuesve tjerë vendorë, e mori fjalën Kryeministri Majko. Midis te tjerash ai tha:
Te Shkodra dhe gjithë zona e saj përreth, të gjitha qeveritë shqiptare të mbas luftës kanë akumuluar një borxh të madh moral. Sepse për një kompleksitet arsyesh, vëmendja dhe interesi për të nuk ka qenë në atë nivel që t'i përgjigjej resurseve, nevojave, por dhe traditës së vyer së saj. Në rastin më të mirë,, tha ai, Shkodra është kundruar si skaj periferik dhe si e tillë, shpesh ajo ka pasur një vëmendje po periferike nga strukturat vendimmarrëse shqiptare.
Me tej kryeministri Pandeli Majko vijoi: Kam kënaqësinë të shoh në këtë takim përfaqësuesit e pushtetit lokal të qarkut të Shkodrës dhe drejtuesit administrativë të saj të gjithë bashkë, të gatshëm për të diskutuar dhe debatuar, pavarësisht përkatësisë partiake, për të përpunuar vizionin për të nesërmen e kësaj zone.
Si kryeministër dua të vlerësoj bashkëpunimin midis pushtetit qëndror dhe atij lokal, ta konsideroj atë si të frytshëm dhe të pres intesifikimin e tij të mëtejshëm…Fillimisht dua të ndalem në çështjen e rivendosjes përfundimtare të rendit.
Duke folur për gjakmarrjen, kryeministri Majko, tha se, gjakmarrja është një koncept që nuk mund të luftohet vetëm nga shteti, por shteti ende nuk ka plotësuar detyrës e tij ndaj të qeverisurve deri sa nuk ka mundur që të garantojë plotësisht drejtësinë, që përfundimisht krimi të shpaguhet me anë të ligjit, që drejtësinë nuk mund ta vendosë individi, që të tkurret dhe të zhduket përfundimisht ky zinxhir gjaku e krimi…Sipas statistikave, sot ka më pak armë në duart e popullatës civile, por ende niveli i mbledhjes së tyre është larg asaj që kërkojmë.
Duke u ndalur ne problemin e investimeve, Kryeministri, tha se, investimet për qarkun e Shkodrës gjatë qeverisjes socialiste kanë njohur një dinamikë të qartë rritjeje, por do të rezervohesha të thosha se të njëjtën dinamikë ka pasur dhe efektiviteti i zbatimit të tyre në praktikë.
Kështu, nëse në vitin 1999 u numuruan 485 milionë lekë investime, në këtë vit janë planifikuar të ndërhyhet me 2019 milion lekë investime.
Ato do të përqëndrohen kryesisht në infrastrukturë, në garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm të popullatës, në energjitikë, bujqësi, arsim, shëndetësi, kulturë e të tjerë.
Dëshiroj të përmend ndërhyrjet në ndërtimin e rrugës Lezhë – Shkodër, procesin e fillimit të punimeve për rrugën e Velipojës, rrugën e Muriqanit, reabilitimin e plotë të unazës së Shkodrës, ndërhyrjen emergjente në segmentet Shkodër – Koman, Bushat – Vau i Dejës, rrugën e Torovicës, studimin e fizibilitetit për segmentin Shkodër – Hani i Hotit.
Po kështu, krahas vënies në punë të segmentit hekurudhor Bajzë – Hani i Hotit, pritet që shpejt të përfundojë dhe segmenti tjetër Shkodër – Bajzë, çka do ta lidhte sistemin tonë hekurudhor me atë ndërkombëtar.
Me tej Kryeministri, u ndal edhe ne problemin e energjise elektrike. Eshtë e natyrshme, tha ai, që kush nuk e paguan nuk mund ta ketë një mall apo shërbim që sigurohet nga shteti, por është i papranueshëm penalizimi kolektiv me shkëputje të energjisë për lagje apo zona të tëra, siç edhe ka ndodhur. KESH do të vazhdojë të bëjë të pamundurën për të furnizuar me energji subjektet që paguajnë, shtu siç do të vazhdojë të ndëshkojë pa mëdyshje konsumatorët borxhlinj.
Sipas të dhënave tona ka përfunduar prerja e të gjitha lidhjeve dyfishe të konsumatorëve privatë dhe legalizimi i konsumatorëve privatë pa kontratë. Pritet që të përfundojë brenda muajit dhe legalizimi i të gjithë konsumatorëve familjarë pa kontratë. Këto masa shpresojmë se do të rrisin nivelin e arkëtimeve dhe do të zvogëlojnë humbjet. Nga ana tjetër ato do të shoqërohen me ndërhyrje të vendosur financiare në reabilitimin e nënstacioneve të Shkodrës dhe nënstacioneve të tjera në qark, fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes, fillimin e punës për implementimin e kredisë së Bankës Botërore për sistemin e matjes së konsumit të nergjisë për qytetin e Shkodrës si dhe me shtimin e përpjekjeve për të siguruar burime të reja energjitike.
Kërkoj të theksoj vendosmërinë tonë se arsyeve objektive që shkaktojnë krizë ciklike në sistemin tonë energjitik, ne nuk do t'u shtojmë arsye subjektive të keqmenaxhimit të kësaj pasurie.
Në përfundim dëshiroj t'ju prezantoj anëtarët e kabinetit qeveritar që janë bashkë me mua në këtë takim. Ata janë të hapur të diskutojnë me ju, të mbajnë shënim vërejtjet dhe sugjerimet tuaja dhe t'i japin përgjigje të gjitha shqetësimeve që ju do të ngrini.
Mbas takimeve në qytetin e Shkodrës Kryeministri Majko, i shoqëruar nga personat e lartpërmendur, vizitoi rruëgn që lidh Shkodrën me Muriqanin deri në pikën kufitare të Muriqanit. Në këtë rrugë, rreth 12 km të gjatë, kishin filluar punimet për zgjerimin e saj. Kryeministri Pandeli Majko e konsideroi ndërtimi e ksaj rruge si të rëndësishme, si një arterie qe lidh veriperendimin e Shqipërisë me pjesën juglindore të Europës. Duke folur për problemin e ndërtimit të rrugëve, dhe vecanërisht për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës me drejtim Prishtinën, ai e konsideroi atë si një investim të madh të Qverisë shqiptare. Rëndësia e kësaj rruge është më tepër se politike, – tha kryeministri Majko. Ajo ka një rëndësi strategjike dhe ekonomike, ndaj ka fituar edhe mbështetjen e organizmave ndërkombëtare financiare si Banka Botërore, etj.
Qëndresa e fundit gjatë vizitës në rrethin e Shkodrës ishte ajo në komunën e Velipojës. Në këtë komunë Kryeministri Majko dhe ministrat që e shoqëronin u takuan me drejtues të pushtetit vendor, të biznesit të kësaj zone dhe vecanërisht të atyre që ushtrojnë aktivitet turistik. Mbasi u njoh me probematikën e Komunës së Velipojës, parashtruar nga kryetari i saj, Bardhok Ndreka, Kryeministri Majko vlerësoi se Qeveria shqiptare do të vazhdojë ti kushtojë vëmendje kësaj komune. Ajo tashmë është e përfshirë në projektet prioritare turistike të vendit dhe për këtë qeveria po realizon investimet e nevojshme. Në vijim, në prezencë të të pranishmëve u demonstrua edhe projekt-studimi i zonës turistike të Velipojës, që së shpejti pritet të kalojë në KRRTRSH.
Duke iu përgjigjur intresimit të gazetarëve të pranishëm, lidhur me ndryshimet e pritshme në Qeveri, kryeministri Majko u shpreh se diskutimet politike janë pjesë e jetës politike në vend, por unë mund të them se Qeveria po vazhdon punën me ritmin e duhur për të realizuar programin e saj. Pjesë e këtij angazhimi është edhe kjo vizitë pune në qytetin e Shkodrës dhe komunat përreth.