Shefi i programeve për burimet njerëzore në Bankën Botërore, z. Philip Goldman, i cili po viziton këto ditë Shqipërinë, pati një takim pune me zv/kryeministër dhe Ministër i Punës dhe Cë

Shefi i programeve për burimet njerëzore në Bankën Botërore, z. Philip Goldman, i cili po viziton këto ditë Shqipërinë, pati një takim pune me zv/kryeministër dhe Ministër i Punës dhe Cështjeve Sociale, z. Skënder Gjinushi.
"Dua t'ju uroj për arritjet dhe punën e mirë që ka bërë ministria juaj në hartimin e strategjisë për Zhvillimin Ekonomik e Social, tha zoti Goldman. Shqipëria ka realizuar objektivat e parashikuara në strategjinë e zhvillimit ekonomik e social dhe si rezultat i kësaj bordi i Bankës Botërore më 20 qershor miratoi me consensus projektet prej 120 milionë USD për mbështetjen e vendit tuaj. Qeveria shqiptare ka bërë një punë mbresëlënëse në këtë drejtim. Nga 28 vende që asiston Banka Botërore, Shqipëria është në krye të vendeve që do të mbështeten me kredi dhe asistencë nga Banka Botërore. Pas miratimit të kredisë së parë për Zhvillimin Ekonomik e Social, ne po përgatitemi për dhënien e një kredie të dytë".
Nga ana e tij, Gjinushi bëri një parashtrim të ecurisë së reformave në sistemin e pensioneve, në shërbimin social dhe të ambicieve të qeverisë për zhvillimin e vendit në luftën kundër varfërisë.