Kryeministri Rama: Rikthimi i Berishës në krye të PD? Humor i zi…

Kryeministri Edi Rama, ka shprehur gatishmërinë për t’u ulur në tryezë me kryedemokratin Lulzim Basha, për të folur mbi procesin vettingut të politikanëve. Në përfundim të mbledhjes me drejtuesit politik të qarqeve, që ka zgjatur gati 2 orë, zoti Rama tha se nuk ka aktualisht një propozim konkret në dorë, por shtoi se është i hapur të për dialoguar pa asnjë kusht! Megjithatë, ky dialog, theksoi numri një i qeverisë, “nuk përkthehet domosdoshmërisht në një marrëveshje”.
“Mendjen nuk ma keni lexuar se nuk kam shprehur opinion të drejtpërdrejtë për të respektuar një parim që kemi vendosur vetë, që jemi të hapur të diskutojmë çdo gjë, do ulemi me vullnet të mirë, do dëgjojmë argumentet. Nëse ka argumente bindës do bëjmë më të mirën”, tha Rama.
Ndonëse, herë pas here, ka refuzuar që të komentojë atë se çfarë po ndodh në Partinë Demokratike, sot ai ka shprehur keqardhje për zhvillimet në partinë më të madhe opozitare, në një kohë kur Berisha ka shpallur qëllimin e tij për të rimarrë kreun e PD-së. “Humor i zi”, e ka quajtur Rama.
“Nuk kam asnjë problem, lidhur me çfarë ndodh në fushën e Partisë Demokratike. Di t’ju them që, nëse do ishin mbledhur humoristët dhe satiristët e gjithë këtij vendi, që të shkruanin një pjesë më shumë se si PD mund të katandiset në një objekt keqardhje dhe humori të zi, është ajo që po ndodh sot në Partinë Demokratike”, deklaroi kryeministri.
Nga ana tjetër, ai tha se është i gatshëm që të dëshmojë në Komisionin Hetimor të 25 prillit, të ngritur nga opozita, megjithatë shtoi se cilësimet si “masakër zgjedhore” është një propagandë që nuk e rrëzon atë që është fakt, PD-ja ka humbur zgjedhjet.
Vettingu në Politikë?
“Mendjen nuk ma keni lexuar, se nuk kam shprehur opinion të drejtpërdrejtë për të respektuar një parim që kemi vendosur vetë, që jemi të hapur të diskutojmë çdo gjë. Do ulemi me vullnet të mirë, do dëgjojmë argumentet. Në 2018 ka pasur një propozim. Ai është konsideruar jo bindës. Nuk dimë gjë për propozimin e ri. Kanë kaluar 3 vjet, gjërat evoluojnë. Nëse ka argumente bindës do bëjmë më të mirën. Jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë. Do ulemi në tryzë. Do themi natyrisht atë që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve dhe do arrimë në konkluzione sa më civile”.
Komisioni për 25 prillin?
Nuk kam asnjë problem. Unë nuk kam pasur një ftesë, por jam patjetër në dispozicion. Nuk kam asnjë problem për gjërat që do më kërkohen për të thënë . Ai është një komision që është ngritur me kërkesën e opozitës. E dimë si kanë rrjedhur ngjarjet. Po del për ditë e më e qartë se PD ka humbur zgjedhjet. Pastaj këto historitë me masakra dhe përralla të tjera janë propagandë që është puna e tyre.
Berisha në krye të PD?
Nuk kam asnjë koment se çfarë ndodh në fushën e PD. Por nëse do ishin mbledhur humoristët dhe satiristët që të shkruanin një pjesë me shumë seri se si PD mund të katandiset në një objekt keqardhje, është ajo që po ndodh në PD.