Kryeministri Rama, komenton dënimin e Beccheti-t: Sa të jem kryeministër, ai s’merr asnjë qindarkë

Kryeministri Edi Rama, ka folur në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët, edhe për vendimin e gjykatës për dënimin e biznesmenit italian, Francesco Beccheti nga gjykata, me 17 vite burg. Shkak ka qenë pyetja e deputetit Helidon Bushati se nëse çështja e inceneratorëve do të shkojë në gjykatën Arbitrazhit, si ajo e biznesmenit italian. Por Zoti Rama ka hedhur poshtë çdo mundësi që Beccheti të marrë para nga shteti nga vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit.
“Zotëria u dënua me 17 vite burg, nga e njëjta gjykatë që ka dënuar edhe të tjerë njerëz, që ju më në fund thoni se drejtësia të jetë e kapur. Kam thënë se sa të jem unë kryeministër nuk do të marrë asnjë lek. Lufta vazhdon, në lloj arenash ku ai shfaqet, e deri tani s’ka marrë asnjë qindarkë”, tha Rama.
Rama mbrojti vendimin e qeverisë për inceneratorët, duke theksuar se nuk fshihet pas kolegjialitetit.
“Unë nuk jam nga ato që fshihem pas çdo lloj kolegjialiteti, i dalë për zot atyre që bëjnë dhe gabimeve. Unë nuk fshihem pas kolegjialitetit. I qëndroj si kryeministër i dal për zot të gjitha punëve të jashtëzakonshme që kam bërë me Sajmir Tahirin dhe ta them prapë sot. I vë gjoksin çdo akuze të ministri që ka bërë për të mirën e përbashkët, nëse ndokush ka punuar pas shpine atëherë përballet me drejtësinë. Nuk kam arsye që të mendoj se do të ketë një arbitrazh. Nuk ka 17 vendime përnjëherë, e nuk bëhen 17 procedura brenda ditës. Vijnë procedura të caktuara në një moment të caktuar të gjitha bashkë, por thjesht mblidhen dhe bëhet vendimi”, theksoi Rama.
Hetimet ndaj Becchetti-n u kryen nga Prokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj.