E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në përurimin e Qendrës së Dokumentacionit dhe Informimit Europian

Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Dokumentacionit dhe Informacionit Evropian pranë Ministrisë së Integrimit Evropian. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministria e Integrimit Arenca Trashani, ministri i Punëve të Jashtme Besnik Mustafaj, ministri i Mjedisit Lufter Xhuveli dhe ambasadori i Delegacionit të KE-së në Tiranë zoti Lutz Salzman. Ngritja e kësaj Qendreje u mundësua me mbështetjen teknike dhe financiare të BE-së, në kuadër të programit Cards.

Në përshëndetjen e tij, Kryeminsitri theksoi ndër të tjera:

"Integrimi europian është projektuar, imagjinuar dhe programuar nga shqiptarët si e ardhmja e tyre më e shkëlqyer. Në këtë aspekt, unë i siguroj qytetarët shqiptarë që axhenda e qeverisë që unë kryesoj është axhenda e integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO si përparësitë tona më kryesore. Qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje, të ndërmarrë të gjitha reformat si instrumentat e vetme për të realizuar projektin e integrimit.

Natyrisht, projekti i integrimit është në radhë të parë përgjegjësi direkte e qeverisë, pasi është ajo që duhet të ndërmarrë reformat e nevojshme. Por ky projekt është shumë më i gjërë sesa një axhendë e qeverisë. Ai është axhendë e shoqërisë shqiptare në tërësi dhe e të gjitha forcave politike në vecanti. Ndaj dhe në këtë kontekst është jetike që të mund të bashkëpunojmë me të gjithë ata që integrimin europian e kanë projekt të tyre. Në këtë mënyrë, jam i sigurtë se Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, që pritet të nënshkruhet së afërmi, do të mund ta shndërrojmë në sukses, në një "udhërrëfyes" drejt integrimit europian. Po kështu Plani i Veprimit për Anëtarësim do të jetë udhërrëfyesi për në NATO.

Në këtë kontekst, qendra që përurojmë sot ka një rëndësi shumë të madhe që u mundëson qytetarëve shqiptarë të mësojnë për përgjegjësitë e tyre në procesin e integrimit. Me informacionin që ajo ofron, i njeh qytetarët shqiptarë me të gjitha përfitimet e tyre nga ky proces, me "acqui communitaire" dhe legjislacionin. Procesi i informimit është vendimtar për t'i shndërruar qytetarët shqiptarë në qytetarë europianë. Ndaj dhe i ftoj punonjësit e Ministrisë së Integrimit dhe të kësaj qendreje të bëjnë çdo përpjekje për të arritur me informacionin e saj tek çdo qytetar i Shqipërisë.

Gjithashtu dëshiroj të falenderoj ambasadorin Saltzman, i cili ndodhet në fund të misionit shumë të suksesshëm të tij në Shqipëri. Ambasadori Saltzman ka dhënë një kontribut të madh, sëbashku me kolegët e tij të Komisionit Europian, me ekipin e negociatave të KE-së të kryesuar nga zoti Priebe, me komisionerët dhe drejtuesit e KE-së në përpjekjet tona për integrim. Ambasadori Saltzman e mbyll misionin e tij në Shqipëri me sukses të plotë. Vendi bëri rotacionin paqësor të pushteti, dëshmi kjo e një maturiteti real të shoqërisë shqiptare në rrugën e demokracisë dhe procesi i reformave është në rrugën e zhvillimit. Duke ju shprehur mirënjohjen për kontributin që keni dhënë, ju siguroj se mbetem jashtëzakonisht i vendosur që integrimi, si ëndrrën më të bukur për të ardhmen e shqiptarëve, të përpiqemi ta shndërrojmë sa më shpejt në realitet. Faleminderit edhe për këtë dhuratë shumë të çmuar dhe kontributin që keni dhënë, zoti ambasador, në misionin tuaj në Shqipëri".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›