Kryeministri Sali Berisha në Shkodër: “Situata po menaxhohet, dëmshpërblimi i banorëve sipas ligjit të digave”

Situata e përkeqësuar në qytetin e Shkodrës nisi drejt saj dje në mbrëmje kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Kreu i ekzekutivit mori pjesë në mbledhjen e komitetit ndërministror dhe shtabit të emergjencave në qytetin e Shkodrës, nga ku ka deklaruar se situata është përkeqësuar pas reshjeve të dy ditëve të fundit. Kreu i qeverisë më pas ka folur për median ku ka deklaruar se sërish liqeni ka pësuar rritje. “Reshjet e shiut dhe dëbora kanë sjellë këtë situatë, tha kryeministri, ndërsa shtoi se situata kritike po menaxhohet. Reshjet e vazhduara të shiut kanë rënduar situatën, kemi sërish rritje të shpejtë të nivelit të liqenit, pasi shiu i pandërprerë ka sjellë prurje në kaskadë. Problematik mbeten lumenjtë Kir dhe Gjadër”, tha kryeministri. Duke deklaruar se ende nën ujë janë rreth 7300 ha tokë, Berisha tha se po bëhet e “pamundura për menaxhimin e kësaj situate kritike”. Kryeministri u shpreh se duhet të nisë vlerësimi i dëmeve në qytetin e Shkodrës, ku është larguar edhe prezenca e ujit.
Zëvendëskryeministri Ilir Meta: “Grupet e punës po monitorojnë situatën”
Pas disa ditë qetësie, situata në Shkodër ka nisur të përkeqësohet disi, për shkak të reshjeve të rëna ditët e fundit, të cilat kanë rritur prurjet në liqenin e këtij qyteti. Për këtë arsye, dje në mbrëmje është zhvilluar mbledhja e Shtabit të Emergjencës në Shkodrës, dhe pas saj zëvendëskryeministri Ilir Meta ka deklaruar se situata është nën kontroll dhe po monitorohet nga grupet e punës. “Situata për shkak të reshjeve shumë intensive, por edhe për shkak të shkrirjes së dëborës ka pasur një rritje të kuota të liqenit të Shkodrës po ashtu edhe tek ura e Bunës. Rritje të nivelit të ujit ka pasur edhe në Dajç. Kjo situatë është shoqëruar me rritje të sipërfaqes nën ujë”, tha Meta. Ai bëri të ditur se ka pasur shqetësime në Baçallëk për shkak të prurjeve. Shqetësime të veçanta ka pasur edhe komunën e Dajçit ku është dëmtuar një pjesë e argjinaturës. Meta tha se në këtë argjinaturë po punohej për një kohë të gjatë. Por ai siguroi se janë marrë masa për të vazhduar operacionin e përditshëm në drejtim të furnizimit të banorëve dhe të sigurimit të rrugëve për furnizimin e banorëve dhe bagëtive me produkte ushqimore. Zëvendëskryeministri Meta ka garantuar se situata në kaskadë është e qëndrueshme, shkarkimet janë minimale, dhe po shkarkohet më pak se 1000 mijë m3/sek. Meta tha se ka pasur tendence për rritje të shkarkimit në Koman dhe Vaun e Dejës, pasi u rriten prurjet anësore nga shkrirja e dëborës. “Problemet kryesore kanë ardhur nga shkrirja e dëborës në Alpet tona dhe Malit të Zi, që kanë rritur nivelin e liqenit të Shkodrës. Por edhe prirjet në lumin Kir dhe lumin Gjadër. Por situata është nën kontroll të plotë”, ka siguruar zëvendëskryeministri Meta.
KESH: “Vazhdojnë shkarkimet në HEC-et e kaskadës së Drinit”
Edhe ditën e djeshme kanë vazhduar shkarkimet në 3 hidrocentralet e kaskadës së Drinit: nga Fierza, Komani dhe Vau i Dejës. Sipas Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, shkarkimet kanë vazhduar edhe këto ditë në mënyrë që të ulen kuotat e hidrocentraleve, për të qenë të përgatitur për ditët në vazhdim kur pritet një rritje e prurjeve për shkak të reshjeve dhe shkrirjes së borës në zonat malore të vendit, ku temperaturat parashikohen të ngrihen deri në 20 gradë. Konkretisht, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare ka raportuar se deri në orën 17:00 të ditës së djeshme; niveli i hidrocentralit të Fierzës ka qenë 284.35 metra, prurjet 1100 m3/sek dhe shkarkimet 444 m3/sek. Kurse niveli i Komanit ka qenë 171.47 metra dhe prurjet 993 m3/sek, e shkarkimet 300 m3/sek. Në fund, të dhënat për hidrocentralin e Vaut të Dejës tregojnë se niveli i tij është 73.19 metra, prurjet 1200 m3/sek dhe shkarkimet 450 m3/sek.
...