Berisha flet për raportin e Martit: Zotëria ka qenë avokat i papërmbajtshëm i krimeve serbe ndaj shqiptarëve

UPDATE- Kreu i qeverisë shqiptare solli në vëmendje sot se Dick Marty ka mbrojtur në Këshillin e Evropës tezën nacionaliste të shovinistëve radikalë për “Serbinë e Madhe”, duke përligjur kështu, krimet monstruoze ndaj shqiptarëve të Kosovës një dekadë më parë
- Apeli i kryeministrit drejtuar Marty-t: Dorëzo provat për autoritetet e EULEX, dorëzo çdo provë, përndryshe, ti ke bërë një abuzim të rëndë shumë me drejtësinë dhe shqiptarët
Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha, reagoi ashpër sot ndaj pseudoraportit të deputetit zviceran dhe raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, duke e quajtur atë si antishqiptar. Duke deklaruar se asnjë prej akuzave të raportuesit të KiE-së nuk qëndron, kryeministri solli në vëmendje se zotëria në fjalë ka mbrojtur krimet çnjerëzore kundër shqiptarëve. “Ai ka qenë avokat i verbër i Serbisë së madhe, duke u bërë palë me kriminelët që shpërngulën nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë. Kam pasur rastin të jem në Këshillin e Evropës, ky zotëri, Marti, ka qenë një avokat i papërmbajtur i krimeve të shëmtuara mbi shqiptarët dhe unë dua të them se teza e tij kryesore në KE ka qenë kjo: Në Kosovë nuk ka ekzekutor dhe viktima, nuk mund të pranohet që serbët të jenë ekzekutor dhe shqiptarët viktima. Ky ka qenë lajtmotivi i tij për të mbrojtur krimet e luftës. Se kush i përzuri mbi 1 milion shqiptarë se kush mbushi Kosovën me varre masive dhe Savën dhe Danubin me kufoma shqiptarët, për Dik Martin kjo nuk kishte rëndësi. Ai në të gjitha rastet do të bënte avokatin e Serbisë të Madhe”- u shpreh kryeministri Sali Berisha. Ai shprehu garanci të plota se qeveria shqiptare do krijojë lehtësira për EULEX dhe Gjykatën e Hagës dhe i ftoi të vijnë në Shqipëri dhe të hetojnë rreth akuzave të deputetit zvicerian Dik Marti, hartuesin e raportit ku Kosova e Shqipëria akuzohen për trafiqe organesh dhe krim të organizuar. Berisha ngarkoi Ministrin e Drejtësisë shqiptare t’i dërgojë Gjykatës së Hagës një letër ku të garantohet se pavarësisht se mandati i kësaj gjykate përmban vetëm Ish-Jugosllavinë. Lejohet hetimi dhe në zonën Shqiptare. Kurse për Dik Marti, bëri thirrje që, “të dorëzojë provat për autoritetet e EULEX, të dorëzojë çdo provë, përndryshe, ai ka bërë një abuzim të rëndë shumë me drejtësinë dhe shqiptarët”. Më tej, Berisha tha se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës duhet të zhvillojë hetime për akuzat, pasi në këtë raport të Martit-vijoi ai-akuzohet kjo gjykatë se ka fshehur krimet. “Janë lëshuar akuza direkte ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi se janë zhdukur prova. I takon kësaj gjykate të kërkojë se cilat prova ka zhdukur gjykata. Asnjë nga vendet e lira nuk ka qenë kurrë i interesuar që të fshihen dhe zhduken provat e krimeve të luftës. Aq më pak, mendoj dhe gjykoj unë, do të ketë qenë e interesuar Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ndaj dhe duke ftuar gjykatën që të rinis hetimet e kësaj çështje, e ftoj gjithashtu të qartësojë sepse kjo përbën një akuzë ndaj gjykatës”, theksoi Berisha. Berisha theksoi se në konfliktet në Ballkan, Shqipëria ka qëndruar gjithmonë në krah të paqes dhe ka luajtur rolin e zgjidhjes së konflikteve. “Natyrisht Shqipëria nuk ka qënë asnjëherë pjesë e politikës, por pjesë e zgjidhjes së konflikteve, Shqipëria ka qënë në krah të paqes dhe në krah të NATO, për të luftuar dikatorin e Jugosllavisë”- theksoi kryeministri shqiptar Sali Berisha.
...