E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Sali Berisha takoi një përfaqësi të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Belge

Sot paradite Kryeministri z. Sali Berisha priti një delegacion të lartë të Dhomës së Përfaqësuesve së Belgjikës, të kryesuar nga Presidenti i saj, Herman De Croo, i cili po zhvillon një vizitë tre ditore në Tiranë.

Kryeministri Berisha e falënderoi Presidentin De Croo për të gjithë mbështetjen që ai personalisht, parlamenti dhe qeveria belge, i kanë dhënë Shqipërisë, ku një vend të veçantë zë edhe ratifikimi së fundi nga parlamenti belg i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e Presidentit De Croo si një kontribut real për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në vazhdim, Kryeministri e njohu delegacionin belg me përpjekjet e qeverisë shqiptare për zbatimin e MSA. "Kjo është një kontratë historike me BE, vijoi Kryeministri dhe ne po bëjmë çdo përpjekje për të arritur standardet e kërkuara për anëtarësim."
Kryeministri bëri gjithashtu një ekspoze të punës dhe rezultateve të arritura në luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, zhdukjes së konfliktit të interesit, rritjen e transparencës në qeverisje, procesin e legalizimit, implementimin e së ashtuquajturës "e-government", dixhitalizimin e procedurave të tenderimit, etj.
Duke u ndalur tek reformat e ndërmarra nga qeveria në fushën e biznesit, Kryeministri u ndal në reformën fiskale, procedurat e regjistrimit të biznesit dhe aplikimin së afërmi të sistemit "One Stop Shop".
"Të gjitha këto,-vijoi Kryeministri, i shërbejnë objektivit kryesor të qeverisë, shndërrimit të Shqipërisë në vendin më atraktiv në rajon për investimet e huaja, ndaj në këtë kuadër unë i inkurajoj investitorët belgë të investojnë në Shqipëri, pasi do të kenë ndihmën dhe mbështetjen e plotë të qeverisë".

Nga ana e tij, Presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve së Belgjikës, z. De Croo falënderoi Kryeministrin për mikpritjen. "Gjithashtu, unë ju sjell dhe përshëndetjet e ngrohta të Kryeministrit të Belgjikës, Z.Guy Verhofstadt", u shpreh Z. De Croo. Ai vlerësoi nismat e qeverisë për tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe reformat e ndërmarra. Gjithashtu, ai inkurajoi qeverinë shqiptare në thellimin e përpjekjeve për forcimin e shtetit ligjor, si një shtylle e rëndësishme e demokracisë. Duke vazhduar me tej, Presidenti De Croo u shpreh se Ballkani është shumë i rëndësishëm dhe vlerësoi rolin e qeverisë shqiptare për zhvillimet në rajon.
Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të njëjta për çështjen e Kosovës, duke vlerësuar dokumentin e paraqitur nga presidenti Ahtisari, si një dokument të hartuar mbi bazën e realitetit në Kosovë dhe shprehën besimin se procesi i pavarësisë së Kosovës është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.

Në përfundim të takimit Kryeministri z. Sali Berisha i përcolli përshëndetjet e tij të përzemërta Kryeministrit belg, Z Guy Verhofstadt, si dhe ftesën për të vizituar vendin tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›