E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Thaçi ende s`mund të vizitojë Luginën e Preshevës

Shqiptarët që jetojnë në Serbinë Jugore nuk mund të shpresojnë shumë në një vizitë të Hashim Thaçit. Kjo pasi Lugina e Preshevës nga perspektiva e ekzekutivit kosovar nuk ofron kushte që kryeministri kosovar të zhvillojë një vizitë atje.
 

Pas kërkesës të një grupi intelektualësh shqiptarë të Luginës së Preshevës, Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka theksuar se vizita e shefit të saj në komunat e banuara me shqiptarë në Serbi mbetet peng i mosnormalizimit të raporteve të të dyja vendeve.
 

“Synimi i qeverisë së Kosovës është kontributi i vazhdueshëm në normalizimin e raporteve ndërfqinjësore në Ballkan. Raportet e Kosovës me Serbinë janë në proces normalizimi dhe gradualisht besoj që do të vijë dita kur liderët institucionalë të Kosovës, të Shqipërisë e të vendeve të tjera mund të vizitojnë Luginën e Preshevës dhe vende të tjera në Serbi” ka shtuar ajo.

Pas vizitës së presidentit të Serbisë në Kosovës, intelektualët shqiptarë që jetojnë në Serbi përmes një letre drejtuar dy presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe dy kryeministrave Sali Berisha dhe Hashim Thaçi u kanë kërkuar atyre të vizitojnë komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Por ndërsa është kthyer një përgjigje nga zëvendëskryeministrja e Kosovës për Thaçin ende nuk ka ndonjë prononcim nga presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës si dhe nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.

Ndërkohë Ilir Meta, në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm shqiptar dy vite më parë ishte njëri ndër zyrtarët më të lartë të institucioneve të shtetit shqiptar që vizitoi Luginën e Preshevës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›