Mbi 18 mijë fëmijë nuk ndjekin shkollën në Maqedoni

Mbi 18 mijë fëmijë në Maqedoni nuk ndjekin mësimin në shkollat fillore të vendit. Lajmin e bëri me dije ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi” gjatë një takimi me pushtetin lokal në Dibër, informon agjencia e lajmeve INA.
Përfaqësuesit e ambasadës theksuan se dukuria e evitimit të shkollimit nga klasa e parë është e pranishme tek nxënësit e komunitetit rom.
“Fëmijët rom janë më shumë të përjashtuar nga procesi arsimor. Ka edhe një numër të madh të atyre fëmijëve, që nuk janë të evidentuar edhe në librat amë të të lindurve, dhe se ata në mënyrë plotësuese janë viktima të formave të ndryshme të keqpërdorimit të fëmijëve, trafikimit, prostitucionit dhe lëmoshës”, deklaroi ambasada “Megjashi”.
Kjo ambasadë përshëndeti nismën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale kundër parandalimit të fëmijëve lypësa dhe ndëshkimin e familjeve të tyre.