Kryeministri francez François Fillon uron Kryeministrin Berisha për riemërimin në këtë detyrë
Kryeministri i Francës, zoti François Fillon, i ka dërguar një mesazh urimi Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha me rastin e riemërimit të tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.
Në këtë mesazh thuhet:
“Në emrin tim personal dhe në emër të qeverisë franceze ju dërgoj Ju urimet e përzemërta dhe të sinqerta me rastin e emërimit Tuaj në krye të qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Jam i sigurt se ky mandat i ri do të jetë për Ju rasti për të çuar më tej politikat tuaja të forcimit të shtetit të së drejtës dhe reformat që Ju keni ndërmarrë për të shpejtuar afrimin europian të vendit tuaj.
Me këtë rast, dëshiroj t’Ju shpreh Ju, zoti Kryeministër, përkushtimin tim personal për forcimin marrëdhënieve mes vendit tuaj dhe Francës. Unë dëshiroj që bashkërisht ne të punojmë për thellimin e tyre, në veçanti në fushën ekonomike.
Ju lutem pranoni, Zoti Kryeministër, sigurimet e konsideratës time më të lartë.”
François Fillon”
15/09/2009