E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kryeministri i Palestinës kërkon nga Kongresi i SHBA-së të njohë shtetin e Palestinës

Kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, i ka bërë thirrje Kongresit Amerikan që të njohë shtetin e Palestinës dhe që SHBA-ja të rihapë konsullatën në Kuds.

Zyra e Shtypit e Kryeministrit të Palestinës në një deklaratë tha se Shtayyeh është takuar me një delegacion parlamentar të SHBA-së të kryesuar nga senatori Ben Cardin në Ramallah.

Duke i bërë thirrje në takim që Kongresi Amerikan të njohë shtetin e Palestinës, Shtayyeh bëri thirrje gjithashtu për ndryshime në ligjet dhe rregulloret që synojnë Autoritetin Palestinez dhe lidhjen e Organizatës për Çlirimin Palestinez (PLO) me terrorizmin.

“Si mund të vazhdojmë të flasim për një zgjidhje me dy shtete kur ka 720.000 kolonë në tokën palestineze, ndërkohë që programet e vendbanimeve janë duke u zhvilluar dhe 62 për qind e tokës palestineze është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Izraelit”, pyeti kryeministri palestinez Shtayyeh.

Shtayyeh deklaroi gjithashtu se administrata amerikane duhet të përmbushë premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore, në veçanti “rihapjen e konsullatës amerikane në Kuds dhe ruajtjen e status quo-së në Kuds”.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, mbylli Konsullatën e Përgjithshme në Kuds më 4 mars 2019, pasi zhvendosi ambasadën e vendit të tij nga Tel Avivi në Kuds.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi gjatë një takimi me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, në Ramallah, në maj të këtij viti, se konsullata në Kuds, e cila mbikëqyr marrëdhëniet e Uashingtonit me Palestinën, do të rihapet./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›