E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kryeministri italian Draghi në PE: Të hapen sa më shpejt negociatat me Shqipërinë

Qeveria italiane kërkon hapjen e menjëhershme të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, në fjalimin drejtuar Parlamentit Evropian të mbledhur në seancë plenare në Strasbourg, ka deklaruar se duhen hapur menjëherë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në fjalën e tij, zoti Draghi tha se “integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është një kërcënim për projektin evropian”.

“Duhet përshpejtuar procesi i zgjerimit, integrimit të plotë të vendeve që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kjo nuk përfaqëson një kërcënim për projektin evropian, por është pjesë e realizimit të tij. Italia mbështet hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në përputhje me vendimin e Këshillit Evropian të marsit 2020. Duam t’i japim një shtysë të re negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe t’i përkushtojmë vëmendjen maksimale pritshmërisë legjitime të Bosnjën Hercegovinës dhe Kosovës. Jemi në favor të anëtarësimit të të gjitha këtyre vendeve dhe duam Ukrainën në Bashkimin Evropian. Ne duhet të ndjekim rrugën që kemi përcaktuar për zgjerimin, por njëkohësisht duhet të lëvizim sa më shpejt të jetë e mundur“, ka thënë ai. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›