Kryeministri izraelit, Lapid, pranon humbjen në zgjedhje, uron Netanyahun

Ish-kryeministri, Benjamin Netanyahu, sipas rezultateve përfundimtare, ka fituar zgjedhjet në Izrael, gjë që i hap rrugën rikthimit të tij në pushtet. Kryeministri Yair Lapid, pasi uroi Netanyahun, udhëzoi stafin e tij që të përgatiste tranzicionin e pushtetit. Kjo u bë e ditur nga zyra e tij e shtypit.
“Shteti i Izraelit është para çdo qëndrimi politik,”- tha Lapid. “I uroj suksese Netanyahut, për hir të popullit të Izraelit dhe shtetit të Izraelit.”
Lapid, i cili ishte kryeministër në 4 muajt e fundit, e bëri njoftimin pak përpara se të publikoheshin rezultatet përfundimtare, të cilat tregonin se Netanyahu kishte siguruar një shumicë parlamentare në koalicion me aleatët e tij fetarë dhe ultranacionalistë.
Izraeli zhvilloi zgjedhjet e pesta në 4 vjet, mes një krize të zgjatur politike. Sipas rezultateve përfundimtare, të cilat duhet të certifikohen gjatë ditëve në vijim, Netanyahu dhe aleatët e tij ultranacionalistë dhe ultra-ortodoksë, morën 64 vende në parlamentin 120-vendësh të Izraelit. Apnews
/rtsh.al/