E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri këmbëngul për sigurimet shoqërore për punëtorët në familje



Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se "vendosja e sigurimeve shoqërore për punëtorët në familje është një vendim i rëndësishëm, pasi ka si qëllim trajtimin njerëzor të kësaj kategorie të punësuarish". Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë u ndal edhe një herë te ky vendim, i cili përcakton për këtë kategori, vendosjen e taksave të një niveli të ulët dhe të pranueshëm, njëlloj me punonjësit me kohë të pjesshme. Sipas Kryeministrit, "për sigurimet shoqërore të kësaj kategorie do të paguhen gjithsej 8 mijë lekë në vit". "Unë shpresoj që të gjithë kryefamiljarët që asistohen nga këta punëtorë, t'i regjistrojnë ata, sepse kjo është një çështje raporti njerëzor", - tha Kryeministri Berisha. Duke shprehur bindjen se ky vendim do të gëzojë një mirëkuptim të gjerë nga e gjithë shoqëria, Kryeministri Berisha u shpreh se "është e domosdoshme që edhe kjo kategori të punësuarish të ketë shansin e investimit për pensionin e tyre". "Kërkoj një mirëkuptim të plotë dhe total, pasi ky vendim ka si qëllim trajtimin njerëzor të kësaj kategorie të punësuarish. Ky vendim nuk ka të bëjë aspak me arkën e qeverisë dhe publikut, por ka të bëjë me disa parime njerëzore të domosdoshme për çdo vend të lirë", - tha Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›