Kryeministri kthen Ligjin për Përgjimet

Projektligji për përgjimet është tërhequr nga procedura parlamentare me kërkesë të Kryeminisrit Hashim Thaçi.
Në një shkresë të Kryeministrit drejtuar Kuvendit, Thaçi tregon se një ligj i tillë nuk është në harmoni me ligjet e BE'së.
"Me qëllim të përmbushjes së obligimeve të Republikës së Kosovës nga Plani i Veprimit për Zbatimin e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave me BE'në, kërkojmë nga ana e juaj që Projektligji për përgjimet e telekomunikimeve të tërhiqet nga procedura parlamentare", thuhet në kërkesën e Kryeministrit.
Pas këtij vendimi ka reaguar opozita.
Deputeti i AAK'së, Burim Ramadani ka pyetur se çka do të thonë Bekim Haxhiu e Fadil Demaku të PDK'së pas këtij veprimit të Kryeministrit.
"Urime Kosovë që të paktën një të keqe e parandaluam ne opozita", ka shkruar Ramadani në rrjetin social Facebook.
Ramadani që ka publikuar vendimin e Kryeministrit ka thënë se projektligji i propozuar nga Qeveria ishte antidemokratik.
"Kryeministri Hashim Thaçi, përmes kësaj letre dërguar Kuvendit, e ka pranuar se draft-ligji për përgjimet e telekomunikimeve nuk është në përputhje me standardet e legjislacionit te BE'se. Dmth, nuk është demokratik", ka shkruar ai.
Projektligji për përgjigjet është hartuar pas skandalit "Pronto" ku ishin të përfshirë zyrtarët e Qeverisë dhe ata të PDK'së, shkruan express.
Në përgjimet e publikuara nga persona të paidentifikuar janë dëgjuar bisedat e Hashim Thaçi, Adem Grabovcit, Kadri Veselit, Vlora Çitakut dhe Sami Lushtaku. Aty është sharë me nënë Jakup Krasniqi, ndërsa Kryeministri në një moment i është referuar përkrahësve të Fatmir Limajt si "zagarë".
Ende nuk janë zbuluar autorët e publikimit të këtyre përgjimeve, të cilat janë bërë nga EULEX'it, i cili kishte hetuar edhe Adem Grabovcin në kuadër të hetimeve që janë bërë për Ministrin e Transportit e udhëhequr nga Fatmir Limaj./Indeksonline/