Kryeministri ne ekspoziten e piktorit Gjovalin Paci
“Skënderbeu kalorsi i lirisë dhe simbol i bashkimit”. Kështu e ka titulluar ekspozitën e tij dedikuar 100 vjetorit të Pavarësisë piktori i njohur Gjovalin Paci çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Artisti prezanton 100 portrete kompozim frymëzuar nga prijësi i shqiptarëve Skënderbeu. Kryeministri, Sali Berisha i pranishëm në këtë ekspozitë gjatë fjalës së tij pasi vlerësoi krijimtarinë e Pacit tha se Skëndërbeu është frymëzimi më i madh i shqiptarëve pas Muhamedit dhe Jezu Krishtit. “Skënderbeu është princi i përjetshëm i kombit, është nder dhe krenari. Për çdo artist dhe veprën e tij, Skënderbeu, burim frymëzimi në krijim, është një shembull i jashtëzakonshëm”, deklaroi Berisha. Artisti Gjovalin Paci në punimet e tij nëpërmjet ndërthurjes së simbolit të Skëndërbeut sjell figurat më përfaqësuese të kombit shqiptar në rrugëtimin e tij. Si figurën e Nënë Terezës, Ismail Qemalit, etj. Artisti përdor tre teknika të veçanta si teknikën miksmedia, mbiplastikë që është edhe risi i kësaj ekspozite. Cikli i dytë është mbi fletë plastike ku mbizotëron akriliku dhe cikli i tretë është teknikë miks e vizatuar mbi fletë alumini. Stimulimi artistik, sipas Pacit, është përdorur me qëllim përgjithësimit të karakterit, nga i ka rrënjët krenaria jonë kombëtare që mbartim, ne sot në ADN-ja. Të pranishëm në ekspozitë ishin personalitete të shumta në vend si Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli , Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi dhe artistë e intelektualë nga fusha të ndryshme.