E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri pret ambasadoren e Maqedonisë Znj. Blagorodna Mingova – Krapiva

Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Ambasadoren e Maqedonisë Znj. Blagorodna Mingova – Krapiva me rastin e përfundimit të detyrës së saj në Tiranë.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadoren Blagorodna Mingova – Krapiva, për kontributin që ajo ka dhënë gjatë këtyre viteve në forcimin e miqësisë midis dy vendeve tona dhe zgjerimin e thellimin e bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të së mirës së ndërsjellë të dy popujve. Kryeministri Berisha vlerësoi se ambasadorja Blagorodna Mingova – Krapiva e përfundoi me sukses misionin e saj dhe largohet si një mike e madhe dhe e shquar e popullit shqiptar.

Duke vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve politike midis dy qeverive dhe të dy vendeve Ambasadorja e Maqedonise Znj. Blagorodna Mingova – Krapiva i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare gjatë këtyre katër viteve që ajo ndodhej në Tiranë.

Ambasadorja vlerësoi se gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka hedhur hapa të jashtëzakonshëm dhe se ajo ka qenë dëshmitare e progresit galopant që vendit ka bërë në veçanti, përsa i përket reformave të rëndësishme në të gjitha fushat , dhe në veçanti anëtarësimit në NATO dhe progresin me shpejtësi të madhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst ambasadorja Blagorodna Mingova – Krapiva vlerësoi përkushtimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare në realizimin e këtyre reformave të rëndësishme, te cilat bënë të mundur këtë progres.
Ambasadorja Blagorodna Mingova – Krapiva u shpreh se largohet nga Shqipëria me përshtypjet më të mira për ndjenjat e miqësisë dhe dashamirësisë që ajo ka përjetuar gjatë kësaj periudhe nga qytetarët shqiptarë si dhe me përshtypjet më të shkëlqyera për bashkëpunimin shumë të ngushtë, të hapur, të sinqertë e të suksesshëm me qeverinë shqiptare.

Në takim u vlerësua fakti nga te dyja palët se bashkëpunimi mes dy vendeve dhe miqësia ka njohur një intensifikim të shquar gjatë këtyre viteve sidomos përsa i përket shkëmbimeve ekonomike tregtare dhe bashkëpunimit rajonal në veçanti të Kartës A3 .

Se fundmi pas takimit Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të ambasadores Blagorodna Mingova – Krapiva , në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Dreka kaloi në një frymë të ngrohtë dhe miqësore.


24/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›