Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha me Presidentin e grupit të PPE-së në PE Joseph Daul
Demokracia nuk është bojkot. Demokracia është një punë në thellësi. Ky është mesazhi që dua të hedh në gjirin e parlamentit shqiptar dhe gjithashtu edhe në Parlamentin Evropian se për shqiptarët ky është mjeti më i mirë për të rritur nivelin e jetesës, të pjesëmarrjes në këtë jetë demokratike dhe është gjithashtu rritje e mirëqënies për qytetarët shqiptarë. Evropa do të mbështesë shumë fuqishëm qeverinë shqiptare në reformat dhe propozimet e saj dhe gjithashtu e theksoj, edhe parlamentin shqiptar .
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në takim Presidentin e grupit të Partive Popullore Europiane (PPE) në Parlamentin Europian (PE) Joseph Daul. Pas bisedimeve mes tyre, Kryeministri Berisha dhe zoti Daul dhanë një konferencë të përbashkët për shtypin.
Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim shumë të frytshëm, miqësor e të hapur me Presidentin e grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, zotin Joseph Daul, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare, i ftuar nga qeveria shqiptare për të vizituar Shqipërinë.
Në këtë takim, unë shfrytëzova rastin t’i shpreh Presidentit Joseph Daul, grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme që parlamentarët e këtij grupi, qeveritë e tyre i kanë dhënë kombit shqiptar dhe Shqipërisë, gjatë gjithë këtyre viteve, në përpjekjen e madhe për ndërtimin e një shoqërie të lirë, të bazuar në solidaritetin njerëzor dhe vlerat e tregut. Sikundër e njoha Presidentin Daul me të gjitha përpjekjet e Partisë Demokratike dhe qeverisë shqiptare, qoftë në pushtet, qoftë kur ajo ishte në opozitë, për të zhvilluar në këtë vend vlerat e përbashkëta të qendrës së djathtë, vlera, të cilat bënë që ky vend të dalë nga gremina e historisë, në një vend me demokraci dhe ekonomi tregu funksionale, në një vend që u shkëput nga grupi i vendeve të varfra, në një vend që sot është anëtar i NATO-s dhe që ecën me hapa të sigurta, bazuar mbi meritën, drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Në këto përpjekje të mëdha e të vështira, PD-ja dhe qeveria e saj ia kanë dalë për shkak të mbështetjes së madhe të partive simotra, të PPE-së, udhëheqësve dhe parlamentarëve të tyre.
Unë shfrytëzova rastin për t’i shprehur mirënjohjen më thellë Presidentit Daul, për votën e djeshme në parlament, në të cilën Presidenti ka luajtur një rol përcaktues, të falënderoj të gjithë miqtë e Shqipërisë, të falënderoj të gjithë deputetët e të gjithë spektrit politik në Bruksel, të cilët votuan së bashku për të mbështetur heqjen e vizave për Shqipërinë. Ky ishte një votëbesim i madh mbi shqiptarët dhe unë e garantova se qeveria ime është e vendosur të bëjë çdo gjë që të plotësojë pikë për pikë, kërkesat e Komisionit Europian, të njoftuar nga komisionerja Malstrom ditën që njoftoi vendimin e Këshillit të Komisionerëve. E njoha Presidentin Daul me përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, larjes së parave, konsolidimit të institucioneve dhe zbatimit të ligjit.
Ne diskutuam sigurisht, për marrëdhëniet midis qeverisë dhe opozitës. E garantova Presidentin Daul dhe dua të garantoj shqiptarët se unë mbetem i vendosur të respektoj çdo vendim të opozitës shqiptare, çdo të drejtë të saj dhe i hapur për format më intensive të bashkëpunimit me opozitën. Shpreh kënaqësinë që opozita sot është në parlament. E informova Presidentin Daul se ligje, të cilat duhet t’i kalojmë së bashku, qeveria ka vullnet të plotë të pranojë çdo amendament që opozita do sjellë për to, si një kusht që të gjejnë veten të gjitha forcat politike, në rolin e tyre në këtë parlament. Natyrisht, e garantova se për zgjedhjet e ardhshme, qeveria është e vendosur të pranojë çdo amendament që opozita e konsideron të nevojshëm, për t’i dhënë asaj sigurinë më të madhe të mundshme, në pjesëmarrjen në zgjedhje.
Duke përfunduar, edhe një herë dua të falënderoj me shumë mirënjohje, për të gjithë mbështetjen që Parlamenti Europian dhe Presidenti Daul personalisht i ka dhënë qeverisë shqiptare, gjatë viteve të fundit, kur zoti Daul kryen detyrën e kryetarit të grupit parlamentar dhe dua ta siguroj se qeveria ka bërë dhe bën çdo gjë për ta shndërruar këtë ndihmë në një proces ndryshimesh të mëdha për vendin tim dhe se qeveria ime, e konsideron procesin e integrimit europian, një proces që duhet të ecë tërësisht, i bazuar në meritën dhe performancën. E mbyll këtë fjalë, duke e falënderuar shumë përzemërsisht për këtë vizitë, vizita e parë e kryetarit të grupit të Partisë Popullore Europiane në Shqipëri, ndaj në këtë aspekt, është vizitë historike. Edhe një herë faleminderit shumë, zoti President.
Zoti Daul: Zoti Kryeministër, i dashur miku im Berisha !
Kam ardhur këtu në Tiranë për të dëgjuar dhe për të kuptuar më mirë situatën politike në vend. Ju e dini që unë jam bujk, pra më pëlqen ta prek realitetin dhe të shkoj në terren. Në radhë të parë, do të thoja në fillim disa fjalë për funksionimin e demokracisë dhe Parlamentit Evropian. Siç e dini është e vërtetë ne jemi grupi më i rëndësishëm dhe gjithashtu më me influencë në Parlamentin Evropian, por ne nuk kemi shumicën. Ne jemi të detyruar të punojmë në mënyrë demokratike më partitë e tjera politike. Në shumë raste, ne kemi pozicione të përbashkëta me partinë socialiste, mikun tim Shultz., sidomos kur është fjala për avancimin e ekonomisë sociale, të tregut , në nivel evropian. Javën e kaluar ne kemi bërë një demonstrim të jashtëzakonshëm të demokracisë në Parlamentin Evropian. Grupet demokratike vendosën së bashku si të dalin nga kriza, çfarë propozimesh duhen bërë deri ne vitin 2020 për mirëqenien e bashkëqytetarëve tanë. Partia e të Gjelbërve, Partia Liberale, Socialistët dhe PPE negociuan dhe votuan pas një punë të gjatë dhe të lodhshme, një rezolutë të përbashkët . Pra secili bëri përpjekje, në fillim nuk ishim dakord, kjo u tregua gjatë votimit. Pas diskutimeve të vazhdueshme dhe duke menduar për bashkëqytetarët tanë, ne votuam me një shumicë të madhe në Parlament se si të dalim nga kriza si dhe për strategjitë deri në vitin 2020.
Por unë jam këtu gjithashtu për të analizuar dhe diskutuar me qeverinë për zbatimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Dhe Kryeministri më garantoi me këtë shtet të së drejtës se çdo qytetar shqiptar mund t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut. Gjatë qëndrimit tim të shkurtër në Shqipëri do të përpiqem të tregoj se Shqipëria ka nevojë për një demokraci që funksionon, pra për një qeveri dhe opozitë që punojnë. Pra kjo do të thotë që në demokraci, opozita dhe mazhoranca si në qeveri dhe në parlament duhet të funksionojnë dhe të bëjnë propozime. Dhe unë përmes Parlamentit Evropian kam mbrojtur fuqishëm çështjen e vizave për t’ju dhënë një sinjal qytetarëve shqiptarë. J‘ua them edhe atyre mosbesuesve që vizat për vende si Shqipëria janë të nevojshme dhe sidomos për qytetarët e ndershëm shqiptarë. Sepse nëse ju nuk merrni vizat, janë qytetarët demokratë, qytetarët e ndershëm ata që bllokohen. Pasi ata që nuk zbatojnë ligjin dhe nuk respektojnë asgjë kanë ikur tashmë. Do të bllokohen sidomos studentët, të cilët që kanë nevojë të vazhdojnë studimet e tyre kudo në botë dhe në Evropë. Unë u kënaqa shumë mbrëmë që një shumicë e madhe e parlamentit evropian e votoi rezolutën për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë.
Këtë mëngjes në takimin e parë me Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, z. Meta, tani me Kryeministrin, zotin Berisha, pasdite do të kemi takime me drejtuesit e Parlamentit për të folur mbi vazhdimin në rrugën e reformave për t’u afruar sa më shumë në nivelin e Evropës dhe jo vetëm në këtë nivel, kjo është e nevojshme për një demokraci që funksionon normalisht. Pikërisht në këtë frymë kam ardhur këtu. Jo në një frymë revanshi, diskutimesh, fajësimesh. Por në frymën e një demokracie dhe reformash që funksionojnë për popullin shqiptar.
Ajo çka them unë është që demokracia nuk është bojkot. Demokracia është një punë në thellësi. Ky është mesazhi që dua të hedh në gjirin e parlamentit shqiptar dhe gjithashtu edhe në Parlamentin Evropian se për shqiptarët ky është mjeti më i mirë për të rritur nivelin e jetesës, të pjesëmarrjes në këtë jetë demokratike dhe është gjithashtu rritje e mirëqenies për qytetarët shqiptarë. Evropa do të mbështesë shumë fuqishëm qeverinë shqiptare në reformat dhe propozimet e saj dhe gjithashtu e theksoj, edhe parlamentin shqiptar .
Gjithashtu siç e tha edhe Kryeministri ne do të kujdesemi për luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, reformën gjyqësore. Folëm gjithashtu për projektligjin e krijimit të Gjykatës Administrative, Institucionin e Avokatit të Popullit dhe nëse ka një shumicë të cilësuar për reformën e kodit zgjedhor. Ky është funksionimi normal i një demokracie.
Ju falënderoj për vëmendjen!”
Pyetje: Zoti Daul, ju thatë pak më parë se jeni nga ata njerëz që doni ta vlerësoni situatën vetë në terren. A keni parashikuar takime me zyrtarë të lartë të opozitës ?
Zoti Daul: Kam parashikuar një takim, të cilin ia kam kërkuar Kryetares së Kuvendit dhe gjithashtu Kryeministrit për të mundësuar një takim në Parlament. Ky është funksionimi normal i demokracisë. Kur unë shkoj në një vend kështu bëj.
Pyetja: Ne një interviste për BBC keni deklaruar se edhe mos zgjidhja e ngërçit politik në fund të fundit është një zgjedhje demokratike:
Zoti Daul: Besoj që ju keni një demokraci të vendosur e që funksionon. është e vërtetë që në radhë të parë pas grevës së opozitës, e cila nuk tërhiqej, ne kemi kërkuar nëpërmjet zotit Martin Shultz funksionimin normal të opozitës, pasi kjo nënkupton funksionimin normal të demokracisë.
Ajo çfarë ne kemi këmbëngulur është që opozita të kthehet në debatin parlamentar dhe unë besoj se opozita ashtu siç është parashikuar dhe shpjeguar, për projektligje shumë të rëndësishme nevojitet shumica e cilësuar në parlament për të ndryshuar gjërat, kështu funksionon Parlamenti Evropian. Kemi dy lexime në Parlamentin Evropian, në leximin e parë çdo grup ka kontestimet për shpjegime në rrugë ligjore dhe në leximin e dytë jemi të detyruar të gjejmë një kompromis për avancimin përpara të demokracisë.
Pyetja: Cili ka qene qëllimi i këtij turi ballkanik?
Zoti Daul: Për mua si evropian alsasien, kjo vizitë në Ballkan është shumë e rëndësishme. Ju e dini shumë mirë se Evropa festoi 60 vjetorin e themelimit të saj dhe kjo ishte shenjë përparimi për Evropën. Ballkani bën pjesë në Evropë dhe nëse ne nuk duhet të kemi problem në të ardhmen në këtë rajon, atëherë na duhet të përshpejtojmë proceset që Ballkani të integrohet në Evropë Ju e dini se kjo nuk është e lehtë! Thjesht për gjetjen e emrit të Maqedonisë, kjo është e vështirë sepse është një çështje që shqetëson parlamentin Evropian pasi ne kemi miqtë grekë pjesë e familjes tonë dhe prandaj isha dje në Maqedoni për të kuptuar më mirë këtë dhe së dyti në nivelin e europarlamentit është një diskutim zyrtar: Unë e thashë dje në Maqedoni se ashtu si një kryetar bashkie që duhet të martonte një çift , nëse çifti do të rezistojë , nuk mund të ketë të humbur dhe fitues, për këtë është roli i kryetarit të grupit politik, të mbledhë rreth tavolinës ata që janë përgjegjës, në këtë rast deputetët për të krijuar një diskutim, kjo është demokracia ! është shumë e rëndësishme për mua, gjë që nuk është arritur deri tani, dialogu në nivel Ballkani. Këtë mbrëmje do të diskutojmë me Kryeministrin Berisha, mes nesh, për Maqedoninë. Do të shohim pozicionin e tij. Prandaj kam ardhur në terren për t’u përpjekur të kuptoj dhe për gjetur një mundësi zgjidhjeje.
Pyetje: Në rezolutën e djeshme të miratuar nga Parlamenti Evropian në fund ishte një sugjerim që politika shqiptare duhet ta zgjidhë krizën duke respektuar kushtetutën dhe transparencën. Një qëndrim konstant. A do të vazhdojë Parlamenti Evropian të luajë një rol që kriza të zgjidhet apo do të mjaftojë që edhe mos zgjidhja e saj është shprehje e demokracisë.
Zoti Daul: Jam këtu në radhë të parë që demokracia të vendoset dhe të funksionojë. Jam një sindikalist i vjetër. Për sindikalistët, manifestimet dhe bojkotet janë pjesë e aktiviteteve sindikale. Unë kam organizuar aktivitete të tilla, e kam bërë këtë në periudhën e “lopës së çmendur”, por gjithmonë duke respektuar, sepse ju duhet ta dini se është e vështirë me bujqit francezë dhe greva nuk është e lehtë për t’u kontrolluar. Por tashmë unë jam deputet, kryetar i një grupi politik, nuk flas më kurrë për bojkot. Kjo është demokracia. Ky është kompromisi. Kjo është jeta politike !
Kryeministri Berisha: Desha të sqaroj një moment. Vizita e Presidentit Daul është planifikuar katër muaj më parë.
Pyetje: Pse dështuat në bisedimet tuaja me zotin Berisha dhe zotin Rama?
Zoti Daul: Zonjë, përgjigja e parë për mua qëndron gjithmonë e njëjta, ne kemi arritur bashkë me zotin Martin Shultz që demokracia të vihet në veprim dhe që parlamenti të funksionojë. Dhe ju e dini më mirë se unë se në atë kohë në Tiranë ka patur dy mundësi për këtë : Ose ti shkohej deri në fund asaj greve urie, ose të fillonin negociatat.
Unë jam një mbrojtës i madh i të drejtave të njeriut, pra nuk mund të shkohet deri në një masë të tillë. Dhe për këtë ne vendosëm me z. Martin Shultz, i telefonova mikut tim Berisha, i cili menjëherë u nis për rrugë dhe për këtë i jam shumë mirënjohës, gjithashtu edhe zotit Rama.
Ne kemi bërë një takim, ku secili u shpreh dhe ne vendosëm së bashku për çështjet që janë të rëndësishme për demokracinë: njohjen e qeverisë, njohjen dhe respektimin e Kushtetutës, si dhe që opozita të punojë në gjirin e parlamentit. Kjo është respektuar.
Nuk donim të shkonim më larg dhe të fillonim: Hapni kutitë, mbyllni kutitë. Ne nuk mund të arrinim këtu, pasi ka një Kushtetutë, ka organizma ndërkombëtare që janë njohëse shumë të mira në fushën e të drejtave. Unë nuk kam studiuar drejtësi dhe kam arritur të zgjidh shumë situata të tilla përmes negociatave. Unë mendoj se Kryeministri i dha mundësi funksionimit të Shtetit të së Drejtës dhe ai funksionon në nivelin e opozitës. Nuk dua të kritikoj zotin Rama, por i thashë se në një demokraci jemi në opozitë deri në zgjedhjet e ardhshme, në një demokraci dhe rregullat demokratike duhet të funksionojnë në një mënyrë të tillë që në zgjedhjet e ardhshme të mund të jenë në shumicë.
Kryeministri Berisha: Edhe një herë dua të theksoj se Strasburgu dhe Brukseli kanë qenë një sukses i vërtetë dhe në rast se dje, u votua në unanimitet 59 kundrejt vetëm 1, ai votim nuk do të ishte i mundur pa Strasburgun dhe Brukselin. Unë kam kënaqësi që këtë t’ua bëj të ditur të gjithë shqiptarëve dhe kam bindjen se e dinë këtë. Ai ishte një proces, në tërësinë e tij, thellësisht i suksesshëm. Nuk maten trungjet me gjethet. Edhe një herë dua të shpreh mirënjohjen ndaj Presidentit Daul, por edhe ndaj Presidentit të grupit të qendrës së majtë në Parlamentin Europian, zotit Martin Schultz dhe të gjithë atyre që u angazhuan në një proces, për të ndihmuar Shqipërinë, demokracinë shqiptare, politikën shqiptare, proces që bëri të mundur votën historike të ditës së djeshme në Parlamentin Evropian.
Pyetja: Pas takimit të Strasburgut ka pasur takime mes ekspertëve të dy partive . Nga zyrtarë të PE dhe opozitës në Shqipëri kanë folur për ekzistencën e një drafti. A e konfirmoni ju ekzistencën ë këtij drafti, pasi opozita ka deklaruar se ai e ka pranuar këtë draft ndërsa mazhoranca jo.
Zoti Daul: Dëgjoni shumë sinqerisht nuk e di se për çfarë drafti flisni. Ka patur diskutime, por mund të avancojmë akoma më shumë në funksionimin e demokracisë në Shqipëri, nëse do të duhet do të ketë takime të tjera të nivelit të lartë pra: zoti Rama, zoti Kryeministër, Unë dhe zoti Martin Shultz për të diskutuar mbi përmbajtjen e një dokumenti që është diskutuar nga teknicienët tanë, nga sekretarët tanë të përgjithshëm, deri tani më kanë thënë se nuk ka patur propozime për të avancuar në lidhje me këtë dokument . Pra diskutimi mund të vazhdojë, ose të ndërpritet. Parlamenti Evropian nuk është bërë për tu diktuar ligjin shqiptarëve.
Thjesht nëse ne mund të ndihmojmë që demokracia të funksionojë normalisht do të ishim shumë të kënaqur dhe mbi të gjitha ne nuk do të përzihemi më atë çfarë ndodh në fushatat elektorale, në gjirin e partive politike. Secili ka vendin e vet, secili ka te drejtat e tij, secili ka detyrat e veta. Kjo është ajo çfarë mbrojmë ne në nivelin e Parlamentit Evropian dhe nuk do të vijmë këtu për të bërë fushatë elektorale, ose më shumë. Jo ! I thashë sot paradite, Ministrit të punëve të Jashtme, po ashtu Kryeministrit dhe do të diskutojmë sërish sonte, ne do të prekim nga afër luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, reformën gjyqësore, ligjin për Gjykatën Administrative, vendosjen e një mediatori, reformën zgjedhore.
Të gjitha këto ligje për të cilat ekziston mundësia për një pjesë e të cilave ekziston mundësia e votimit me shumicë, siç ndodh edhe ne parlamentin evropian dhe një pjesë tjetër e ligjeve që kërkon shumicën e cilësuar. Kjo është demokracia !
Kryeministri Berisha: Desha të theksoj vetëm një moment. Në respekt të madh të konfidencialitetit kam preferuar të mbaj heshtje të plotë për të gjitha takimet, të cilat kanë qenë pozitive. Por dua t’u garantoj se në këto takime, qeveria është sjellë fleksibël, si një mazhorancë jashtë çdo lloj koncepti të revanshit dhe është përpjekur të bëjë maksimumin e kompromiseve brenda parimeve kushtetuese, shtetit ligjor, respektit të institucioneve, pikëpamje për të cilat unë kam pasur mbështetjen e plotë e totale të Presidentit Daul e të miqve të mi, kudo. Ky është realiteti. Unë nuk bëj më komente të tjera. Faleminderit.
24/06/2010