E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Konferencën me tematikë "lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme"

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në Konferencën me tematikë "lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm", organizuar nga Qendra Marshall në Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Ministri i Brendshëm Sokol Olldashi, ambasadorja amerikane në Tiranë Marsi Ries, ambasadori gjerman në Tiranë Peter Annen, Drejtori i Qendrës "George Marshall", zoti P.Rose, përfaqësues të vendeve të Kartës së Adriatikut, Kroacisë dhe Maqedonisë, si dhe nga vende të tjera të rajonit, etj.

Qëllimi i këtij takimi ishte vlerësimi i rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm, shkëmbimi i mendimeve dhe gjetja e mundësive për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në këtë funksion, identifikimi i hapave të mëtejshëm në luftën kundër këtyre fenomeneve, etj.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Është një nder dhe privilegj i veçantë për mua të marr fjalën përpara kësaj audience të nderuar, mbledhur këtu për të diskutuar çështje të një rëndësie të veçantë për Shqipërinë, por edhe vende të tjera të rajonit siç është përballja me korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafiqet ilegale.

Do të doja me këtë rast të falënderoja përzemërsisht Qendrën Marshall, stafin e saj, për organizimin e kësaj konference dhe simpoziume të tjera si kjo, të cilat luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjies qytetare për sa i përket rrezikut që këto fenomene paraqesin për çdo shoqëri të qytetëruar, por dhe përsa i përket nevojës imediate për një front të bashkuar të të gjithë aktorëve politike, institucionalë, mediatikë, të shoqërisë civile, në luftën pa kompromis kundër tyre.

Unë gjej rastin t'i shpreh Qendrës Marshall, Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadorit të Gjermanisë në Tiranë, si dhe qeverisë së SHBA-ve dhe të Gjermanisë, mirënjohjen më të thellë të qeverisë shqiptare për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin e madh që Qendra "George Marshall" ka dhënë dhe vazhdon të japë për kualifikimin dhe trajnimin e nëpunësve të administratës, profesionistëve dhe politikbërësve shqiptarë të të gjitha niveleve për çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në shërbim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Por veçanërisht dua të falënderoj organizatorët e kësaj konference për tematikën që zgjodhën për të diskutuar sot në Tiranë. Pas rënies së perdes së hekurt, shembjes së "Murit të Berlinit", asnjë popull tjetër i rajonit nuk vuajti më shumë pasojat e korrupsionit, abuzimit me të ardhurat publike, pasojat e krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, sa i vuajtën shqiptaret. Për shumë vite praktika të papërgjegjshme antisociale të qeverive kleptokratike instaluan në vend një sistem kleptokratik që radhiti Shqipërinë në një ndër vendet më të korruptuara të botës. Krimi i organizuar u fuqizua, u pasurua dhe zgjeroi e intensifikoi aktivitetin e tij si kurrë ndonjëherë më parë, si brenda dhe jashtë vendit, me të ardhurat e vjela nga aktivitetet kriminale të drogës e trafiqeve të të gjitha llojeve. Mafiozët shqiptarë u bënë famëkeq në të gjithë Europën dhe më gjerë. Ata, me lidhjet e tyre të ngushta me qarqet politike dhe individë të të gjitha niveleve në pozita kyçe në institucionet më të rëndësishme të shtetit, formuan në Shqipëri atë që quhet "state capter". Nga ana tjetër, qindra familje shqiptare, por edhe në vende të tjera, provuan rrënim të plotë moral e shpirtëror kur fëmijët, vajzat, motrat e tyre, u trafikuan në vende të tjera për t'u sjellë përfitime të majme qenieve më të pamoralshme, më të pamërshishme të shoqërisë, trafikantëve të qenieve njerëzore.

Por këto fenomene nuk do të mund të vazhdonin të lulëzonin për një kohë më të gjatë. Këto fenomene, ndonëse ngritën para shqiptarëve një mur të lartë korrupsioni, krimi, i cili po ngadalësonte cdo ditë e më shumë progresin e tyre drejt Europës, drejt NATO-s, njëkohësisht shtyn shqiptarët më shumë se çdo gjë tjetër që, me një pjesëmarrje masive, në 3 korrik 2005, të arrijnë në kushte të vështira të realizojnë rotacionin paqësor të pushtetit. Më 3 korrik qytetarët shqiptarë votuan para sëgjithash për të shembur murin e korrupsionit, murin e krimit të organizuar, për të vendosur shtetin ligjor dhe per te ecur si vendet e tjera drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Pikërisht duke lexuar qartë këtë mesazh, qeveria që unë kryesoj shpalli vendosjen e shtetit ligjor si kushtin e të gjitha kushteve për suksesin e reformave në vendin tonë. Në këtë kontekst, ky përcaktim, i faktuar jashtëzakonisht i dobishëm, bëri të mundur luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, si dhe përpjekjen më serioze për të çmontuar sistemin e kleptokracicë, për të konsoliduar institucionet demokratike dhe për të ecur të sigurt drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe NATO.

Rezultatet e këtij viti janë qartësisht inkurajuase në të gjitha fushat. Ndër masat më të para që ndërmorëm për luftën kundër korrupsionit, ishte nisma të nisim luftën kundër tij nga vetja jonë, pra nga zyrat ku ne u vendosëm. Për këtë qëllim, ne vendosëm për funksionimin e zyrave tona standarde të cilat nuk lejonin përdorimin e parave publike për qëllime personale dhe kjo solli një reduktim prej 40 përqind të shpenzimeve operative të administratës shqiptare. Pra rreth 46 milionë euro.

Vendosëm të amendojmë ligjin për konfliktin e interesave. Në rast se më parë ministrat dhe zyrtarët përdornin pushtetin për të ushqyer monopolet e tyre, askush në administratën aktuale nuk mund të ketë veprimtari biznesi, ai apo familjarët e tij. Në rast të kundërt, është i detyruar të vazhdojë veprimtarinë e tij private.

Vendosja e shtetit ligjor bëri të mundur një administrim më të mirë të të ardhurave nga taksat dhe doganat e vendit. Kështu, brenda 6 muajve ne ia dolëm të krijojmë një buxhet suplementar prej 320 milionë dollarë. Ky buxhet, rezultat tërësor i luftës kundër korrupsionit, u përdor në 1/3 e tij për punëra publike, ndërsa 2/3 iu kaluan sërish biznesit në formën e uljes së taksave.

Përpjekje serioze u bënë për të rritur transparencën në prokurimet publike. Në rast se më parë pjesa dërrmuese e tyre zhvilloheshin me procedurat e prokurimit direkt, apo të kuotuara, sot pjesa dërrmuese, apo mbi 90 përqind e tyre, janë që të gjitha me tender të hapur. Kam kënqësinë të informoj se pjesëmarrja e kompanive në këto tendera varion nga 8 deri në 53, sipas tyre. Pra qeveria është kujdesur dhe do të kujdeset që të jetë një garë e hapur. Kjo ka sjellë një rënie të ndjeshme të kostos së prokurimeve të vendit prej 25 përqind. Jam i bindur se ligji i ri prokurimeve publike që është përgatitur së fundi me ekspertizën e Bashkimit Europian, do t'i bëjë akoma më transparente prokurimet publike.

Gjithashtu, dua t'ju informoj se vetëm pak ditë më parë ne firmosëm me Agjencinë e Ndihmës së Shteteve të Bashkuara 3 projekte të cilat janë jashtëzakonisht të çmuara në luftën korrupsionit. Korrupsioni është një kancer në cdo moment. Revanshi i tij është i pandalshëm. Në këtë kontekst unë jam optimist se projektet që nisën zbatimin e tyre 3 ditë me parë, si projekti i Ombudsman-it për prokurimet publike, i përbërë nga shoqëria civile, "one stop shop" për biznesin dhe praktika të reja në administrimin e taksave dhe tatimeve, do të bëjnë shumë më transparente këto procese dhe do të ulin në mënyrë drastike nivelin e korrupsionit në këto fusha jashtëzakonisht të rëndësishme.

Qeveria në luftën kundër korrupsionit po rishqyrton në këtë dritë të gjitha procedurat e shtetit, duke përcaktuar si objektiv më madhor nxjerrjen e tyre jashtë praktikave të korrupsionit. Rezultate të qarta dhe spektakolare u arritën në fushën e arsimit. Ne do të vazhdojmë në të gjitha fushat. Korrupsion, theksoj edhe njëherë, është një kancer ndaj të cilit duhet mbajtur një qëndrim agresiv permanent, në mënyrë që shoqëria shqiptare dhe vendi të dalë tërësisht prej sistemit të tij.

Zonja dhe zotërinj! Unë ju njoha me përpjekjet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, e cila është para së gjithash përpjekje ligjore, proceduriale dhe një betejë e gjatë. Por po kaq të përkushtuar kemi qenë në luftën ndaj krimit të organizuar. Krimi i organizuar shqiptar, për shkak të simbiozës me pushtetit, por edhe bashkëpunimit me të, arriti të bëhej vendimarrësi më i fuqishëm i vendit, arriti të bëhej një nga faktorët më kërcënues të sigurisë së qytetarëve shqiptarë dhe një nga problemet më famëkeqe për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Një vit më parë, ekzistonte një skepticizëm real mbi mundësinë e luftës ndaj korrupsionit. Jo të paktë ishin ata që mendonin se simbioza ishte rruga e vazhdimit. Qeveria jonë mendonte krejt ndryshe. Qeveria vendosi zero tolerancë ndaj tij, vendosi që të angazhojë të gjithë potencialin e vendit, buxhetin e nevojshëm, për të çliruar dhe nxjerrë Shqipërinë jashtë krimit të organizuar, për të vendosur bandat para ligjit. Kjo platformë funksionoi para të gjithash falë kurajos, profesionalizimit, guximit të oficerëve të policisë shqiptare, të cilët në një betejë të pandërprerë, ditën e natën, në Shqipëri dhe jashtë vendit, me krimin e organizuar, ia dolën që të vendosin para ligjit të gjitha grupet dhe organizatat e mëdha kriminale. Ia dolën të vendosin para ligjit qindra e qindra annëtarë të këtyre organizatave, si dhe bosët e tyre kudo që ndodheshin, në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Turqi, në mbarë Europën. 90 operacione u kryen me Agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve fqinje dhe vendeve mike, të cilat i dhanë Shqipërisë mundësinë që t'i vendosë para ligjit ata qe kishin bërë ligjin, kishin ushtruar dhunë, kishin kryer krime të shëmtuara, trafiqe kriminale në territorin e Shqipërisë e më tej.

Beteja kundër krimit të organizuar vazhdon. Ne jemi të vendosur për zero tolerancë ndaj tij. Sot ne përballemi sërish me fenomenin e "state capter". Nuk mund të mohohet se segmente të caktuara në sistemin e drejtësisë janë në prangat e "state capture". Unë ju siguroj ju dhe të gjithë shqiptarët se asgjë nuk do të mundë të pengojë qeverinë të çojë përpara luftën kundër krimit, luftën kundër "state capture". Percepsioni është jashtëzakonisht pozitiv.

Si rezultat i kësaj lufte, kam kënaqësinë t'ju informoj se këtë vit kemi pritur 30 % me shumë turistë se vitin e kaluar. Nuk mund të them se kemi ndryshuar gjëra të mëdha në disa muaj, krahas faktit se e kemi bërë vendin të sigurtë, kemi bërë të sigurte jetën e qytetarëve shqiptarë, jetën e turistëve të huaj që vijnë për të kaluar pushimet në Shqipëri.

Një përpjekje të madhe kemi bërë në luftën kundër trafiqeve të qenieve njerëzore dhe trafiqeve të tjera. Zyra e koordinimit ndërkombëtar të luftës kundër trafiqeve ka organizuar komitetet lokale antitrafik në mbarë vendin të cilat kanë një detyrë themelore, t'i ndalojnë trafiqet, t'i shndërrojnë ato në çështje të mbarë komunitetit. Unë mendoj se përpjekjet e kësaj zyre, sikundër moratoriumi që vendosëm për tre vjet për varkat e shpejta në ujrat tona territoriale, i kanë dhënë një përgjigje shumë serioze trafiqeve në Shqipëri dhe i kanë zvogëluar ato në maksimum.

Ju siguroj se përpjekje akoma më të mëdha do të bëhen dhe Shqipëria do të dalë jashtë hartës së trafiqeve. Inkurajues është fakti se qendra ndërkombëtare e studimit të krimit të organizuar, flasin për spostim të rrugëve të drogës dhe unë jam i sigurtë se Shqipëria shumë shpejt nuk do të jetë një rrugë kryesore ne trafikun e droges, sic ka qenë në të shkuarën e saj.

Zonja dhe zotërinj! George Marshall ishte një vizionar i madh. Ai besoi dhe luftoi për të promovuar paqe dhe stabilitet dhe mirëqënie midis vendeve dhe popujve anembanë globit nëpërmjet bashkëpunimit, ndihmës dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë. Ne shqiptarët besojmë dhe dëshirojmë që vendi dhe rajoni ynë i Europës Juglindore duhet të jetë një rajon paqeje e sigurie, popujt e qeveritë e vendeve të të cilit duhet të vendosin një bashkëpunim të ngushtë në emër të mirëqenies dhe jetës më të mirë të qytetarëve, në emër të të ardhmes së tyre të përbashkët në Bashkimin Europian dhe NATO.

Nga ana tjetër, sikundër burri i shtetit, George Marshall, e shihte sigurinë e Evropës të lidhur ngushtë me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe në Bashkimin Europian, është e ardhmja më e sigurt e kombit tonë, është garancia më e madhe e sigurisë dhe lirisë, e zhvillimit ekonomik të vendit dhe jetës më të mirë për qytetarët shqiptarë.

Kombi ynë pati një kohë të vështirë gjatë shekullit që shkoi. Ai ka sot si projekt integrimin në NATO dhe në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, perspektiva e integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO është dhe do të mbetet ylli polar, objektivi parësor për politikën tonë të jashtme të sigurisë.

Vetëm 3 muaj më parë, në 12 qershor 2006, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Nënshkrimi i kësaj kontrate me BE-në në Luksenburg shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me kombet dhe vendet e zhvilluara të familjes euroatlantike. Ajo simbolizon lënien pas të periudhës së vështirë të tranzicionit, duke konsoliduar në mënyrë të pakthyeshme rrugën drejt realizimit të ëndrrës së kombit për rikthimin dhe ribashkim në familjen e tij europiane me të cilin kombi ynë ndan vlerat e mëdha të qytetërimit perëndimor.

Për ne, nënshkrimi i kësaj marrëveshje është vlerësimi më i madh për shqiptarët që në këto 15 vite shndërruan vendin e tyre nga vendi i diktaturës më të egër të Europës së kohërave moderne, në vendin e pluralizimit politik të konsoliduar dhe tolerancës së shkëlqyer fetare, vendin ku ekonomia e tregut po zhvillohet me ritme të shpejta.

Në të njëjtën kohë, nëshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është një angazhim i madh për të gjithë shqiptarët. Ndaj dua t'ju siguroj se qeveria shqiptare është e vendosur dhe do të bëjë çdo përpjekje, do të ndërmarrë çdo reformë, në mënyrë që të shndërrojë tërësinë e normave, kritereve, standardeve dhe kërkesave të MSA-së në një histori të suksesshme, në themele solide të demokracisë sonë të bazuar në shtetin ligjor, në tregun e lirë, në respektimin e lirive të qyetarëve të saj.

Me të njëjtat standarde ne po ecim drejt NATO-s. Kjo, jo vetëm për bindjen tonë të thellë se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është mënyra më e mirë për garantimin e paqes, stabilitetit, sigurisë në vendin tonë, por edhe për faktin se NATO është para së gjithash një organizatë politike e vendeve të lira. Si e tillë, anëtarësimi në NATO është jetik për konsolidimin e demokracisë, lirisë individuale, shtetit të së drejtës, tërheqjes dhe garantimit të investimeve, zhvillimit ekonomik e social të shpejtë të vendit.

Ne jemi krenarë për faktin se gjatë këtyre 15 viteve Shqipëria ka vendosur një bashkëpunim të ngushtë, të pandërprerë dhe besnik me Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke vendosur në dispozicion të Aleancës portet, aeroportet dhe territorin e saj për qëllime stërvitore dhe misione të tjera të rëndësishme. Njësitë e ushtrisë shqiptare janë të shpalosura, së bashku me ato të vendeve partnere, në Bosnje, Afganistan dhe Irak.

Ne jëmi të bindur se vetëm me përkushtim dhe bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet e saj anëtare, mund të përballojmë me sukses rreziqet nga të cilat kërcënohet sot rendi global, si terrorizmi ndërkombëtar, apo rreziku i armëve të shkatërrimit në masë.

Por një bashkëpunim i ngushtë me kombet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe vendeve të tjera të rajonit është gjithashtu vendimtar për të luftuar me sukses krimin e organizuar, trafiqet, apo fenomenet e pastrimit të parave të përfituara nëpërmjet aktiviteteve kriminale.

Zhvillimet e fundit përsa i përket krimit të organizuar kanë krijuar bindjen e qartë te kushdo se ajo që deri dje konsiderohej si kërcënimi i sigurisë së ulët, ka marrë tashmë dimensionin e kërcënimit të sigurisë së lartë. Krimi i organizuar konsiderohet një faktor rrënues për çdo shtet, duke mos njohur kufi, krimi i organizuar shihet si një bashkëpunëtor i mundshëm i terrorizmit ndërkombëtar. Për këtë arsye dhe shumë të tjera, sic theksova më sipër, ne adaptuam dhe do të vazhdojmë të adaptojmë tolerancën zero ndaj krimit.

Shqipëria është angazhuar në reforma të thella në fushën e sigurisë, mbrojtjes, modernizimin e Forcave të Armatosura me të cilat synojmë krijimin e një ushtrie të vogël, të mirëpajisur dhe mirëstërvitur dhe profesioniste. Për këtë qëllim kemi transformuar komponentin rezervist, kemi hequr nga përdorimi teknologjitë e vjetra, kemi mundur të rrisim progresivisht buxhetin e mbrojtjes për ta rritur objektivin 2 përqind të prodhimit të brendshëm, në përputhje me kërkesat e NATO-s. Në kuadër të Kartës Adriatik 3 Shqipëria po bashkëpunon ngushtë me vendet mike, Kroacinë dhe Maqedoninë, në fushat e politikave të sigurisë dhe mbrojtjes, edukimit ushtarak të të gjitha niveleve, kontrollit të armatimit dhe kufijve. Ekipet tona të përbashkëta ushtarako-mjekësore punojnë sëbashku në Afganistan. Ushtarët tanë janë të pranishëm dhe në Kabul.

Të dashur miq! Megjithëse qëllimi i kësaj konference është të diskutojmë çështje të sigurisë, do të doja të ndalesha pak në reformat e thella që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të ndezur motorrët e zhvillimit të shpejtë ekonomik të vendit, duke e konsideruar faktin se prapambetja ekonomke dhe varfëria përbëjnë një terren që ushqejnë në mënyrë të vazhdueshme, me papunësinë dhe faktorë të tjerë, kriminalitetin dhe korrupsionin.

Gjatë një viti qeverisjeje ne harruam dhe miratuam instrumentat ligjore dhe kemi ngritur institucionet implementuese për përfundimin e shpejtë të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe për dhënien fund të informalitetit dhe ekstralegalitetit nëpërmjet legalizimit dhe rregjistrimit përfundimtar të pasurive, duke i hapur rrugën konsolidimit të ekonomisë së tregut në fushën e pronësisë së patundshme.

Në përpjekjen tonë për të tërhequr investimet e huaja ne kemi përgjysmuar taksën e biznesit të vogël, kemi ulur 31 përqind taksën e sigurimeve shoqërore, 13 përqind tatimin mbi të ardhurat, kemi hequr çdo taksë për makineritë e importuara, liberalizuam lecensat, thjeshtuam procedurat e rregjistrimit te biznesit dhe i shkurtuam ato nga 42 ditë në 8 ditë. Ne kemi përgjysmuar koston e rregjistrimit të biznesit dhe kemi ulur me 33 deri në 45 përqind cmimin e energjisë. Kemi hartuar dhe do miratojmë gjatë dy muajve ne vijim dy ligje shumë të rëndësishme, ligjin e koncensioneve të partneritetit publik-privat dhe ligjin e ri të prokurimeve publike.

Së fundi, qeveria ka ndërmarrë nismën "Shqipëria një euro" me të cilën ajo synon të ftojë investitorët e huaj në Shqipëri dhe ata vendas, si dhe t'u ofrojë atyre një listë të gjatë mundësish për biznesin e tyre në Shqipëri me një euro.

Me të gjitha këto ne përpiqemi që Shqipëria të jetë një vend normal, një vend i sigurt, një partner dinjitoz për vendet tuaja, që të zerë me shpejtësi vendin e saj në NATO dhe në Bashkimin Europian. Faleminderit!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›