E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri spanjoll kerkon falje publike

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy i ka bërë apel popullit të vet të mos frenojë procesin e reformave të nisura. Në një dalje publike në mediat e Madridit, ai  i ka kërkuar falje popullit spanjoll që nuk është në gjendje t’i jap  një lajm të mirë për ekonominë, ndërkohë që ka premtuar se qeveria e tij do të bëjë të gjitha reformat e nevojshme  për të rimëkëmbur ekonominë. 

“Nuk jam në gjendje tu jap spanjollëve një lajm të mirë sot, ju kërkoj ndjesë, nuk jam në gjendje. Ky vit nuk do të jetë i mirë për ekonominë, por jemi duke kërkuar  bazën për rimëkëmbjen e Spanjës. Është e vështirë dhe e dhimbshme por nuk kemi alternativa të tjera. Këto reforma i kryejmë sepse jemi gjendur në një situatë të tillë ku nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje tjetër”, vlerësoi ai. 

Plani i masave shtrënguese mbi ekonominë për 2012-ën parashikon një korrigjim të bilancit me 27 miliardë euro, e realizuar kjo përmes reduktimit të shpenzimeve dhe rritjes së taksave. Rajoy ka kujtuar se Spanja nuk mund të falimentojë dhe duhet medoemos të përqëndrojë deficitin me 5,3% i përcaktuar si një nivel i ri për këtë vit, pas uljes së bërë nga BE pak kohë më parë.

 Kryeministri Rajoy u ka kërkuar krerëve të qarqeve të ndryshme rajonale në vend, të fuqizojnë reduktimin e cdo llojë shpenzimi, duke përfshirë autostradat dhe aeroportet.  Ekonomia e katërt e Eurozonës ka qenë në qendër të vëmendjes nga kriza e borxhit sovran të Eurozonës, duke rritur frikën se ekonomia mund të falimentojë nëse besimi i investitorëve do të vijojë të ulet  duke çuar kostot e kredive deri në nivele të paqëndrueshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›