E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri viziton Dardhën: Së shpejti miratohet ligji për përjashtimin për 7-8 vjet nga taksat, për investimet në zonat malore

Pas inaugurimit të rrugës Koritë-Liqenas, Kryeministri Berisha u ndal në Dardhë. Kryeministri Berisha, i cili e konsideron Dardhën, krahas zonave të tjera malore të vendit Voskopojës, Valbonës, Thethit etj., një nga destinacionet më të bukura e piktoreske për t’u frekuentuar, u takua dhe bashkëbisedoi me banorë dhe vizitorë që ndodheshin aty për të kaluar fundjavën.   

Duke vizituar një nga investimet e reja në hoteleri në Dardhë, Kryeministri shprehu kënaqësinë që ai ishte një investim privat i një banori të zonës, por ndonëse Dardha, theksoi Kryeministri, po bëhet gjithnjë e më e frekuentuar, sërish mbetet një problem tradita e frekuentimit të zonave malore. Për të zhvilluar këto zona dhe turizmin malor, Kryeministri ritheksoi qëndrimin e qeverisë për të mbështetur me iniciativa ligjore investimet në këto zona, duke i përjashtuar ato për 7-8 vjet nga të gjitha taksat. Lidhur më këtë, Kryeministri tha:    

“Dardha është një nga vendet malore më piktoreske e më të bukurat e Shqipërisë, është një nga zonat më të frekuentuara, më të dëshiruara për qytetarët e Korçës, por që gradualisht po bëhet e njohur në Shqipëri e mbarë botën. Një rëndësi shumë të madhe ka që Dardha e të gjitha simotrat e saj të shumta malore, Gjinari, Çajupi, Qafë Shtama, Voskopoja, Valbona, Thethi të shpallen zona të lira pa taksa për 7 vjet, në mënyrë që investitorët të kenë një siguri për nxjerrjen e investimeve të rëndësishme që bëjnë. Ky është një hotel i mrekullueshëm dhe familja që ka ndërtuar atë e ka ndërtuar para së gjithash e shtyrë nga dashuria e madhe, sepse pronari i saj është nga kjo zonë, është dardhar, por gjithnjë mbetet problemi i traditës së frekuentimit të zonave malore. Ndaj qeveria shumë shpejt do të kalojë një ligj, sipas të cilit, çdo investim për qëllime turistike në zonë malore do të jetë për 7 deri në 8 vjet i përjashtuar nga të gjitha taksat. Kjo është një mënyrë për të nxitur e stimuluar zhvillimin e tyre. Të mos harrojmë se pas përfundimit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe rrugës Qafë Plloçë-Qukës, Dardha, në lartësinë 1600 metra, do mund të arrihet nga Tirana në një kohë përafërsisht 2 orë - 2 orë e 15 minuta. Po kështu edhe zona të tjera.”


09/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›